Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, dje ndërpreu këtë seancë pa u miratuar asnjë pikë që ishte në rendin e ditës për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
Dehari dje paralajmëroi se do t’i drejtohej presidentes së vendit me një letër për këtë situatë.
Gazeta ka siguruar letrën që Dehari i çoi Osmanit ku i kërkon sugjerime për “opsionet e mundshme përpara”.
“Në pamundësi të votimit të raportit për verifikimin e mandateve, në cilësinë e Kryesuesit e kam ndërprerë seancën konstituive. Në këto rrethana, të një situate të paprecedent, unë ju drejtohem juve si Presidente e Republikës për sugjerime për opsionet e mundshme përpara”, thuhet në këtë letër.
Më herët, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka njoftuar për mediat se letrën është duke e analizuar ekipi ligjor për t’i propozuar më pas presidentes hapat e mëtejmë.
“Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, ka thënë Kupina.
Dehari dje njoftoi për ndërprerjen e seancës konstituive duke thënë se rrethanat pas moskalimit të pikës së parë të rendit të ditës e detyrojnë.
“Shërbimi i deputetëve vërteton se në sallë janë 119 deputetë, por për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i Komisionit në seancë nuk mori votat e mjaftueshme për, në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten se si të do të veprohet në të ardhmen”, tha ai.