Deri më tani, vazhdimet e seancës nuk kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, për shkak të mungesës së votave të nevojshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili do të mundësonte votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Përpjekja më e fundit për konstituimin e Kuvendit dështoi sërish të martën, duke e thelluar më tej ngërçin institucional në vend.
Kryesuesi Glauk Dehari u bëri edhe një herë thirrje subjekteve parlamentare që nuk kanë propozuar ende përfaqësues për anëtarë të Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit — konkretisht PDK-së, LDK-së, Listës Serbe dhe koalicionit AAK-NISMA — që të përmbushin këtë obligim.
Sërish nuk pati propozime për përbërjen e komisionit.
Për formimin e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e mëparshme, votuan 51 deputetë; një ishte kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Ndërkohë, në përfundim të çdo seance, përfaqësuesit e partive politike vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për bllokimin e procesit institucional.