Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme e cila, përmes një vendimi të sotëm konfirmoi antikushtetueshmërinë e vendimeve të deputetëve të VV-së të cilët vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive në kundërshtim me ligjin.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, që konfirmon qartazi shkeljet e rënda kushtetuese dhe ligjore nga ana e deputetëve të cilët edhe pas certifikimit si deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë vijuar të ushtrojnë funksione ekzekutive, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë.
Gjykata Supreme ka konstatuar qartazi se ministrat e certifikuar si deputetë, në çdo nxerrje vendimi veprojnë në shkelje të rëndë ligjore, kanë uzurpuar dhe po ushtrojnë funksionet në mënyrën e paligjshme dhe arbitrare pas përfundimit të mandatit.” – thuhet në reagim mes tjerash.
Rreth vendimit:
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës aprovoi sot në tërësi padinë e Enternet Sh.p.k. (UIN 811557266) dhe Konsorciumit Service Global (UIN 602193427), duke shpallur të paligjshëm dhe duke shfuqizuar Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Me këtë vendim, Gjykata rrëzon një akt që, sipas gjykatës, është nxjerrë me tejkalim të kompetencave dhe në shkelje të rregullave kushtetuese dhe ligjore.
– Sipas nenit 28 dhe 29 të Ligjit nr. 08/L-117 për Qeverinë, Supremja arsyetoi se mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon automatikisht me zgjedhjen e tij si deputet.
Me këto gjetje, Gjykata ka konstatuar se Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025 është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të ndarjes së pushteteve, me ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative dhe me legjislacionin mbi organismin e Qeverisë. Për rrjedhojë, ai u shpall i paligjshëm dhe u shfuqizua në tërësi, duke i rikthyer të drejtën legjitime tatimpaguesve ekzistues për të vazhduar operimin me arkat dhe softuerët e fiskalizimit përmes modaliteteve të mëparshme.