Një fotografi e publikuar gjatë fundjavës, ku shihen së bashku Lutfi Haziri dhe Arbër Ismajli, ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe opinionin publik në Gjilan. Dy prej figurave më me ndikim në politikën lokale dhe kombëtare janë parë në një ambient të qetë, në një atmosferë miqësore, të buzëqeshur dhe dukshëm në harmoni.
Ajo që e ka bërë edhe më të komentuar këtë imazh është përshkrimi i tij i shkurtër, por me nuanca të qarta: “Vikend të mirë #bashkeiadalim”, një fjali që shumëkush nuk po e sheh si një përshëndetje të zakonshme, por si një mesazh me prapavijë politike.
Sinjal për një bashkëpunim të ri?
Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në skenën politike të Gjilanit dhe proceset e vazhdueshme të konsolidimit institucional në nivel lokal dhe qendror, ky takim po interpretohet nga disa si paralajmërim për një ripozicionim politik të dyshes Haziri-Ismajli. Një ribashkim i mundshëm i tyre mund të shënojë jo vetëm një koordinim për zgjedhjet e ardhshme, por edhe një platformë të re bashkëpunimi për të ardhmen e Gjilanit.
Lutfi Haziri, një prej figurave më të spikatura të LDK-së, dhe Arbër Ismajli, ish-kryetar i komunës nga radhët e AAK-së, nuk janë parë shpesh bashkë në publik në këtë formë. Prandaj, postimi ka tërhequr vëmendje të veçantë dhe ka hapur një sërë interpretimesh mbi qëllimin dhe mesazhin që mund të qëndrojë pas tij./Radio Star/