Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë, Jovan Surbatovic, ka thënë për B92 se e kishin paralajmëruar FIFA-n se nuk do të dalin në fushën e lojës nëse Shaqiri i ka të mbathura këpucët me Flamurin e Kosovës.“Ajo çka na irritoi më tepër ishte fakti që një futbollist i tyre, konkretisht Shaqiri kishte mbathur këpucë me Flamurin e të ashtuquajturit Shtetit të Kosovës. Ne reaguam, madje u thamë se nuk do të dalim në fushë nëse ai lojtar nuk i ndërron këpucët”, ka thënë Surbatovic për B92.net, përcjell Insporti.com
Megjithatë, kërkesa e tyre nuk hasi në mirëkuptim te zyrtarët e FIFA-s.“Nuk pati reagim nga FIFA, pastaj ne insistuam, shkruam disa e-maile, madje patëm edhe kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit e lartë të FIFA-s. Në fund, para fillimit të ndeshjes na thanë se kjo është e lejuar me rregullat e FIFA-s, pasi Kosova është e pranuar me të drejta të plota në FIFA dhe futbollistët kanë të drejtë të bartin simbole të shteteve anëtare të FIFA-s”, ka shtuar Surbatovic.Serbëve nuk u mbeti gjë tjetër përveç të dalin në fushë, ku më pas pësuan humbje, e cila edhe sot vazhdon të komentohet me të madhe.