Ish nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, tani kandidat për kryetar të Gjilanit, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes aktuale në qytet, duke kritikuar qeverisjen lokale për kaos urban, mungesë transparence dhe neglizhencë të thellë institucionale.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Ismajli e përshkruan situatën në Gjilan si “torturë të përditshme” për qytetarët, ku projektet pa plan dhe pa afat kanë kthyer rrugët në burim ndotjeje dhe pakënaqësie.
Ai paralajmëron se kjo gjendje jo vetëm që dëmton përditshmërinë e banorëve, por po përgatitet t’u paraqitet edhe mërgimtarëve që pritet të vijnë gjatë verës.
Statusi i plotë:
Gjilani po fundoset çdo ditë e më shumë në kaos dhe neglizhencë, ndërsa rrugët e hapura dhe pluhuri janë bërë pjesë e përditshmërisë së qytetarëve.
Janë nisur disa punë pa kokë e pa fund, vetëm për sy e faqe. Kaos urban, dëmtim i bizneseve dhe shëndet i rrezikuar nga ndotja ekstreme me pluhur.
Këto nuk janë projekte zhvillimi, por tortura të përditshme për qytetarët tanë. Asnjë afat nuk jepet nga qeverisja lokale dhe askush nuk jep llogari për këtë katrahurë.
Në këtë gjendje, po na zë edhe sezoni i mërgimtarëve. Siç duket, qeverisja lokale po dëshiron ta shpërfaq edhe para tyre këtë katrahurë dhe gjendje të mjerueshme të rrugëve në qytet. Kështu nuk ndërtohet një qytet, kështu vetëm shkatërrohet!
Mjaft më me eksperimentime mbi kurrizin e taksapaguesve të Gjilanit. Përgjegjësit të flasin me vepra, e jo me justifikime!