Shkruan: Avni Rudaku
Koncerti i këngëtarit Armend Rexhepagiqit në Prishtinë, në mes të korrikut 2025, riktheu debatin e përplasjet për elitat kulturore shqiptare në ish-Jugosllavi dhe pabarazitë e thella e të dikurshme strukturore fshat-qytet në atë periudhë, si dhe transformimin e qyteteve e kryeqytetit të Kosovës, pas luftës, pas vitit 1999 e këtej, me rritjen masive të migrimit të brendshëm ndërlokal/ndërkomunal, ndërqytetas dhe migrimit rural-urban dhe migrimit ditor të punëtorëve nga mbarë Kosova në Prishtinë. Prishtina u bë qyteti dhe komuna me tërheqjen më të madhe të qytetarëve nga komunat e qytetet e tjera të Kosovës, për të lindur nevoja edhe për një zgjerim të Fushë Kosovës, si zgjatim i Prishtinës, nga pamundësia edhe për të blerë banesa të shtrenjta në lagjet vjetra e të reja të Prishtinës.
Madje, Prishtina ka edhe migrantë ditorë, pasi nga shumë komuna të Kosovës që punojnë në Prishtinë, udhëtojnë çdo ditë për kthim të sërishëm pasdite vonë në shtëpitë e komunat e tyre prej nga vijnë, duke qëndruar vetëm brenda ditës në Prishtinë.
Si në Prishtinë, si në Gjilan, Gjakovë, Pejë etj., si në çdo komunë tjetër të madhe, vazhdon përplasja në përditshmëri, e kohështrirjes së vendbanimit në zonën urbane, kohën e ngulitjes në zonën e qytetit e kështu me radhë. P.sh., në Gjilan, veçanërisht brezi më i moshuar, pyesin nga je; a je nga Kamenica; a je moti në Gjilan; a je Gollak apo Karadak, a malësor apo i rrafshit etj. Madje, ka disa të Gjilanit që kanë paragjykime të habitshme për qytetarët me origjinë nga Lugina e Preshevës, apo edhe Kumanova.
Në zonat urbane, si në ish-Perandorinë Osmane, Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene e ish-Jugosllavi, për shkak të mundësive më të mëdha për arsimim, gjasat e banorëve shqiptarë të qyteteve janë rritur edhe për punësim në institucionet shtetërore, administratë publike etj. Këto shtresa janë integruar edhe më mirë me gjuhën e imponuar turke ose serbe. Janë integruar edhe më lehtë me muzikën multikulturore, turke, serbe e boshnjake, pasi që ka pasur edhe koncerte në zonat urbane, qoftë të këngëtarëve jugosllavë, serbë, kroatë, boshnjakë, sllovenë, maqedonas, por edhe me këngëtarë shqiptarë që kanë marrë pjesë në këto koncerte jugosllave, duke krijuar edhe disa dallime në mentalitet e preferenca politike, kulturore e muzikore për zhanrin e muzikës, artin e fqinjve sllavë etj. Nacionalizmi ka qenë më i shprehur në zonat rurale, edhe për shije e preferenca muzikore të rapsodisë, çiftelisë, këngëve patriotike etj., përveç edhe për shumë çështje të tjera të organizimit, mobilizimit e kryengritjes kundër regjimeve të huaja.
Për shkak të migrimit masiv lokal në Prishtinë, që nga paslufta e këtej, zgjerimit të kryeqytetit, rritjes së dendësisë së popullsisë, ardhjes së banorëve të rinj, ka shkaktuar te vendasit edhe rezistencë politike, kulturore e sociale ndaj të ardhurve nga zonat e tjera të Kosovës dhe zonat rurale, si bindja se, PDK-ja nuk mund të fitojë në Prishtinë, sepse bazën e ka në Drenicë, nacionalizëm, UÇK, fshat etj., ndonëse Uran Ismajli me rritjen e PDK-së në Prishtinë, tregoi se ka edhe paragjykime për prishtinasit nga vetë të tjerët jashtë Prishtinës. Rezistenca kulturore e sociale e prishtinasve, duke stigmatizuar klientët në disa bare të Prishtinës, bazuar vetëm në veshje ose kërkesën e pijeve të caktuara etj., gjithashtu ka nxitur gjithmonë polemika me të drejtë. Mirëpo, koncerti i Rexhepagiqit dukej një përmbushje shpirtërore e organizimit të një ngjarjeje kulturore, me më së shumti prishtinasë, duke u kritikuar veçmas mënyra e blerjes së biletave, me një sistem mjaft hermetik e të vështirë, pa qasje për çdo të interesuar për të blerë bileta.
