Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka mirëpritur përgjigjen e presidentes, Vjosa Osmani ndaj siç e ka quajtur pyetjes jologjike të partisë së parë.
Ai ka thënë se nesër me 17 prill përfaqësuesit e këtij subjekti politik sërish do të kërkojnë dorëheqjen e kabinetit qeveritar.
Abdixhiku ka shtuar se LDK-ja do të vazhdojë të sillet në mbrojtje të ligjeve e Kushtetutës dhe të vet Republikës.
“E mirëpres përgjigjen e Presidentes ndaj pyetjes jologjike të partisë së parë. Siç dhe paralajmëruam me Komunikatë, Seanca Plenare nuk mbahet peng e tekeve bllokuese e intencës ofenduese të partisë së parë. Dramat eventualisht bien; me to dhe zhurma që provohet të bëhet propagandë! Seanca plenare mbahet me detyrim brenda 48 orëve; siç u paralajmërua edhe vendimi ynë si Grup Parlamentar. LDK do të vazhdojë të sillet në mbrojtje të ligjeve e Kushtetutës dhe sëkëndejmi të vet Republikës. Këtë punë kanë deputetët e vendit. Nesër, sërish, përfaqësuesit tanë do të kërkojnë dorëheqjen e gjithë atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë. Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike! Republika mbi të gjitha”, ka shkruar ai në Facebook.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së kryesuesit të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.
Osmani ka theksuar se ashtu siç e parasheh Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, seanca konstituive duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj, pra 48 orë nga 15 prilli.