Deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherit anëtare të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Lirije Kajtazi, Luljeta Veselaj Gutaj dhe Mirjeta Kalludra, kanë vizituar sot Gjilanin, ku janë pritur nga nënkryetari, Arbër Ismajli, i cili shoqërohej nga kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini dhe bashkëpunëtorët.
Deputetet e Kuvendit kanë parë nga afër se sa po zbatohet ligji për mbrojtje nga diskriminimi dhe ligji për barazi gjinore, duke adresuar pyetje të rreth buxhetimit gjinor, fuqizimin ekonomik, e me theks të veçantë edhe për trajtimin e personave me nevoja të veçanta.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, ka falënderuar deputetet e Kuvendit për vizitën, ndërkaq ka theksuar faktin se falë vullnetit të kryetarit Haziri, Gjilani qëndron dukshëm më mirë në aspektin e emërimeve të larta, duke u besuar grave pozita të rëndësishme vendimmarrëse.
Gjithashtu, Ismajli ka informuar deputetet se Komuna e Gjilanit i mbështetë me të gjitha kapacitetet organizatat joqeveritare, të cilat i trajtojnë personat me nevoja të veçanta dhe nënat pa përkujdesje.
Nga ana e tyre, deputetet e Kuvendit të Republikës, Lirije Kajtazi, Luljeta Veselaj Gutaj dhe Mirjeta Kalludra, kanë falënderuar përfaqsuesit e Komunës së Gjilanit për pritjen dhe gatishmërinë për t’I përgjigjur për të gjitha interesimet e tyre sa i përket zbatimin të ligjit për mbrojtje nga diskriminimi dhe ligjit për barazi gjinore.