Një grup prindërish nga lagjja Dardania kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me procesin e regjistrimit të fëmijëve në çerdhen e lagjes. Ata thonë se fëmijët e tyre nuk janë pranuar në çerdhe, ndërsa sipas tyre, janë regjistruar fëmijë nga lagje të tjera.
Sipas prindërve, ata kanë dorëzuar ankesë pranë komisionit përkatës në lagjen Dardania, por përgjigjja që kanë marrë ka qenë negative. Duke kërkuar drejtësi dhe barazi në trajtim, ata kanë vazhduar me ankesat edhe në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA).
“Është e pakuptueshme që fëmijët tanë, të lindur dhe rritur në këtë lagje, të mos kenë vend në çerdhen që ndodhet këtu,” ka deklaruar njëri nga prindërit.
Prindërit kërkojnë transparencë në procesin e regjistrimit dhe i bëjnë apel institucioneve përkatëse që të shqyrtojnë nga afër rastin dhe të marrin masa konkrete për të sqaruar situatën.