Armendi, është simbol i jetës paralele në Kosovë, jo jugonostalgjizmit
Armend Rexhepagiqi, i takon më shumë perëndimit ose shuarjes së influencës jugosllave e kulturore dhe fillimit të jetës paralele në Kosovë, se sa jugonostalgjizmit.
Armendi rridhte nga një familje me sfond të pasur arsimor dhe kulturor, ku përveç babait akademik, këndonte edhe me motrën e tij Violetën, por fati i tij ishte që kishte filluar një karrierë në kohën më të keqe për shqiptarët në Kosovë, në pjesën e dytë të viteve të ’80-ta dhe lulëzimin e mbërriti në vitet e ’90-ta të shek. XX. Në linkun vijues, mund të gjeni disa nga këngët e Armendit bashkë me Aidën, në një emision të vitit 1988, në linkun: https://www.youtube.com/watch?v=UVgZ2weXnZo&list=RDUVgZ2weXnZo&start_radio=1
Armendi më shumë se i mbajtur në mend për elitën kulturore të Kosovës në ish-Jugosllavi, mbahet në mend për jetën paralele kulturore të Kosovës, veçmas në vitet e ’90-ta, kohën e videoklubeve, videokasetave, VHS-ve, largimit nga RTP dhe kthimin në produksione private si Labia etj. Aida Baraku, bashkëshortja e Armendit, njëherazi edhe partnerja e duetit të tij në këndim e tekst, ka filluar në vitin 1985, me Akordet e Kosovës, me grupin Rona, pastaj si soliste e në duet me Armendin në vitin 1988, por edhe e njohur më shumë, më vonë, si tekstshkruese për këngë të këngëtarëve të ndryshëm. Armendi me shkollë të ulët muzikore, me këngë për fëmijë në festivale, me motrën Violetën, u njoh së kënduari me grupin Vivien, pastaj në vitin 1986 në Akordet e Kosovës me këngën Teuta. Prej vitit 1992 me kasetën “Kalle-kalle”, me produksione private në sistem paralel të Kosovës, pa TVP-në.
Armendi me Aidën në Jugovizija 1990
Armendi nga disa që kanë kritika për jugonostalgji, ndoshta pavetëdijshëm bazohen edhe në pjesëmarrjen e Armendit e Aidës, më 3 mars të vitit 1990, 1 vit pas shfuqizimit të dhunshëm të autonomisë së Kosovës, kur shqiptarët filluan të bënin një shtet paralel, jetë paralele, emigrim masiv, mobilizim me rezistencë paqësore e të armatosur, morën pjesën në Jugovizija, një konkurs për këngën që do të përfaqësonte Jugosllavinë në Festivalin e Këngës në Eurovizion. Çifti zuri vendin e 6-të prej 16 pjesëmarrësve, në gjuhën shqipe, me këngën “Mami mami”, i cili u organizua në Zagreb të Kroacisë. (Këtu mund të dëgjohet e shikohet pjesëmarrja: https://www.youtube.com/watch?v=ZgYvk2tG41o&list=RDZgYvk2tG41o&start_radio=1
Ndoshta, gjykoj se i vetmi gabim publik i Armendit dhe Aidës, ka qenë pjesëmarrja në Jugovizija në vitin 1990, pasi pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, çdo mbetje, përkushtim, përfaqësim eventual i Jugosllavisë nga Armendi e Aida në Eurovizion në rast se do të fitonin çmimin, mbetet e diskutueshme kombëtarisht. Prej vitit 1989-1999, ka qenë dekadë e përpjekjes për ikje e distancim me çdo gjë jugosllave, ndonëse gradualisht. Në rast se polici, avokati, artisti etj., ka vazhduar tutje për të marrë pjesë në institucionet jugosllave, edhe sot e kësaj dite, fillon të diskutohet në aspektin moral, politik e kombëtar për sjelljet e tij. Çdo lojalitet ndaj institucioneve jugosllave, qoftë në fushën e sigurisë, gjyqësisë, administratës publike, kulturës etj., veçmas në këtë periudhë, është parë me dyshim kombëtar shqiptar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Shqiptarët në dekadën 1989-1999, ndonëse jo me intensitet të njëjtë deri në shpërbërjen më serioze të ish-Jugosllavisë me shpalljen e pavarësisë nga republikat fqinje, kishin vendosur për të krijuar një shtet të pavarur, sistem paralel, jetë paralele, shkolla paralele, pavarësisht nëse do të njihej Deklarata e Republikës së Kosovës – në kuadër të ish-Jugosllavisë, vetëm nga Shqipëria.
