Kontributi i bizneseve në rritjen ekonomike, punësim dhe buxhet publik është i pakontestueshëm, politikat qeveritare shpesh rezultojnë më shumë si pengesë sesa si partneritet zhvillimor.
Në çdo ekonomi funksionale, bizneset veçanërisht ato të vogla dhe të mesme përbëjnë shtyllën kurrizore të zhvillimit. Në Kosovë, megjithatë, roli i tyre jetik shpesh injorohet nga institucionet shtetërore. Ndërsa kontributi i bizneseve në rritjen ekonomike, punësim dhe buxhet publik është i pakontestueshëm, politikat qeveritare shpesh rezultojnë më shumë si pengesë sesa si partneritet zhvillimor.
Hyrje
Një ekonomi moderne dhe e qëndrueshme, sektori privat dhe veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME-të) luajnë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe mbushjen e buxhetit të shtetit. Në Kosovë, pavarësisht këtij kontributi të madh, vlerësimi dhe përkrahja institucionale mbesin të pamjaftueshme.
Po japim një shpjegim sado pak logjik, sepse çështja e shpjegimit në ndikimin e biznesit në ekonominë e një vendi, rrjedhimisht mbarëvajtjen e një shteti normal duke përfshirë të gjitha resorët e saj, duke nisur nga pagesat për nëpunësit dhe shërbyesit publik, duket se vetëm se po koklavitet duke u munduar profesionistët të shpjegojnë në detaje këtë fenomen.
Sa më shumë orvatet një profesionist ti shpjegon masës mbi çështjet ekonomike të një vendi si: GDP-në, hyrjet në buxhet, ndarja e buxhetit, rritja ekonomike, ulja e inflacionit, remitencat, rritja e çmimeve, oferta kërkesa, rënia e fuqisë blerëse, mungesa e fuqisë punëtore, migrimi qytetar etj., aq më shumë krijohet amulli për shkakun e vetëm se jo të gjithë arrijnë ta kuptojnë ndikimin e biznesit në zhvillimin e shtetit.
Prandaj, ndodh shpesh që qeveria të shtrembëron faktet dhe realitetin për konsum politik, duke bërë kështu që masa në mungesë informacioni dhe dije të pranon fjalët e qeverisë si të mirëqena.
SME-të (NVM) – Motori i Ekonomisë
Sipas të dhënave zyrtare, Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME) përbëjnë 99.9% të bizneseve aktive në Kosovë, duke gjeneruar më shumë se 80% të vendeve të punës dhe kontribuar me rreth 81% të vlerës së shtuar në ekonomi vjen nga sektori privat.
Këto biznese janë burimi kryesor i të ardhurave për buxhetin shtetëror përmes:
Tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH)
Tatimeve mbi të ardhurat personale dhe fitimin
Kontributeve në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore
Tarifave doganore dhe akcizave
Pra, ato kontribuojnë drejtpërdrejt në GDP, ofrojnë shërbime dhe mallra për konsumatorët, dhe gjenerojnë të ardhura në formë të tatimeve e kontributeve që mbushin buxhetin e shtetit.
Kush e mbush buxhetin e shtetit?
Sipas të dhënave të ATK-së dhe Doganës së Kosovës, mbi 70% e të hyrave buxhetore vijnë nga tatimet dhe kontributet që derdhen nga bizneset. Përkundër kësaj, politikat fiskale dhe ambienti rregullativ nuk janë gjithmonë në favor të zhvillimit të tyre. Qasja në financa mbetet sfidë, procedurat burokratike janë të ngadalta dhe mungon stimulimi për inovacion dhe digjitalizim.
Treguesit makroekonomikë dhe varësia nga bizneset
Rritja reale e GDP-së në vitin 2024 ishte 4.4%, dhe pritet të jetë rreth 3.8% në vitin 2025.
Konsumi privat përbën afërsisht 70% të PBB-së, duke reflektuar fuqinë e sektorit privat në nxitjen e ekonomisë.
