Xherdan Shaqiri ka bërë një rrëfim prekës rreth jetës së tij dhe karrierës si futbollist.Futbollisti i kombëtares së Zvicrës, që po luan Botërorin e tretë të tij, ka treguar për The Players’ Tribune se si arriti që nga një fëmijëri e vështirë, të ngjitej në majat e futbollit.
Shaqiri ka rrëfyer për jetën e vështirë të familjes së tij, fëmijërinë e tij si dhe ngritjen e tij në karrierë, shkruan Insporti.Insporti transmeton në tërësi shkrimin e Shaqirit:Shtëpia jonë nuk kishte ngrohje. Vetëm një oxhak të madh. Ishte një shtëpi shumë, shumë e vjetër në një fermë në Basel, dhe kështu ishte. As nuk mendoja për këtë. E mbaja veten të ngrohtë duke vrapuar si i çmendur. Vëllai im më i madh ishte ai i cili gjithmonë ankohej për të ftohtët, sepse dhoma e tij ishte lartë, larg vatrës së zjarrit. Atij i duhej të flinte me rreth pesë batanije gjatë dimrit.
Familja ime ishte larguar nga Kosova para se të fillonte lufta, kur isha katër vjeçar, dhe provuan të bëjnë një jetë në Zvicër me mua dhe dy vëllezërit e mi. Nuk ishte e lehtë. Babai im nuk fliste gjuhën gjermane, kështu që ai u desh të fillonte që të lajë enët në një restaurant. Më vonë ai gjeti një punë në ndërtim të rrugëve. Nëna ime punonte si pastruese në ndërtesa zyresh në qytet. (Unë isha ndihmësi i saj me fshesë elektrike, dhe vëllezërit e mi pastronin dritaret)Zvicra është shumë e shtrenjtë për këdo, por ishte veçanërisht e vështirë për prindërit e mi sepse ata po u dërgonin shumë para anëtarëve të familjes që ishin ende në Kosovë. Në fillim, mund të udhëtonim që të shihnim ata çdo vit. Por kur lufta filloi ishte e pamundur të riktheheshim, dhe gjërat ishin shumë të vështira për anëtarët e familjes që kishin ngecur aty. Shtëpia e xhaxhait ishte djegur krejtësisht, dhe kishte shumë vuajtje. Babai im po u dërgonte aq para sa mundej, kështu që kur unë po rritesha ne nuk patëm asnjëherë para shtesë për të shpenzuar, ndoshta në përjashtim të ndonjë diçkaje për ditëlindje.Një storie interesante, Ronaldo ishte idoli im. Ronaldo origjinal. Mënyra se si luante, ishte si një magji për mua. Gjatë finales së Botërorit 98′, kur ai u lëndua dhe Brazili u mposht nga Franca, unë po qaja pafundësisht sepse isha shumë i pikëlluar për të. Ditëlindja ime e shtatë ishte tre muaj pas Botërorit, dhe po i thoja nënës time vazhdimisht për tre muaj: “E gjitha çfarë dua për ditëlindje është fanella e verdhë e Ronaldos. Të lutem, vetëm më blej këtë fanellë”.Kështu që ditëlindja ime vjen, dhe nëna ime ka vetëm një kuti për mua. E hapi atë, dhe është fanella me ngjyrë të verdhë e Ronaldos. Vetëm se ishte një prej atyre fanellave fals që i bleni në markete. Nuk mendoj se kishte ndonjë logo në të. Ishte vetëm një fanellë me ngjyrë të verdhë dhe një numër 9 me ngjyrë të gjelbërt. Prindërit e mi nuk kishin para të blenin një të vërtetë, por kjo nuk kishte rëndësi për mua. Ishte ndoshta dita më e lumtur e jetës time. E mbaja të veshur për pothuaj 10 ditë, dhe kisha edhe një palë shorce ngjyrë të verdhë që i vishja së bashku me këtë fanellë.Isha ndoshta i vetmi fëmijë imigrant në shkollën time, dhe nuk mendoj se fëmijët zviceranë kuptonin pse isha kaq i fiksuar me futbollin. Në Zvicër, futbolli është thjesht një sport. Nuk është jetë, siç është në disa vende të tjera. E mbaj mend, katër vite më vonë, kur Ronaldo u paraqit në Kupën e Botës me atë stil të flokëve, shkova te frizeri dhe thashë: Më bëj prerjen e Ronaldos.
