Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë ka folur për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kurti tha se qeveria dhe i gjithë kabineti janë në detyrë dhe “efektivisht” të dorëhequr që nga 23 marsi.
“Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua, sepse partitë opozitare – PDK, LDK dhe Lista Serbe dhe AAK nuk votuan për verifikimin e mandateve të tyre si deputet. Në thelb ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit, po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër. Qeveria jonë, ky kabinet qeveritar është në detyrë, dhe efektivisht i dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti, kur edhe e kemi përmbushur mandatin e rregullt dhe të plotë katër vjeçar. Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e qeverisë së re, Qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë, pushtetin ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi, kjo e vendos qeverinë në një rol kujdestar për të garantuar vazhdimësi, siguri dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit tonë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës”, tha ai në mbledhjen e qeverisë.
Kurti tha se më shumë se kaq, nuk është e mundshme të jepet dorëheqje, teksa e ka quajtur thirrjen e opozitës “të pamatur” e me qëllim “për ta lënë shtëpinë pa zot shtëpie”.
“Krahas përmbushjes së mandatit të plotë qeverisës që na vë në një rol kujdestar, deri në formimin e qeverisë së re , unë në emër të kabinetit qeveritar dje i jam drejtuar Kuvendit me një letër përmes së cilës e kam informuar për statusin e qeverisë sonë pas datës 23 mars 2025 dhe për dorëheqjen time nga posti ekzekutiv – veçse efektiv nga ajo datë sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqja, më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucioneve, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezik i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim thënë së buti i pamatur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, deklaroi Kurti.
Ai tha se Qeveria Kurti ka funksione të kufizuara, por “assesi nuk mund të ketë ndalim të funksionimit. Shteti nuk mund të ketë vakum qeverisje, qeveria nuk mund të ketë ndalesë funksionimi”.