Edhe në vitin e shfuqizimit të autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, në Jugovizija, kishte marrë pjesë në gjuhën shqipe, grupi Trio Rona me Fjolla, me Vlora Jonuzin, Shefqet Hoxhën… (Në linkun vijues mund të shihet pjesëmarrja: https://www.youtube.com/watch?
v=ZgYvk2tG41o&list=RDZgYvk2tG41o&start_radio=1 )
Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë fitoi Festivalin e Këngës në Eurovizion në vitin 1989 me këngën “Rock me” nga Riva, prandaj u mbajt në Zagreb, ku mori pjesë edhe Armendi me Aida Barakun, ku në titra shënohej se përfaqësonin Prishtinën, me shkurtesën -PR. Unë do të doja ta pyesja Armendin e Aidën, publikisht, nëse pendohet për këtë pjesëmarrje apo jo, dhe rrethanat, motivet dhe arsyet e pjesëmarrjes në atë kohë.
Jugosllavia u përfaqësua në Festivalin e Këngës në Eurovizion 27 herë, duke debutuar në vitin 1961 dhe duke garuar çdo vit deri në paraqitjen e saj të fundit në vitin 1992, me përjashtim të viteve 1977-1980 dhe 1985. Transmetuesi jugosllav pjesëmarrës në konkurs ishte Radio Televizioni Jugosllav (JRT), i cili zakonisht zgjidhte pjesëmarrësin e tij me një finale kombëtare. Jugosllavia fitoi konkursin e vitit 1989 dhe priti atë të vitit 1990.
Më 26 janar 1977, JRT njoftoi tërheqjen e tij nga konkursi i vitit 1977, duke përmendur rezultatet e ulëta. Tërheqja e tij vazhdoi deri në vitin 1978, por JRT mbajti një referendum midis lexuesve të revistave të saj RTV nëse duhej të kthehej në konkursin e vitit 1979. Mbi 100,000 njerëz votuan në favor të kthimit në konkurs, kundër pak më shumë se 2,000 vota për të qëndruar jashtë konkursit. Megjithatë, JRT nuk u rikthye në vitin 1979, pasi transmetuesi dhe të gjitha stacionet e tij… ranë dakord unanimisht kundër pjesëmarrjes në Jerusalem – qyteti pritës atë vit – pasi besonin se ishte i pushtuar në mënyrë të paligjshme dhe Jugosllavia nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Izraelin në atë kohë. Gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, ish-republikat përbërëse të Kroacisë, Sllovenisë dhe Maqedonisë shpallën shkëputjen dhe për këtë arsye u tërhoqën nga finalja kombëtare jugosllave e vitit 1992, ndërsa udhëheqjet e atëhershme të Serbisë dhe Malit të Zi ranë dakord të ruanin një aleancë të ngushtë. (Yugoslavia in the Eurovision Song Contest. Qasur më 21 korrik 2025 në linkun: http://www.knowpia.com/knowpedia/Yugoslavia in the Eurovision Song Contest)
As Turqia, sikurse Jugosllavia, nuk kishte marrë pjesë në Eurovizionin e vitit 1979, për shkak të politikës së vendeve myslimane anti-Izrael për shkak të çështjes së ndjeshme mbi Jerusalemin, qytet i shenjtë për tri religjionet e mëdha botërore dhe konfliktin me palestinezët. Jugosllavia u ndalua të merrte pjesë në Eurovizion në vitin 1992, për shkak të sanksioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për luftërat e dhunshme në shpërbërjen e Jugosllavisë.
Në të gjitha konkurset e Jugovizijës, fituesit ishin kryesisht nga Kroacia. Festivali i Këngës në Eurovizion i vitit 1991 ishte hera e fundit që morën pjesë të gjitha republikat jugosllave, dhe në vitin 1992, përfaqësuesit nga Kroacia, Sllovenia dhe Maqedonia nuk morën pjesë në Festivalin e Këngës në Eurovizion të Beogradit. (Po aty)
Kthimi i Armendit, nga paraqitjet e rralla publike
Armendi vlerësohet edhe për shkak të paraqitjeve të tij të rralla televizive, pasi që për kohë të gjatë, bashkë me Aidën, fare pak janë prononcuar publikisht, me raste. Nuk kanë krijuar këngë e videospote të shumta, siç bëjnë sot, shumica nga pop-këngëtarët e reperët. Intervistat e tyre janë gjithashtu me përgjigje ndaj përditshmërisë, jetës familjare etj., me qasje feministe, demokratike, liberale, tolerante edhe ndaj LGBT-së etj. dhe kjo i ka rritur në vlerësim pozitiv përtej muzikës që kanë bërë. Krijimi i pak këngëve nga Armendi e Aida, paraqitjet më të rralla, e bëjnë çiftin të tërhequr nga jeta publike, ku konsumerizmi, komercializmi dhe klikueshmëria, mbizotërojnë muzikën dhe këngëtarët.
