Kjo Agjenci, e cila është në kuadër të Ministrisë së udhëhequr nga Faton Peci, bëri një huqje të madhe me ilaçin që bleu. Në vend të ilaçit kundër rriqnave, AUV bleu ilaç kundër morrave.
Të enjten Periskopi raportoi për një skandal që ka ndodhur nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë(AUV) , ku kjo e fundit ka nënshkruar një kontratë për eleminimin e rriqrave, por që i ka kushtuar shtetit afro 1 milion euro dëm.
Pas këtij raportimi ka dal me një njoftim edhe AUV të cilët e konfirmojnë që kanë përdorur preparatin Deltanil.
Pavarësisht gjetjeve të auditimit i cili ka konstatuar se “preparati Deltanil nuk i plotëson kriteret për përdorim sipas kontratës së nënshkruar përkatësisht nenit 1”, nga AUV e kanë mohuar duke e thënë të kundërtën.
“Preparati i përdorur në këtë aktivitet ka qenë “Deltanil Pour-On”, nga prodhuesi Virbac, Francë. Ky është një produkt veterinar i regjistruar në Regjistrin e Produkteve Medicinale Veterinare dhe përdoret kryesisht për kontrollin e ektoparazitëve te kafshët në ferma. Preparati është përdorur për repelimin e kafshëve si masë parandaluese kundër EHKK-së”.
“Substanca aktive e këtij preparati është Deltamethrin, e cila ka veprim insekticid dhe akaricid, duke ndikuar në parandalimin dhe largimin e parazitëve të jashtëm si rriqrat, mizat dhe morrat te kafshët shtëpiake: gjedhët, delet dhe dhitë (dythundrakët), dhe në raste të veçanta, edhe te kuajt (njëthundrakët). Preparati i përdorur ka ofruar siguri, cilësi dhe efikasitet të lartë, ndërsa karenca e tij pas përdorimit është në përputhje me standardet e kërkuara për substancat aktive dhe limitet maksimale të lejuara në produktet me prejardhje shtazore”, thuhet në njoftim e AUV.