Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i ka ftuar përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ për në orën 11:30, për t’u dakorduar paraprakisht se si të shkohet tutje me konstituimin e Kuvendit
Ftesën për takim e ka konfirmuar për RTK-në, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka
Nuk dihen nëse partitë opozitare do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së sotme. Dehari kishte vepruar ngjashëm edhe të enjten. Vetëm se ai ftoi përfaqësuesit e partive në takim pasi nisi seanca.
Seanca konstituive sot është caktuar për të tretën herë. Seanca dështoi të martën dhe të enjten.
Vazhdon sot seanca konstituive, fillon në orën në 12:00
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot do të vazhdojë seanca konstituive, me fillim nga ora 12:00. Ky do të jetë vazhdimi i tretë i seancës konstituive, e cila dy herë radhazi dështoi të finalizohet pasi raporti i Komisionit për Verifikim mandatesh herën e parë s’ka marrë vota mjaftueshëm dhe herën e dytë s’është hedhur fare në votim.
Kryesues në këto seanca është deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Avni Dehari, i cili është më i vjetri, kurse bashkëkryesuese është deputetja e zgjedhur Sala Jashari nga PDK-ja si deputete me re.
Sekretari i partisë LVV-së që ka fituar numrin më të madh të ulëseve, Alim Rama i ka thënë RTK-së se me kërkesën për një takim konsultativ mes partive politike, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, pritet ta vazhdojë seancën e konstituimit të Kuvendit në tentativën e tretë, pas dy dështimeve.
“Tash kjo procedurë nuk është paraparë me rregulloren e Kuvendit, dhe ne mendojmë se duhet një konsultim me partitë e tjera, që të përcaktojmë rrugën përpara. Çdo mënyrë tjetër ka krijuar një pasiguri, sepse nuk jemi dakorduar as për raportin ekzistues, as për ngritjen e një komisioni tjetër verifikues të mandateve”, ka thënë ai.
Megjithatë, Rama ka deklaruar se mbeten të hapur për çdo diskutim dhe e quajti kërkesën për dorëheqje absurde.
Ftesën për takimin konsultativ, PDK, LDK dhe AAK e kanë quajtur jashtë mandatit të kryesuesit, duke iu referuar deputetit më të vjetër, Avni Dehari.
Të tria këto parti janë betonuar në qëndrimet e tyre se nuk mund të votohet raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve pa dhënë dorëheqje kryeministri dhe ministrat nga postet ekzekutive, sepse, sipas tyre, nuk mund të kesh një pozitë ekzekutive dhe njëkohësisht të betohesh si deputet.
Njohës i zhvillimeve politike, Albinot Maloku, tha se Lëvizja Vetëvendosje është e detyruar të gjejë një zgjidhje bazuar në rezultatin zgjedhor.
“Në të dy tentimet ka pasur mungesë të vullnetit nga të dyja palët, por përgjegjësia për zgjidhje mbetet mbi partinë që i ka fituar zgjedhjet, për të iniciuar procedurat për konstituimin e plotë të Kuvendit”, ka thënë Maloku.
Tri partitë, LDK, PDK dhe AAK, kundërshtuan që seanca të kthehet në pikën zero, duke kërkuar që të vazhdohej me votimin e raportit që verifikon mandatet e deputetëve, por Lëvizja Vetëvendosje mbajti qëndrimin se nuk mund të votohet një raport që ka dështuar të miratohet.
Emri i kandidatit për kryekuvendar, tha sekretari i Vetëvendosjes, dihet, por se nuk është momenti për ta thënë publikisht.