Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, që të akuzuarit për sulmin në Banjskë të gjykohen në mungesë.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit, gjykimi ka filluar vetëm ndaj tre të dyshuarve që janë të arrestuar, përderisa të gjithë të tjerët janë në arrati.
Për këtë qëllim, Prokuroria kishte kërkuar që ndaj mbi 40 personave të tjerë gjykimi të bëhet në mungesë.
“Gjykata Themelore Prishtinë ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për procedim të gjykimit në mungesë në rastin e njohur si Banjska Prishtinë, 18 Prill 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për procedimin e gjykimit në mungesë ndaj të pandehurve M.R, V.R, U.J, M.J, V.A, A.M, L.S, V.D, V.V, S.J, M.K, U.M, T.V, D.V. V.J, S.P, N.S, M.V, S.R, M.R, M.A, Z.C, K.D, S.M, M.S, A.J, R.G, I.M, G.Z, N.R, R.A, M.M, D.B, D.D, D.V, A.T, M.K, M.N, N.I dhe V.I, të akuzuar për vepër penale kryerja e veprës penale terroriste dhe vepër penale vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, i pandehuri M.R, i akuzuar edhe për vepër penale lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit si dhe vepër penale shpërlarja e parave”, thuhet në njoftim.
Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se kërkesa e Prokurorisë Speciale për gjykim në mungesë, është e pabazuar dhe se nuk janë plotësuar kushtet për gjykim në mungesë.
“Kryetari i trupit gjykues, ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka gjetur se kërkesa për procedimin e gjykimit në mungesë është e pabazuar dhe në këtë fazë të procedurës nuk mund të procedohet me gjykimin në mungesë ndaj të pandehurve që gjenden në arrati, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës për gjykim në mungesë”, thuhet në komunikatë.
Gjykata ka bërë të ditur se gjykimi për të njëjtit serbë, do të vazhdojë pas arrestimit.
Megjithatë, Prokuroria ka të drejtën e ankesës.
“Gjykimi ndaj të pandehurve në fjalë, do të vazhdoj pas arrestimit dhe ekstradimit eventual të tyre në Republikën e Kosovës. Palët e pakënaqura me këtë aktvendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special”, përfundon njoftimi.
Në mesin e tyre është edhe kryeterroristi, Milan Radoiçiq.
I njëjti, bashkë me 40 të tjerë, nuk arritën të kapeshin nga institucionet, për të cilën arsye, u kërkua që ndaj tyre të nis një gjykim në mungesë.