Trajnerët e njohur kosovarë, Afrim Tovërlani e Bylbyl Sokoli, për Insporti.com kanë komentuar fitoren e Dritës në rundin preliminar të fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve.
Drita mposhti skuadrën e Santa Colomas me rezultat 2-0 në ndeshjen gjysmëfinale të rundit preliminar, për të siguruar finalen ku do të ndeshet me fituesin e takimit tjetër gjysmëfinal, La Fiorita Montegiardino – Lincoln Red Imps FC.
Drita në rast fitore edhe në finalen e këtij rundi preliminar, do të përballet me gjigantin suedez Malmo në rundin tjetër.
Sipas Tovërlanit, Drita do të ketë punë të vështirë ndaj Malmos në rast se triumfon edhe në finale, por se “kurrë nuk duhet të thuhet kurrë”.
“Kundërshtarin e radhës nuk e di se me kë mund të përballet dhe nuk mund të komentoj, por mendoj se e meritoi fitoren në këtë ndeshje”, tha Tovërlani.
Ai tha se nuk është se pati diçka gjatë 90 minutave, por në vazhdime Drita e meritoi fitoren.
“Sa i përket ndeshjes me Malmon, do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, por kurrë nuk duhet të themi kurrë”, theksoi Tovërlani. “Si gjithmonë, ne do të mbështesim skuadrat kosovare në këto gara”, tha ai.
Kurse, Bylbyl Sokoli u shpreh optimist edhe për ndeshjen me Malmon, ku potencoi se edhe me Malmon Drita mund t’ia zbardh fytyrën Kosovës.
“Po, mendoj se Drita ka ekip shumë të mirë. Jam shumë i lumtur që po shoh rezultat të mirë. Më vjen mirë sepse jam i sigurt se edhe me Malmon do të dëshmohet se në Kosovë luhet futboll cilësor”, tha Sokoli për Insportin.
“Drita duhet ta kalojë këtë rund. Unë besoj se nuk është se s’mundet të përballet dhe të jetë kundërshtar i denjë edhe për Malmon”, tha ai.
“Natyrisht Malmo është ekip shumë cilësor e kam parë çfarë ekipi ka, por mendoj se këtë vit nuk qëndron edhe mirë dhe pikërisht për këtë Drita ka gjasa Reale”.
“Besoj se deri te Malmo do të ketë rritje të formës dhe shpresoj që para se gjithash, do të ketë prezantim dijnitoz”.
“Drita do ta kalojë rundin sepse kundërshtarët janë të një niveli më të ulët, mendoj se nuk duhet me pas problem në këtë rund”, theksoi ai mes tjerash