Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ky subjekt politik asnjëherë nuk ka thënë se Albulena Haxhiu është e papranueshme si kandidate për kryeparlamentare.
Haziri, në emisionin “ Info Nata” në Tëvë1 ka deklaruar se LDK-ja ka problem me mënyrën si po zhvillohet procesi i zgjedhjes, e jo me emrin e përveçëm.
Ai ka shtuar se Vetëvendosja ka të drejtë të propozojë kandidatin nga radhët e saj, por duhet të sigurohet që ai ose ajo të ketë shumicën e nevojshme.
“Asnjëherë LDK-ja nuk ka thënë se Albulena Haxhiu është e papranueshme. LDK-ja ka thënë se nuk ka problem me emrin e përveçëm, ne kemi problem me procesin. Është e drejtë e fituar që Vetëvendosja me e propozu kandidatin nga rradhët e partisë së tyre ose partnerëve të tyre, çfarëdo emri, por ata duhet gjithmonë të mendojnë a është emri i cili merr shumicë. Duhet me ia siguru shumicën se nuk është e mjaftueshme vetëm me e propozu dikënd se duhet me e propozu edhe me e zgjedh, e mes propozimit edhe zgjedhjes ka hyrë një det i tërë sepse nuk po arrijnë ta krijojnë shumicën. Edhe njëherë po e nënvizoj se LDK-ja nuk e ka problem emrin e përveçëm se mundet me u ndërru nesër ose pasnesër, por te LDK-ja ka qenë parimore që zgjedhja e kryetarit nuk është procedurale, është politike, është përfaqësuesi më i lartë i Kushtetutës edhe vendit tonë atëherë bëj marrëveshje me dikë krijo shumicë edhe zgjidhe kryetaren a kryetarin”, ka thënë Haziri.
Ndryshe, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, disa herë ka deklaruar se kjo parti nuk e mbështet kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës.