Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur dje një konferencë për media, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Letonia. Ajo ka folur lidhur me deklaratat e Presidentit amerikan, Donald Trump, se ndaloi një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, ngërçin institucional si dhe vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale.
Fillimisht ajo foli për takimet e zhvilluara me zyrtarë të lartë të administratës Trump, e më pas kaloi tek çështja kryesore, deklaratat e Presidentit të ShBA’së, Donald Trump.
Trump disa herë gjatë javëve të fundit ka deklaruar se ka parandaluar një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, duke i paralajmëruar se nëse shkojnë asaj rruge, s’do të mund të bëjnë tregti me ShBA’në. Këto deklarata, Osmani i konfirmoi përgjatë vizitës në Washington, por që u akuzua për manipulim të deklaratave.
Osmani dje në konferencë tha se në fund të muajit maj ka marrë informacione të reja lidhur me planet e Serbisë për përshkallëzim. Ajo bëri me dije se këto informata i kishte ndarë menjëherë me vendet aleate duke kërkuar mbështetje për të ndalur përshkallëzimin e planifikuar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka deklaruar Osmani.
Ajo iu kundërpërgjigj edhe të dërguarit të presidentit amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell, i cili e akuzoi për manipulim të fjalëve.
Osmani tha se deklaratat e Trump janë shumë të qarta dhe se ajo s’ka interpretuar asgjë e as nuk ka shtuar.
“Atë deklaratë mund ta dëgjoni vetë. S’kam nevojë as ta interpretojë, as të shtojë diçka shtesë. Thuhet brenda pak muajsh kemi arritur paqe. Pra, një deklaratë thotë brenda pak javësh, në një tjetër brenda pak muajsh, pastaj një deklaratë tjetër ku thuhet tri javët e fundit”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka shtuar se deklarata e saj ishte vlerësim për Trump dhe punën e tij.
“Unë kur jam përgjigjur në pyetje lidhur me këto deklarata shumë konkrete kam thënë se mënyra se si e kuptojmë ne, nuk kam interpretuar deklarata të Trump, por kam treguar si e kam kuptuar unë si Presidente. Ne e vlerësojmë rolin e Trump si paqebërës, si njëri që punon ditë e natë për paqe në botë. Tërë deklarata ime ka qenë në drejtim të vlerësimit pozitiv që e kemi për Presidentin Trump dhe udhëheqjen e tij”, ka thënë Osmani.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.
Më 25 qershor, Trump tha se “gjatë javëve të fundit, u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën, Serbinë. Mendoj se të premten do të kemi vizita nga Kongo dhe Ruanda”. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një konference për medianë samitin e NATO-s në Hagë.
Më 27 qershor, duke folur në Zyrën Ovale për përpjekjet e administratës së tij për të zgjidhur konflikte të mundshme, Trump tha se: “…në Serbi dhe Kosovë zgjidhëm një katastrofë të mundshme.”
Një ditë më vonë, më 28 qershor, Trump tha se “për vetëm disa muaj, kemi arritur paqe midis Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Iranit, si dhe midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës – dhe disa të tjerë gjithashtu”.
Më vonë, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.
Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.
Në pjesën tjetër të konferencës, Osmani foli edhe lidhur me ngërçin në Kuvendin e Kosovës, i cili qe 48 herë ka dështuar të Konstituohet.
Ajo ka thënë se nëse s’do të ketë një zgjidhje për bllokadën politike deri në këtë fundjavë, atëherë në fillim të javës së ardhshme do t’i drejtohet Kushtetueses për çështjen e afatit 30 ditor.
“Nëse gjatë vikendit s’ka marrëveshje me institucione të konstiotutuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se është e bindur që nëse s’respektohet afati 30 ditor, duhet të ketë pasoja juridike.
“Unë jam e bindur që nëse ky afat s’respektohet duhet të ketë pasoja juridike. A nënkupton kjo që secili Kuvend pas 26 korrikut është kundërshtues, a nënkupton kjo se një Kuvend jokushtetues s’mund të zgjedh as qeveri. Sepse nëse vazhdohet edhe pas 26 korrikut, atëherë për çfarë arsye është vendosur ai afat”, ka thënë Osmani.
Osmani u pyet edhe për vendimin e Gjykatës Supreme, e cila shfuqizoi Udhëzimin Administrativ për arkat fiskale.
Ajo tha se palët e pakënaqura mund t’i drejtohen Kushtetueses.
“Për Supremen palët e pakënaqura mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, kurse Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj për AAK’në ka thënë se nëse deputetët dëshirojnë ta ngrisin çështjet e papërputhshmërisë mes detyrës së deputetit dhe ministrit atëherë mund ta bëjnë me 40 nënshkrime. Pra është edhe kjo rrugë tjetër, sepse po flasim për një çështje kushtetuese. Tash unë e kam opinionin tim, por mos ta marr detyrën e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Osmani.