Në një konferencë për medie, presidenti rus, Vladimir Putin, bashkë me presidentin bjellorus, Aleksander Lukashenko, ndërsa po fliste mbi takimin e tij me liderin e Bjellorusisë dhe marrëveshjet e bëra mes dy kombeve, deklaroi edhe për propozimin për përfundimin e luftës në Ukrainë. Ai tha se pajtohet me propozimin për një armëpushim, por që duhet të çojë në një “paqe të qëndrueshme”.
I pyetur nga mediet ruse, Putin, duke falënderuar presidentin Trump për përkushtimin e tij për arritjen e një zgjidhjeje paqësore me Ukrainën, tha se Rusia pajtohet me propozimin për një armëpushim, por ai duhet të çojë në një “paqe të qëndrueshme”, raporton BBC.
Gjithashtu, BBC shkruan për komentet nga ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, i cili u tha medieve ruse se Putin do të takohet me të dërguarin e SHBA-së, Steve Witkoff, me dyer të mbyllura në Moskë, këtë mbrëmje.
“Ne pajtohemi me propozimin për ndërprerjen e armiqësive, por ai duhet të çojë në paqe të qëndrueshme dhe të heqë shkaqet themelore të kësaj krize”, tha Putin.
Ai tutje foli për vizitën e tij në Kursk, duke thënë se situata “është plotësisht nën kontroll”, teksa shtoi se kontrolli nga forcat ukrainase “ka humbur”, duke thënë se pajisjet e tyre janë “braktisur”.
Putin thotë se, në dritën e kësaj, “do të ishte mirë” që Ukraina të arrijë një armëpushim 30-ditor, duke thënë se “ne jemi në favor të tij”. Por, thekson ai, ka “nuanca”.
“Nëse do të pushonim armiqësitë…çfarë do të thoshte kjo?”, pyet Putin, duke vënë në dyshim se çfarë do të ndodhte në rajonin e Kurskut të Rusisë.
Putin tani falënderon anëtarët e shërbimit rus që kanë ndihmuar në rimarrjen e zonave në rajonin Kursk të vendit.
Ai thotë se forcat e tij po rimarrin, gjithashtu, të gjitha vendbanimet përreth nga ushtria ukrainase, duke shtuar se në varësi të mënyrës se si do të zhvillohet situata, Rusia do të diskutojë për armëpushimin.
Tutje, presidenti rus pyet se kush do të vendosë se ku ka ndodhur një “shkelje e marrëveshjes së mundshme të armëpushimit” përgjatë 2000 km (1242.7 milje) – ndoshta duke iu referuar gjatësisë së kufirit midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Të gjitha këto çështje duhet të studiohen me kujdes nga të dyja palët,” thotë ai, duke shtuar se ideja e një armëpushimi është “e mirë dhe ne absolutisht e mbështesim atë, por ka çështje që duhet t’i diskutojmë”.
Putin thotë se ai beson se duhet të negociohet me partnerët amerikanë, duke vënë në pah mundësinë e një telefonate me presidentin Trump.
“Ne duhet të negociojmë me kolegët dhe partnerët tanë amerikanë dhe ‘ndoshta’ të kemi një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump”.
“Vetë ideja për t’i dhënë fund këtij konflikti me mjete paqësore, ne e mbështesim atë”, deklaroi Putin.
Putin pranon se luftimet në Ukrainë duhet të përfundojnë, por thotë se çdo plan duhet të çojë në ‘paqe të qëndrueshme’.