Gjilan, 25 maj 2025 — Arbër Ismajli ka konfirmuar zyrtarisht hyrjen në garën për të udhëhequr Komunën e Gjilanit, duke shpallur kandidaturën e tij për kryetar. Me një përvojë të konsoliduar në institucionet lokale, ai synon t’i japë qytetit një drejtim të ri dhe më të afërt me qytetarët.
Radio Star ka mësuar nga burime brenda LDK-së se kandidatura e Arbër Ismajlit tashmë është vendosur dhe zyrtarizuar nga strukturat e brendshme të partisë. Vendimi është marrë pas konsultimeve të gjera dhe vlerësimeve të brendshme që kanë nxjerrë Ismajlin si një prej figurave më të besueshme për të udhëhequr Gjilanin në mandatin e ardhshëm.
I njohur për angazhimin e tij në udhëheqjen komunale, Ismajli ka shërbyer si nënkryetar i komunës, ku ka fituar besimin e shumë gjilanasve, veçanërisht gjatë menaxhimit të krizës së pandemisë COVID-19. Gjatë asaj periudhe, ai udhëhoqi Shtabin Emergjent, duke koordinuar me sukses masat dhe ndihmën për qytetarët në një nga sfidat më të mëdha për komunitetin.
Duke u bazuar në këtë përvojë, Ismajli synon të ndërtojë një administratë funksionale, transparente dhe të orientuar kah qytetari, me theks në efikasitetin institucional dhe përfshirjen e komunitetit në vendimmarrje.
Ismajli tashmë ka filluar takimet në terren me qytetarë dhe përfaqësues lokalë, për të dëgjuar nga afër prioritetet dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen e Gjilanit./Radio Star/