Shaqiri në rrëfimin e tij për The Players’ TribunePor atëherë unë kisha flokë të bardha dhe kaçurrela, kështu që ishte çmenduri. Shkova në shkollë dhe të gjithë fëmijët po më shikonin skur të mendonin çfarë ka ndodhur me këtë djalë, çfarë dreqin ka bërë?Kjo nuk më pengonte aspak. Isha thjesht vetja. Shkolla ime ishte në pjesën e mirë të qytetit, por shtëpia ime ishte vetëm pesë minuta ecje nga pjesa shumë e keqe e qytetit dhe këtu ishte pjesa ku luhej futbolli i mirë. Nëna ime më lutej që të mos shkoja, por unë shkoja aty çdo ditë pas shkollës për të luajtur. E di se njerëzit mendojnë që Zvicra është e gjitha e mirë, dhe pjesa më e madhe e saj është, por në këtë park, ishte çmenduri. Të gjitha ekipet ishin si Kombet e Bashkuara. Kishte turq, afrikanë, shqiptarë, serb, gjithçka. Dhe nuk ishte vetëm futboll – të gjithë po kalonin kohë aty, kështu që kishte njerëz që dëgjonin hip-hop gjerman, fëmijë që po bënin freestyle në rep, vajza që po ecnin në fushë derisa po luhej ndeshja.Futbolli ishte futboll i vërtetë. Për shembull, djemtë po grushtoheshin gajtë gjithë kohës. Unë nuk u grushtova kurrë, sepse gjithmonë e mbaja gojën e mbyllur. Por të luaja në atë park më ndihmoi me të vërtetë sepse isha një djalosh i vogël, dhe mësova si të luaja me burra të cilët nuk po bënin shaka.Kur isha 14 vjeç, po luaja për të rinjtë e FC Baselit, dhe patëm rastin që të luanim në Nike Cup në Pragë. Problemi ishte se më duhej të humbisja disa ditë nga shkolla, dhe kur e pyeta mësuesin tim, ai tha jo. Në Zvicër, mësuesit janë shumë serioz për shkollën. Mendova, dreqin, në rregull, do të më duhet të bëj kinse jam i sëmurë.Kështu që bëra që nëna t’i shkruante letër shkollës për t’i thënë se kisha gripin ose diçka e tillë, dhe shkova në Pragë për turneun. Luajta shumë, shumë mirë dhe kjo ishte hera e parë kur pashë fëmijë nga vende tjera të më shikonin duke menduar: Ky është djaloshi nga Baseli. Ai është. Kjo ishte një ndjenjë me të vërtetë e mrekullueshme.U kthyem në shtëpi dhe shkova në shkollë të hënën, ende duke bërë gjoja se isha pak i sëmurë. Dhe mësuesi menjëherë tha: “Xherdan, eja këtu. Eja, eja, eja”.Ai më mori te tavolina e tij, dhe nxori gazetën nga tavolina. Ai po e shikonte atë dhe tha, “Oh, ishe i sëmurë?”Në faqen e parë të gazetës ishte një foto e imja duke buzëqeshur, duke mbajtur trofeun e Lojtarit të Turneut.Vetëm e shikova atë dhe ngrita duart në ajër, duke menduar, epo… dreqin!Fillova të merrja shumë vëmendje pas këtij turneu, por paratë vazhdonin që të ishin një problem për familjen time, sepse të dy vëllezërit po ashtu po luanin për Baselin. Kurdo që duhej të paguanim për të shkuar në një turne apo diçka e tillë, kushtonte tri herë më shtrenjtë. Kur isha 16 vjeç, duhej të shkonim në një kamp stërvitje në Spanjë, dhe kushtonte rreth 700 franga zvicerane. Babai na tha një natë se ishte e pamundur, pasi nuk mund ta paguanim.
