Futbollisti nga Kosova, Etnik Brruti, ka zgjedhur që të luajë për Shqipërinë.
Ky rast ka ngjallur reagime pro dhe kundër.
Lidhur me këtë ka folur edhe kreu i Federatës së Futbollit shqiptar, Armand Duka.
Duka u shpreh se dera është e hapur për këdo. Për të gjithë ata që ndihen shqiptar.
“Pashë një status të babait të lojtarit dhe mendoj që ishte i duhuri. Akuza për mua apo FSHF-në ka në të dyja drejtimet, pse e keni marrë këtë lojtar apo pse nuk e keni marrë. Edhe kur i merr, edhe kur nuk i merr, gjysma e njerëzve janë pro dhe gjysma kundër. Nëse je i bindur që ke bërë më të mirën, duhet të vazhdosh ta bësh. A e kam marrë unë Brrutin? Unë jam një nga ata që vendos për politikat e FSHF-së dhe një nga politikat tona është që dera e Kombëtares është e hapur për këdo. Ne marrim vetëm futbollistët shqiptarë, kushdo që ndihet shqiptar luan për ne”, u shpreh Duka në RTSH.
Ai po ashtu foli edhe për marrëdhëniet që i ka me Federatën e Futbollit të Kosovës:
“Kam marrëdhënie të mira me të gjitha federatat e Europës, kurse me Federatën e Kosovës kam marrëdhënie vëllazërore.”, theksoi Duka.