Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të martën se Ukraina pranoi armëpushim 30-ditor të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, pas bisedimeve kritike të paqes midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite.
Propozimi i armëpushimit i pranuar nga Ukraina mbulon të gjithë vijën e frontit të luftimeve me Rusinë, jo vetëm ajrin dhe detin, tha Zelensky pas takimit, raporton CNN, përcjell Insajderi.
“Ukraina e pranon këtë propozim, ne e konsiderojmë pozitiv, jemi të gatshëm të ndërmarrim një hap të tillë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të bindin Rusinë që ta bëjë këtë”, tha Zelensky, duke shtuar se armëpushimi do të fillojë në momentin që Moska bie dakord me të.
Sipas një deklarate të përbashkët SHBA-Ukrainë, pas takimit, Shtetet e Bashkuara thanë se do të “heqin menjëherë pauzën në ndarjen e inteligjencës dhe të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën”.
Deklarata theksoi se Kievi “shpreh gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA për të miratuar një armëpushim të menjëhershëm, të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë të palëve dhe i cili është subjekt i pranimit dhe zbatimit të njëkohshëm nga Federata Ruse”, thuhet në deklaratë.
“Shtetet e Bashkuara do t’i komunikojnë Rusisë se reciprociteti rus është çelësi për arritjen e paqes”, tha ai. /Insajderi.org/