Në mes të gjelbërimit, në qendër të qytetit, në një ambient të rregulluar bukur, mirëpriteshin prindërit që të shihnin fëmijët e tyre në përfundimin e shkollës së mesme.
Me fytyra të buzëqeshura e me emocion këta prindër kishin sakrifikuar çdo gjë në mënyrë që më të dashurit e tyre të arrinin në këtë ditë, ku tani do të zgjedhnin të ardhmen e tyre.
Të veshur me uniforma e me buzëqeshje në fytyrë maturantët parakaluan në tapetin e kuq për të zënë vendet e tyre.
Ceremonia filloi më himnin kombëtar dhe më pas himnin shtetëror nga Orkestra frymore e Kamenicës.
Në fjalimin e tij Drejtori Afrim Dervishi kujtoi një moment që kur ishte në moshën e tyre dhe ishte pyetur nga mësimdhënësit, ai kishte harruar pyetjen që ia kishin bërë, e pikërisht edhe në këtë ceremoni theksoi se nuk kishte ardhur me një fjalim të përgatitur pasi që ishin emocionet ato që po e udhëheqnin.
“Sot nuk kam shkruar një fjalim për ta lexuar, thash se do të flas vetë, dhe madje e kam porositur kryetarin që kur ta shoh që po e zgjas me fjalim të filloj të duartrokas, atëherë e di që jam duke e tepruar dhe do të ndalem. E falenderoj shumë Kryetarin Rahimaj sepse me përkrahjen e tij kemi ardhur deri këtu. Andaj jam shumë i lumtur për ju, dhe ju uroj për këtë ditë duke dashur më të mirën për ardhmen tuaj. Dua që të ndjekni ëndrrat e dëshirat që keni, por vetëm me punë e sakrificë sepse kështu mund të jeni të sukseshëm”, ka thënë ai.
Edhe Kryetari Kadri Rahimaj u shpreh tejet i lumtur që i gjithë ky organizim është bërë në mënyrën më të mirë për maturantët. Ai theksoi se nuk është vetëm një përfundim i një etape arsimore, por një hap i ri drejt ëndrrave, sfidave dhe mundësive të panumërta.
“Ju sot keni në duar çelësin e së ardhmes suaj. Pas shumë netëve me libra, përpjekjeve, sakrificave dhe momenteve të bukura që i keni ndarë me shokët e klasës, jeni gati të nisni një kapitull të ri. Shumë prej jush do të vazhdojnë rrugëtimin në universitete, të tjerë do t’i bashkohen tregut të punës apo do të ndërmarrin sfida të tjera jetësore. Por çfarëdo rruge që të zgjidhni, dijeni se përkushtimi, ndershmëria dhe dashuria për dijen janë gjithmonë udhërrëfyesit më të mirë. Etapat e reja mund të jenë edhe të vështira, por asesi nuk duhet të ju frikësojnë. Një fillim i ri është mundësi për të mësuar, është rrugë për krijim idesh, është qëllim për të kontribuar për vendin e për të arritur ëndrrat”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ndër të tjera ai tha se komuna ka bërë rregullimin e infrastrukturës shkollore ku në disa pjesë po punohet ende.
“Jemi kujdesur që kabinetet tuaja të jenë të pajisura siç duhet në mënyrë që ju të prekni mësimet e zëna, si dhe kemi krijuar pakon e veçantë “Matura” përfitues të së cilës janë shumë prej jush. Nuk kemi lënë anash as fokusin në ngritjen profesionale të kolektivit arsimor. Kjo ka treguar edhe rezultatet e para, duke pasur raste nxënësish të cilën kanë korrur suksese duke renditur Kamenicën në vendet e para si në gara regjionale e republikane. Si kryetar i Komunës së Kamenicës, dua t’ju siguroj se jemi gjithmonë pranë jush. Ju jeni një nga gjeneratat që do të formësojë të ardhmen e këtij vendi, me ide të reja, me guxim dhe me përkushtim për ta bërë Kamenicën si fillim e më pas edhe vendin, një vend edhe më të mirë për të jetuar. Andaj në emër të Komunës së Kamenicës, ju uroj sukses në çdo hap të jetës. Le të jetë kjo ditë fillimi i shumë arritjeve të tjera. Urime diplomimi dhe rrugëtim të mbarë”, ka përfunduar fjalimin e tij Kryetari Rahimaj.
Në këtë ceremoni nuk munguan as fjalimet e disa maturantëve si Erion Morina, Alesia Kastrati e Vedina Hyseni, të cilët falënderuan Kryetarin Rahimaj, Drejtorin Dervishi, kujdestarët e mësimdhënësit e tyre për të gjitha gjërat që kanë bërë për maturantët.
Për maturantët u bë edhe ndarja e disa shpërblimeve në bazë të një loje. Komuna ndau për ta bursa, trajnime falas në Parkun Teknologjik, libra e maica .
Ceremonia u mbyll me hedhjen e kapelave nga maturantët, të cilët i pret një rrugëtim sa i gjatë por edhe sfidues për të ardhmen e tyre.