Importet kanë ndikim disproporcional në GDP: një rritje 1% në importe çon në +16.9% në rritjen e PBB-së.
Eksportet janë të ulëta – vetëm +1.9% ndikim për çdo 1% rritje, duke reflektuar strukturën e dobët të sektorit prodhues.
Politikat qeveritare që pengojnë zhvillimin ekonomik
Rritja ekstreme e çmimit të energjisë
Çmimi i energjisë elektrike për bizneset është rritur deri në 250% brenda dy viteve për bizneset, duke goditur rëndë sektorin e prodhimit dhe shërbimeve.
Inflacioni dhe presioni mbi konsumatorin
Rritja e kostove të energjisë, qirave dhe transportit ka shkaktuar rritje zinxhirore të çmimeve, duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe kërkesën në treg.
Mungesa e fuqisë punëtore dhe largimi i të rinjve
Kosova përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore të kualifikuar, si pasojë e emigrimit masiv dhe mungesës së arsimit profesional të orientuar drejt tregut të punës.
Mungesa e strategjisë industriale dhe teknologjike
Qeveria nuk ka ndërtuar një politikë të qartë për zhvillimin e sektorëve si teknologjia, prodhimi apo agrobiznesi. Investimet në infrastrukturë industriale janë minimale.
Konkurrenca e padrejtë nga ekonomia informale
Bizneset formale ballafaqohen me tatime dhe kontrolle, ndërsa ekonomia informale operon pa pengesa, duke shkaktuar konkurrencë të padrejtë dhe humbje në buxhet.
Çfarë po bën qeveria në dëm të bizneseve?
Në vend se të përkrahen, shumë biznese përballen me rritje të kostove. Rritja e çmimit të energjisë elektrike mbi 250% në vitet e fundit ka goditur rëndë sektorin privat. Kostoja e lartë e prodhimit dhe operimit, mungesa e fuqisë punëtore, si dhe inflacioni i qëndrueshëm, migrimi i qytetarëve duke mos parë në vend asnjë zgjidhje për një jetë normale, ndëshkimi i bizneseve, gjobat kanë reduktuar konkurrueshmërinë e tyre.
Çfarë duhet të bëjë Qeveria?
Të njohë publikisht dhe me politika konkrete rolin e SME-ve si themeli i ekonomisë.
Të konsultojë komunitetin e biznesit në çdo reformë ligjore, tatimore apo administrative.
Të ndërtojë programe reale mbështetëse për SME-të, përfshirë:
Qasje më të lehtë në financim
Trajnime profesionale dhe teknike
Lehtësira fiskale për fillestarët dhe eksportuesit
Të ulë kostot e operimit përmes investimeve në energji, teknologji dhe logjistikë.
Të krijoj ekipe profesionale në kabinetet përkatëse që merren me biznes dhe ekonomi
Të luftojë ekonominë informale jo përmes ndëshkimeve, por përmes edukimit dhe formalizmit.
Përfundim
Qeveria e Kosovës duhet të njohë dhe të vlerësojë realisht kontributin e bizneseve në zhvillimin ekonomik. Politikat e favorshme për SME-të, lehtësimi i barrës fiskale, investimi në kapital njerëzor dhe infrastrukturë, janë të domosdoshme për një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese. Pa mbështetjen e duhur për bizneset, zhvillimi ekonomik nuk mund të jetë gjithëpërfshirës as i qëndrueshëm.
Prandaj, qeveria e Kosovës duhet të kuptojë se pa një sektor privat të zhvilluar nuk ka as buxhet, as rritje ekonomike, as mirëqenie për qytetarët. Politikat që godasin drejtpërdrejt biznesin nuk janë thjesht çështje ekonomike ato janë çështje të së ardhmes së shtetit.
Koha është që të kalohet nga një qeverisje deklarative në një partneritet të vërtetë me sektorin privat.