Në diskursin publik dhe fushatat sensibilizuese shëndetësore në Kosovë, kanceri i gjirit është shpesh në qendër të vëmendjes, me të drejtë. Por, e vërteta e hidhur është se shumë më tepër gra në vendin tonë vdesin nga një tjetër “vrasës i heshtur”: infarkti akut i miokardit, apo sulmi në zemër.
Statistikat klinike tregojnë një disbalancë serioze në trajtimin, diagnostikimin dhe kujdesin e grave me sëmundje kardiovaskulare, veçanërisht pas menopauzës, ku rreziku i vdekshmërisë rritet ndjeshëm.
Të dhënat tregojnë se 35% e grave vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa vetëm 18% nga kanceri i të gjitha llojeve, përfshirë kancerin e gjirit. Në rastin specifik të infarktit akut të miokardit, vdekshmëria te gratë arrin në 15.9%, krahasuar me 8.3% te burrat.
Përkundër avancimeve në fushën e onkologjisë dhe ndërgjegjësimit të madh për kancerin e gjirit, sëmundjet e zemrës mbeten shkaktari kryesor i vdekjes te gratë – një realitet i hidhur që shpesh mbetet në hije.
Në një shoqëri ku sensibilizimi shëndetësor ende has në barriera kulturore dhe sistemike, ky hendek në kujdesin mjekësor është më shumë sesa një problem klinik – është një alarm publik.
Vrasësi i padukshëm në hijen e kancerit
Kardiologu i njohur, Prof. Dr. Gani Bajraktari, thotë se ndër vite është përhapur një mit i rrezikshëm: se gratë nuk preken nga sëmundjet vaskulare.
“Ka qenë një mit – jo vetëm në vendet e pazhvilluara, por edhe në ato në zhvillim – që gratë sëmuren më pak ose fare nga sëmundjet kardiovaskulare,” thotë ai. “Por në realitet, pas menopauzës, kur mbrojtja hormonale bie, shifrat e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë rriten ndjeshëm për gratë.”
Bajraktari thekson se në kohën kur bota bën fushata të mëdha për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe të mitrës – për të cilat shifrat e vdekjeve janë më të ulëta – sëmundjet kardiovaskulare po lihen nën hije. “Në botë, 35% e grave vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa vetëm 18% nga të gjitha llojet e kancerit”, thotë ai, duke shtuar se kjo diferencë tragjike duhet të alarmojë politikëbërësit dhe komunitetin mjekësor në Kosovë.
Një faktor kyç që ndikon në këtë vdekshmëri të lartë është sjellja ndaj simptomave.
“Gratë kërkojnë ndihmë më vonë, janë më të prira ta neglizhojnë dhimbjen në gjoks dhe simptomat e infarktit akut të miokardit,” paralajmëron Bajraktari. “Ato nuk e lidhin menjëherë me problemet e zemrës dhe shpesh nuk i nënshtrohen analizave të nevojshme diagnostikuese.”
Statistika shqetësuese
Sipas të dhënave të mbledhura nga Klinika e Kardiologjisë në QKUK nga viti 2014 deri në vitin 2020, vetëm 59% e grave që kishin pësuar infarkt u nënshtrohen procedurës së koronarografisë, krahasuar me 70% të burrave.
Edhe më shqetësuese është se vetëm 44% e grave u stentuan, përkundër 53% të burrave. “Vdekshmëria te gratë ka qenë 15.9%, ndërsa te burrat 8.3%. Kjo është një diferencë domethënëse dhe alarmante,” thekson Bajraktari.
Përtej zemrës: trupat e grave pas menopauzës preken gjithandej.
Për specialistët, problemi nuk ndalet vetëm te zemra. Dr. Jehona Ismaili-Kadriaj, specialiste e reumatologjisë, paralajmëron se pas menopauzës, gratë përballen edhe me osteoporozë – një sëmundje e heshtur që ndikon në shëndetin e kockave, por që lidhet edhe me sëmundjet vaskulare.
“Mungesa e estrogjenit aktivizon qelizat e dëmshme osteoklaste dhe frenon ato që ndërtojnë kockën – osteoblastet. Por ajo që është më shqetësuese është se osteoporoza lidhet edhe me aterosklerozën subklinike, duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës,” thotë ajo. Ndërkaq, sëmundjet inflamatore autoimune, si ato reumatike, përkeqësojnë më tej gjendjen, duke prekur zemrën, trurin dhe veshkat – organet jetike.
Menopauza: një kapitull i gjatë dhe shpesh i injoruar
Gjinekologu Dr. Berat Krasniqi shpjegon se menopauza është një fazë jetësore e gjatë – që mund të zgjasë 30-35 vite – por që shpesh lihet pas dore.
“Ka gra që, sapo hyjnë në menopauzë, mendojnë se nuk kanë më nevojë për kontrolle, sidomos gjinekologjike, dhe krijojnë një lloj ‘komfort zone’ të rrezikshme”, thotë ai.
Kjo periudhë, megjithatë, është vendimtare për shëndetin e përgjithshëm të gruas. Ndryshimet hormonale ndikojnë jo vetëm në sistemin riprodhues, por në tërë organizmin – përfshirë edhe sistemin kardiovaskular dhe kockor.
Nevojitet një kthesë sistematike në trajtim dhe edukim
Mesazhi që vjen nga profesionistët është i qartë: është koha që shëndeti i gruas të shihet në tërësi dhe jo vetëm në prizmin e kancerit të gjirit. Përderisa sensibilizimi për këtë sëmundje është i mirëseardhur, ai nuk duhet të jetë i vetmi fokus.
Shoqata e Kardiologjisë në Kosovë dhe organizatat ndërkombëtare po bëjnë përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për sëmundjet e zemrës te gratë, por ndryshimi duhet të fillojë edhe me edukimin individual, kontrollet e rregullta dhe një qasje më gjithëpërfshirëse nga sistemi shëndetësor.
Në fund të fundit, statistikat nuk gënjejnë – por mund të ndryshohen, nëse gratë trajtohen me seriozitetin që meritojnë./Nacionale/