Kështu që unë dhe vëllezërit të gjithë gjetëm punë të vogla për ta paguar atë. Unë po kositja barin e shtëpive të komshinjëve për pothuaj tri javë, dhe vëllai im po punonte në një fabrikë. Arritëm që disi t’i bëjmë gati paratë, dhe të shkojmë në Spanjë në momentin e fundit.Rreth një vit më vonë, kur isha 17 vjeç, u ftova në ekipin e parë të Baselit. U futa në lojë në 20 minutat e fundit të një ndeshje, dhe mendova se bëra mirë. Të nesërmen u shfaqa në stërvitje, dhe trajneri i të rinjëve tha: Çfarë dreqin ishte ajo? Çfarë po mendoje?I thashë: “për çfarë je duke folur”? Tha: “Vetëm sa bisedova me trajnerin. Ai tha se e gjitha çfarë po bëje ishte driblimi. Mjafton kjo, do të rikthehesh në ekipin e dytë”.Isha i shokuar. Mendoja se isha i përfunduar te Baseli. Dy javë më vonë, klubi e shkarkoi trajnerin. Erdhi një trajner i ri. Ai më ftoi në ekipin e parë, dhe kurrë nuk shikova prapa. Është interesante sepse ai më vendosi në pozitën e mbrojtësit të majtë, dhe unë kam dëshirë që të sulmoj dhe të krijoj, andaj mbrojtësit gjithmonë më bërtisnin: Kthehu! Duhet të kthehesh!Por, çfarë të them? Gjërat shkuan kogja mirë për mua, sepse gazetat po shkruanin se ndoshta do të thirresha për Kupën e Botës 2010. Nuk e dija se çfarë të mendoja. Ishte gati çmenduri. Kur u ftova në ekip, ishte një moment shumë emocionues. Shkova drejt në shtëpi për t’i treguar prindërve, dhe ata ishin shumë të lumtur.Ndodhi shumë shpejt. Një ditë isha 16 vjeç, duke kositur oborre në mënyrë që të paguaja një biletë për një Spanjë, dhe pastaj isha 18 vjeç, në avion për në Afrikën e Jugut për të luajtur në Kupën e Botës?Më kujtohet kur luajtëm ndaj Spanjës, pashë Iniestan para meje dhe mendova: Wow, njeriu që e kam shikuar në televizor, ja ku është. Por gjëja që gjithmonë do ta mbaj mend është se kur arritëm për herë të parë, shkuam te hoteli jonë dhe patëm një njeri ushtarak dhe të armatosur duke qëndruar jashtë çdo dere. Njeriun e ushtrisë për të na mbrojtur vetëm ne. Mendoja se ishte gjëja më interesante në botë, sepse po vrapoja për në shtëpi nga parku gjatë natës vetëm një vit para kësaj. Tash kam ushtarin tim personal?Për prindët e mi, ishte një moment shumë krenar të më shihnin duke luajtur në Kupën e Botës, sepse ata erdhën në Zvicër pa asgjë dhe punuan shumë për të bërë jetë të mirë për fëmijët e tyre. Mendoj se media shpesh keqkupton ndjenjat e mia për Zvicrën. Unë ndjej se kam dy shtëpi. Është kaq e thjeshtë. Zvicra i dha gjithçka familjse time, dhe tentoj që t’i jap gjithçka ekipit kombëtar. Por kurdo që shkoj në Kosovë, menjëherë kam ndjenjën e shtëpisë, po ashtu. Nuk është diçka logjike, është thjesht një ndjenjë që kam në stomak.
Në 2012-tën, kur luajtëm ndaj Shqipërisë, vendosa flamujt e Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës në këpucët e mia, dhe disa gazeta zvicerane po shkruanin gjëra negative për këtë. U kritikova për këtë, por është çmenduri se disa njerëz ndihen kështu sepse është thjesht identiteti im.Gjëja e mrekullueshme për Zvicrën është se shteti ka qenë shumë mirëseardhës për njerëzit që vijnë nga lufta dhe varëfria dhe që kërkojnë jetë të mirë.Zvicra ka liqene, male dhe të gjitha këto. Por Zvicra po ashtu ka parkun ku luaja me turqit, afrikanët, shqitarët dhe serbët. Dhe vajzat me reperët gjermanë. Zvicra është për të gjithë.Kur futem në fushë në Botërorin 2018, kam flamujt e Zvicrës dhe Kosovës në këpucët e mia. Jo për shkak të politikës apo diçkaje të tillë. Por për shkak se flamujt tregojnë storien e jetës time.Por, mos u bëni merak, në këmbën e majtë kam flamurin e Zvicrës.