Shkruan: Emrush T. Shkodra
Të shkosh deri në atë nivel sa të thuash që vendi është qeverisur nga bandat për vite të tëra dhe Kosova ishte shtet bandit, me të vërtetë kjo nuk do shumë koment. Por, disa detaje duhet me patjetër të shpjegohen. Cilin shtet të bandave sot e shfrytëzojnë ata që nuk ishin pjesë e bandave?
Pra, të gjitha institucionet që sot e pesë vite qeverisen, janë rezultat i atyre viteve që na qenkan qeverisur nga bandat?
Qe pak më gjerësisht!
Janë krijuar institucionet si: Kuvendi i Republikës, Kushtetuta e Republikës, Gjykata Kushtetuese, Gjykata Supreme, Qeveria me ministritë e saj – 15-16 ministri.
Zëvendësministrat, drejtorët e dikastereve, shefat e njësive, ndërmarrjet publike, sekretarët e ministrive.
Është krijuar po ashtu ushtria, me tërë dikasteret e saj. Janë shkolluar ushtarak nëpër vende të botës: ushtarë, kadetë, oficerë, kapitenë e deri gjeneralë!
Janë krijuar institucionet komunale: kuvendet komunale, drejtoritë përkatëse brenda komunave. Janë krijuar edhe ato sportelet që shkoni me nxjerrë një ekstrakt apo certifikatë të lindjes!
Janë krijuar edhe disa institucione ku ankohesh kur të bëhet padrejtësi, me aq sa ishte e munduar, por mundi nuk kishte munguar!
Është krijuar edhe policia. Me të gjitha segmentet që e bëjnë një shtet funksional: policia kufitare, policia e trafikut, mbrojtja e afërt, njësitë antikorrupsion, departamentet kundër spiunazhit, antidrogë, antiterror…
Është krijuar edhe ajo njësia speciale me të cilën mburrej e tërë Kosova.
A po e kujtoni cilën njësi?
Ajo njësia për të cilën vetë qeveria krenohej se ndali sulmin dhe agresionin serb kundrejt Republikës sonë!
Të gjitha ishin të gatshme. Me policë, me autoblinda, me armatim, dhe mbi të gjitha, ishte vullneti për ta mbrojtur Republikën si në ’98, 99-ën!
Ishin krijuar po ashtu institucione tepër të ndjeshme si:
AKI – Agjencia Kosovare për Inteligjencë, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, këto dy të fundit kishin për detyrë ta ngritnin dhe zhvillonin shtetin, dhe konsiderohen si arteria kryesore për ruajtjen dhe forcimin e tij!
Ishin dhe janë aorta kryesore për mbushjen e buxhetit, edhe aty ky sot ata që akuzojnë marrin pagat dhe paguhen mëditjet e tyre, pra rrugën i kishin trasuar bandat që këta të pasurohen.
Çfarë hipokrizie….
Ishin krijuar ambasada duke nisur nga hiçi. Hiç nuk kishte tokë, as njerëz të përgatitur, e as nuk ishte ideja si dhe çfarë formë duhet të prezantohet shteti në arenën ndërkombëtare përmes këtyre ambasadave.
Si përmbyllje: ishin krijuar të gjitha institucionet!
Ishte bërë punë edhe në ndërtesën e Qeverisë. Sepse dikush që është më i ri mundet mos me e kujtua, por disa të tjerë e mbajnë mend që ndërtesa ku është sot qeveria ishte e bombarduar nga NATO dhe ishte pothuajse një gërmadhë. Ishte sanuar, rinovuar dhe kishte hyrë qeveria në të.
Sot e asaj dite, qeveritë dhe kryeministrat ndërrohen, por ndërtesa mbetet aty!
Nuk ka pasur nevojë as tavolinat të ndërrohen për kaq vite. Nuk është ndryshuar asgjë.
Sa me fat dikush.
Të gjitha të gatshme i gjen, bile!
Edhe fotelet që sot i përdorin autoritetet nuk janë ndërruar dhe si rrjedhojë, gati e pothuajse pa asnjë kontribut ndaj këtij shteti, dikush veç ka shkuar dhe është ulur mbi ato kolltukë.
E dikush para tyre i kishin gjetur të shkatërruara, të demoluara, por, i kishin ndërtuar, i kishin rinovuar dhe i kishin bërë të gatshme për shfrytëzimin e tyre për të ushtruar autoritetin këta të ditës së sodit!?
Bile, gati më harrua!
Edhe pavarësia që ne po e festojmë më 17 shkurt, ishte ardhur si rezultat i BANDAVE politike e para politike?
Për të mos gabuar assesi!
Edhe ai tepihu i kuq që po pret dhe po përcjell personalitete të huaja e vendore, në atë ndërtesën e bombarduar nga NATO-ja që po shfrytëzohet nga qeveria, është i atyre bandave politike!
Duket që dikush akoma nuk e ka kaluar fazën e adoleshencës!/radiostargjilan