Arbër Ismajli, kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, vizitoi nga afër procesin e korrje-shirjeve, duke u bashkuar me bujqit që me mund, përkushtim dhe dashuri për tokën po korrin frytet e një pune të gjatë.
Në këtë vizitë, Ismajli theksoi rëndësinë e mbështetjes reale për bujqësinë dhe vlerësoi kontributin jetik të bujqve në sigurinë ushqimore dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai u zotua për politika konkrete që forcojnë pozitën e fermerëve, qasjen në treg dhe respektin institucional që meritojnë.
Statusi i plotë:
Në këto fusha nuk dëgjohet zhurma e fjalëve të kota, por kumbon tingulli i punës së ndershme. Bashkë me njerëz që prej muajsh kanë qenë pranë tokës, në shi e diell, me shpresë dhe vendosmëri, që sot të korrin atë që dikur e mbollën me zemër. Ne nuk jemi vetëm dëshmitarë të kësaj pune. Por, jemi pjesë e saj. Krenar për çdo grusht që mbjell, për çdo kombajnë që lëviz, për çdo zemër që nuk lodhet së besuari në vlerën e prodhimit vendor.
Bujku është rrënja e sigurisë ushqimore. Ara është themeli i pavarësisë sonë. E korrja është kujtesa që toka nuk na tradhton kurrë, veçse, të kthen atë që i jep. Të nderojmë punën e bujkut, jo vetëm me fjalë, por me mbështetje, me politika të drejta, me hapësirë në treg dhe respekt në shoqëri.
Krenar për tokën tonë dhe shumë për njerëzit e çeliktë të saj. Kush punon tokën, ndërton themelet e një kombi të qëndrueshëm.