Një moment dramatik gjatë ndeshjes së djeshme mes Gjilanit dhe Malishevës është shndërruar në një dëshmi të vërtetë humanizmi dhe solidariteti në futbollin kosovar shkruan Radio Star.
Futbollisti i Gjilanit, Oltion Bilalli, pësoi një lëndim të rëndë pas një përplasjeje të fortë me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli, duke rënë në gjendje të rrezikshme për jetën.
Në ato çaste kritike, tre figura dolën në pah si heronj të vërtetë: mjekët e skuadrës së Gjilanit, Arben Bislimi dhe Argjil Shkodra, si dhe Kushtrim Syla, i cili hyri me nxitim nga tribuna për të dhënë ndihmën e parë.
Me ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionale, ata arritën të stabilizojnë gjendjen e Bilallit, duke i shpëtuar jetën në një situatë ku çdo sekondë ishte jetike.
Nuk mungoi as ndihma e ekipit mjekësor të Malishevës, të cilët bashkëpunuan me stafin e Gjilanit në fushë, duke treguar një gjest të madh sportiv dhe njerëzor që meriton respekt të veçantë.
Ky moment, më shumë se një ngjarje sportive, ishte një dëshmi se jeta është mbi gjithçka – dhe se në fushë, përtej fanellave e rivalitetit, ka vend për shpirt, guxim dhe humanitet.
Oltion Bilalli vazhdon të trajtohet në gjendje intensive në Prishtinë, ndërsa zemrat e gjithë komunitetit sportiv rrahin fort për shërimin e tij.
Një lojtar me zemër të madhe, i rrethuar nga njerëz me zemër edhe më të madhe./radiostargjilan/