Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka paralajmëruar se pas konstituimit të Kuvendit do të thërrasë në raportim Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe do ta revokojë vendimin e sotshëm për rritjen e çmimit të energjisë prej 16%.
“Do të diskutojmë në komisione dhe në seancë, ku do të paraqesim rezolutë për shkarkimin e bordit të ZRRE-së. Nëse në këtë legjislaturë ka deputetë që përfaqësojnë interesin e qytetarëve, atëherë do ta shkarkojmë bordin aktual.”, ka thënë ajo.
Bajrami ka theksuar se nëse bordi aktual nuk e shfuqizon vendimin, “atëherë bordi i ri do ta bëjë këtë pa asnjë dyshim”.
ZRRE-ja duhet të ketë një bord profesional dhe transparent, që publikon pasqyrat financiare (fitimet) të KEDS-it dhe KESCO-s. Kuvendi gjithashtu duhet të ketë raport të saktë për tregtinë me energji, por edhe për investimet që KEDS-i është i obliguar t’i bëjë në rrjet, sipas kontratës.”, ka shkruar ajo.