Së pari, bëhet fjalë për një të mitur, B.J, i cili është një i ri që synon të zhvillohet si futbollist, jo të mbajë mbi supe barrën e ndjeshmërisë shoqërore e etnike. Ekspozimi publik i emrit të tij dhe përkatësisë së tij etnike, është një ndërhyrje e panevojshme në hapësirën personale e profesionale të një të riu që sapo ka nisur rrugën e tij.
Së dyti, në shoqërinë kosovare vetë termi “magjup” ka një përdorim kompleks, por edhe kontradiktor. Në një pjesë të madhe të shoqërisë, kjo fjalë përdoret si formë fyese për të nënçmuar dikë, shpesh në mënyrë raciste ndaj komunitetit rom. Por në të njëjtën kohë, përdoret edhe në mënyrë naive apo “përkëdhelëse”, sidomos ndaj vajzave me pamje zeshkane, pa vetëdije për ngarkesën diskriminuese që mbart. Ky banalizim tregon mungesë të thellë edukimi kulturor dhe etnik, e jo domosdoshmërish urrejtje të vetëdijshme. B.J, “magjup” i ka thënë një qytetar, jo një grup qytetarësh. Ky qytetar nuk e përfaqëson askënd.
Rasti i B.J ilustron pikërisht këtë padije: ai është ashkali, jo rom. Pse të bëhet debat dhe lajm fjalosja ndërmjet dy personave. Në publik ç’ kas ka. Dhe kur një fyerje me adresim etnik bëhet ndaj një personi që nuk i takon atij grupi etnik, atëherë kemi të bëjmë jo vetëm me diskriminim, por me një formë të rëndë të padijes, që sjell përplasje të panevojshme dhe krijon tension aty ku duhet reflektim. Pse me u ndie “magjup” B.J kur ai është ashkali?
A do të thotë kjo se ofendimi nuk ka rëndësi? Aspak. Por reagimi nuk duhet të jetë ndëshkimi publik i individit, por edukimi i të gjithë komunitetit sportiv dhe shoqërisë më gjerë për ndjeshmërinë etnike, dallimet kulturore dhe respektin ndaj tjetrit. Mediat do të duhej të kontribuonin në këtë edukim, jo të krijonin histori që zmadhojnë një ngjarje, ndërkohë që e humbasin thelbin e saj. I bënë të famshme “kopaqkat e magjupit” nën intensitetin e euforisë duke u “vajtuar” B.J si viktimë në vend që të lartësohej në një ditë suksesi si yll i Fushë Kosovës.
Në fund të ditës, B.J duhet të mbahet mend për talentin e tij në fushën e gjelbër, jo për një incident verbal që nuk ka pas as kontekst të qartë as adresim të drejtë. B.J duhet me tregu veten siç po e tregon brenda vijave të bardha, jo nëpër studiot televizive ku nuk është teren i tij. Aty e ka të humbur çdo ndeshje.
B.J, vazhdo me luajt top, mos u merr me media. Je qytetar i Kosovës së lirë ku ke mundësi me luajt top natën dhe ditën. Ti e din që “magjup” i thonë edhe shqiptarët shqiptarëve që janë zeshkan.
B.J, pasi që i përket shoqërisë kosovare, duhet ta dish pak historinë e bashkëjetesës në Kosovë, që anëtarët e komunitetit tënd dhe komunitetit rom, bashkëmoshatarët e mi në periudhën 1989 – 1999 kanë luajt bashkë me bashkëmoshatarët e komunitetit serb “shkiet” nëpër palestra dhe stadiume në tërë Kosovën. Ju krejt komunitetet bashkë, paraardhësit e tu, në atë kohë keni pas bërë 3 %, aq sa bëni edhe sot. Ndërsa ne, shqiptarët, që bënim 97 %, afërisht kaq edhe sot, kemi pas luajt top nëpër ara dhe rrugë. Qe qysh ka ndryshu koha. Në Kosovën e lirë por, me mbi 1000 probleme bazike, ti dhe shumë si ti trajtoheni veçantë, madje keni të drejta dhe liri kushtetuese të veçanta. E qysh u bë B.J, ju edhe në atë sistem dhe në Kosovën e lirë me pas mirë? Pra, gëzoju lirisë që shqiptarët e Kosovën e kanë paguar shumë shtrenjtë, mos u anko shumë. Ti, je i privilegjuar i shoqërisë kosovare, sepse, Ahtisari, me kushtetutën aktuale të ka krijuar status të veçantë. Mos u hatëro kaq shumë që një shikues euforik të paska thënë “magjup”. Hiqu gazetarëve. Në Kosovë nuk ka racizëm. Nuk ka pas as kur na kanë thënë “shiptari”. Kur luan top dije që të shajnë, ofendojnë, nga pak edhe të sulmojnë sepse e tillë është veprimtaria sportive gjithandej botës. E kanë sulmuar dhe sharë Maradonën, Vokrrin, Mesin, Ronaldon, edhe ty të vjen rendi. B.J i ri je dhe shumë mirë që je i ri dhe i ke gjasat me u bë yll i topit. Nuk është e lehtë me arrite në top. Edhe Yamal-in ja kanë nisë me sha nga pak. Ai po u përgjigjet në fushë. Hulumto pak për Myrto Ozunin në Shqipëri. Çka ke ti më shumë se Myrto Ozuni. Luaj top dhe mbaje kokën ulur dhe këmbët në tokë dhe një ditë do të duartrokasin nën nofkën sa i mirë “magjupi”.
Kjo famë nuk të duhet. Përkundrazi të dëmton. Ty të duhet arritje konkrete. Ty të duhet fama prej futbollisti ku flitet për ty, për talentin tënd, jo ku flitet për prejardhjen tënde etnike dhe të jepet një lloj mbështetje nga mëshira dhe keqardhja. Kjo është vetëm e momentit.
Shikuesit brohorasin, ndonjëherë edhe shajnë e ofendojnën, por, ti B.J luaj top dhe shëno gola. Ty të duhet fama reale, jo fama e “kopaqkave të magjupit”.
B.J, të uroj shumë suksese në karrierën amatore. Shpresoj shumë që një ditë të bëhesh lojtar profesionist dhe kyç i ekipit: Përfaqësuesja e Kosovës në futboll.