Belgin Jashari, futbollist i ri i komunitetit ashkali, është sulmuar fizikisht për shkak të përkatësisë së tij etnike. Është sulmuar publikisht, pasi është sharë e fyer po në baza etnike. Një akt racist, i cili duhet të na bëjë të reflektojmë secili prej nesh.
Imer Mushkolaj
Ai është një fëmijë 15 vjeçar dhe i takon komunitetit ashkali. Quhet Belgin Jashari dhe është futbollist i klubit Fushë Kosova. Ëndërron të mbërrijë shumë në karrierë. Është personazh i dokumentarit “Ëndrra drejt lavdisë”, i realizuar nga gazetarja Valdete Osmani, por edhe i storieve të tjera, të publikuara në mediat kosovare.
Pak ditë më parë ai u sulmua fizikisht gjatë ndeshjes, nga një burrë, kur publiku hyri në fushë. Përveç se u sha dhe ofendua, ai u godit edhe me shqelm. Klubi reagoi, duke thënë se sulmi ishte i motivuar nga përkatësia etnike e Belginit. Sipas klubit, sulmuesi ka përdorur fjalor ofendues dhe gjuhë me përmbajtje të rëndë racore. Klubi deklaroi, po ashtu, se ky akt përbën shkelje të rëndë të etikës sportive, të të drejtave të njeriut dhe të vlerave që promovon futbolli, si sport bashkues.
Në një intervistë kohë më parë Belgini kishte rrëfyer se ëndërra e tij ishte realizuar kur ishte pranuar në klubin e futbollit. Por, shumë herë gjatë lojës nga kundërshtarët ishte ofenduar për shkak të përkatësisë etnike. “Atë moment kur ia nisën të më ofendojnë e kam pasë idenë të jap gol dhe e lashë. Pata probleme në kokë time dhe fillova të qaj. Erdhën shokët dhe trajnerët dhe filluan të më flasin, i harrova ofendimet”, kishte rrëfyer ai.
Aktualisht Belgini është golashënuesi më i mirë në ligën e 15-vjeçarëve dhe ekipi i tij është i pari në tabelë. Në një bisedë për Nacionale ai ka thënë se ëndrrat e tij janë t’i bëjë krenarë prindërit, si dhe të luajë për Napolin dhe Kombëtaren e Kosovës. Është lojtar me mjaft perspektivë në grupmoshën e tij. Por, ai e ka vetëm një “problem” – i takon njërit nga komunitetet e diskriminuara, të përçmuara. Nuk është i njëjtë me atë që e sulmoi. Dhe, fort mirë që nuk është si ai, si dikush të cilit i pengon suksesi i një fëmije të një komuniteti joshumicë.
* * *
Të fyhet, të shahet ndonjë pjesëtar i komuniteteve të margjinalizuara etnike në Kosovë nuk është lajm. Fatkeqësisht. Veprime të tilla ndaj tyre ndodhin çdo ditë. Edhe pse me kushtetutë e ligje ata janë të barabartë me komunitetet tjera, në praktikë është ndryshe. Këto komunitete vazhdojnë të jenë të diskriminuara, të nënçmuara, të bullizuara. Në radhë të parë nga shqiptarët shumicë.
Edhe pse ka përparim, problemet e këtyre komuniteteve janë të shumta. Përballja me racizmin është më i shprehuri. Mospërfshirja në arsimim, në punësim, mungesa e qasjes së duhur në shërbimet shëndetësore bën që ata të bëjnë jetë të vështirë. Ndërkaq, vazhdojnë të mbizotërojnë paragjykimet se pjesëtarët e këtyre komuniteteve nuk mund të jenë të aftë sa të tjerët, as të kenë profesione “dinjitoze”. Por, sot ka shumë sish që janë të shkolluar dhe janë pjesë e sferës publike e private në Kosovë. I tillë është edhe Belgini, i cili përveç që shpreh talentin e tij, lufton edhe racizmin në futboll.
Nuk është aspak e lehtë për një fëmijë, që në një shoqëri paragjykuese e raciste të provojë të çajë përpara, në kërkim të realizimit të ëndrrave. Nuk është e lehtë as për familjen e tij të shohë se si dikush ia sulmon fizikisht djalin, vetëm pse ka ngjyrë tjetër të lëkurës.
Sulmin ndaj tij dikush mund ta konsiderojë rast të izoluar, por nuk është i tillë. Sepse, njësoj si Belgini në fushën e futbollit fyhen e sulmohen të tjerë fëmijë e të rinj komunitetesh joshumicë në rrugë, shkollë e hapësira të tjera publike.
Solidariteti me Belginin dhe të tjerët si ai është më e pakta që duhet bërë, si një mesazh i qartë se në Kosovë të gjithë janë të barabartë dhe duhet të ndihen të tillë. Si një mesazh që përkundër një shoqërie të mbushur plot paragjykime e stereotipe, aktet si ky duhet të shërbejnë për reflektim se çfarë shoqërie, çfarë vlerash duam të ndërtojmë. Belgini është simbol i ndërtimit të një Kosove të re.