Më 11 mars 2020 Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se koronavirusi ishte tashmë një pandemi globale. Sipas OBSH-së, vetëm në dy vitet e para të pandemisë, gati 15 milionë njerëz humbën jetën nga koronavirusi, ose nga ndikimi i tij në sistemet e mbingarkuara shëndetësore. Në vazhdim le të ndjekim një reflektim për vitin e parë të pandemisë që u bë e njohur si COVID-19.
Në dhjetor 2019, mjekët në qytetin kinez Wuhan filluan trajtimin e një grupi pacientësh me pneumoni. Qyteti në një provincë pranë Pekinit ka një popullsi prej mbi njëmbëdhjetë milionë banorësh.
Më 31 dhjetor 2019, Kina njoftoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për pacientët që ishin futur në karantinë dhe se autoritetet kishin filluar të regjistronin lëvizjet e pacientëve për të gjurmuar burimin e sëmundjeve.
Më 6 janar, u sëmur banori i parë në Tajvan me simptoma të ngjashme me gripin, dy javë pasi ishte kthyer nga një udhëtim në Wuhan, duke ofruar kështu tregues se burimi i sëmundjes mund të kishte një periudhë të gjatë inkubacioni prej rreth katërmbëdhjetë ditësh.
Shkaku ishte i panjohur, por lidhej me tregun e ushqimeve të detit në Huanan, ku shiteshin edhe kafshë, që i shtyu mjekët të sugjerojnë se sëmundja mund të përhapej nga kafshët tek njerëzit.
Në një studim në revistën Nature (e hënë, 3 shkurt 2020) shkencëtarët thanë se virusi mund ta ketë origjinën nga lakuriqët e natës. Nga ekzaminimet e gjenomit të virusit kishte ngjashmëri prej 96% me atë të koronavirusit në lakuriqët e natës.
Më 11 janar u raportua vdekja e parë dhe infeksionet brenda Kinës vazhdua të rriten dhe brenda dy javësh u raportuan raste infektimi në Tajlandë, Japoni, Korenë e Jugut dhe gjetiu në Azi.
Me afrimin e shpejtë të Vitit të Ri Kinez, shqetësimi për përhapjen e virusit u rrit. Brenda Kinës, miliona persona po përgatiteshin të udhëtonin drejt familjeve në të gjithë vendin dhe jashtë tij.
Aeroportet në mbarë botën fillojnë të kontrollojnë udhëtarët nga Wuhani për temperaturë të lartë, ose shenja ethesh.
Më 21 janar, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) konfirmuan se patën rastin e parë të virusit në Shtetet e Bashkuara. Pacienti, në shtetin e Uashingtonit, ishte kthyer së fundmi nga Wuhani.
“Po punojmë për t’u përgatitur për gjërat e pritshme, të papriturat dhe të paimagjinueshmet”, u tha amerikanëve Nancy Messonnier, nga Qendra Kombëtare për Imunizimin dhe Sëmundjet e Frymëmarrjes.
Shkencëtarët e quajtën virusin koronavirusi i ri, ose SARS-CoV-2. Sëmundja që u bë e njohur si COVID-19.