Tërheqja e Armendit nga jeta publike për kohë të gjatë, nga disa, gjithashtu interpretohet me qasjen e prishtinasve me identitet të sforcuar urban e sheherli, kinse jeta publike është “uzurpuar” nga katundarët, prandaj duhet mbyllur, heshtur e strukur. Interpretimi, zëri e intonacioni i Armendit, stili i flokëve etj., në ambientet private e gjysmë-publike, është stereotipizuar e paragjykuar me të “mashkullit me feminitet të lartë”, edhe për shkak të stereotipave, paragjykimeve dhe diskriminimeve gjinore e seksuale. Gjithashtu, edhe në intervistat e tij të pakta, Armendi e ka ndarë qëndrimin e tij për motivin atëror, duke dhënë një përgjigje më unike, kur tha se “kurrë nuk ka dashur të kishte fëmijë”, duke e interpretuar mungesën e trashëgimtarëve, në një mënyrë ndryshe, siç jemi mësuar ta dëgjojmë nga shumica e popullsisë. Pra, edhe në stil këndimi, veshje, tekste, lloji i qëndrimeve në intervistat televizive për shumë çështje si familja, dashuria, seksi etj., i ka bërë Armendin e Aidën, si çift edhe më evropian e perëndimor.
Qëndrimi përfundimtar mbi atë që përfaqëson Armendi
Në secilin variant, për ta përfunduar qëndrimin rreth këtij debati, koncerti i Armendit ishte shumë i suksesshëm, me nostalgji për vitet e ’90-ta të jetës paralele në Prishtinë e në Kosovë, me një mbrëmje të bukur, duke i ditur këngët përmendësh të këngëtarit, e jo vetëm dominimi nga këndimi i publikut të teksteve nga një zhanër tjetër i rep-it e hip hop-it, me një nevojë për të dalë nga mbizotërimi i këngëve komerciale në çdo hapësirë publike, përfshirë edhe këngët komerciale në qendra tregtare, bar-e e klube nate. Është nostalgji muzikore e kulturore, e një periudhe kur nuk ka mundur kushdo të bëhej këngëtar, aktor, komedian, shkrimtar, poet, dizajner, piktor etj.
Ajo kohë nuk ka të bëjë aq me jugonostalgji, por edhe për periudhën pa autotune, pa AI Voice Changer, me ma pak teknologji, ma pak konkurrencë, ma pak kapitalizëm, ma pak konsumerizëm, ma pak globalizëm, ma shumë izolim, ma shumë ndjenjë të komunitetit, ma ma pak dendësi të popullatës, ma pak vetura, ma shumë njohje të njëri-tjetrit dhe ndjenjë të përkatësisë sociale brenda një (krye)qyteti. Armendi nisjen e karrierës muzikore e ka veçmas në fund të viteve të ’80-ta të shek. XX, për TVP-në dhe për arritjen kulmore muzikore-artistike në vitet e ’90-ta.
Është nostalgji për dekadën e videokasetave dhe ikjen e dhunshme nga TVP-ja në produksione private, videokaseta e VHS-a, e videoklube pa Jutjube e Spotify. Ka fare pak mbamendje për Armendin në Jugovizija 1990, të cilën pjesëmarrje e konsideroj nga kjo kohë e largët, si gabim mesazhi politik për Jugosllavinë e Serbinë, kur para një viti veç e kishte shfuqizuar dhunshëm autonominë e Kosovës dhe duhej braktisur çdo gjë jugosllave e serbe, të një periudhe kur ishte në krye kryefashisti serb, Sllobodan Millosheviç. Ndërsa e vetmja kritikë për organizatorët është mënyra e shitjes së biletave, duke selektuar me dyshim të bazuar se, kush do të ishte pjesëmarrës në atë koncert, e duhej shitur bileta për këdo që e blinte i pari, i dyti, e kështu me radhë.
Pikërisht pse Armendi pëlqehet edhe përtej Prishtinës, nuk do të duhej që Armendi “të merrej” vetëm nga Prishtina. Armendi edhe jashtë muzikës, përfaqëson një personalitet të veçantë të jetës kulturore kosovare, një figurë publike me shumë qëndrime demokratike, liberale dhe me edukim të veçantë estetik. Edhe për vokalin e tij, edhe për tekstet e tij, me përjashtim të ndonjë kënge të kohës më të fundit, më pak të gdhendur artistikisht, mbetet këngëtar me vlera të mirëfillta muzikore; i dashur për zërin, timbrin, talentin, tekstin dhe disa hite që do të mbesin gjatë në historinë më të re të muzikës argëtuese urbane në hapësirën shqiptare. Disa nga lirikat e tij mbi dashurinë, japin ende emocione të forta. Dua ta shoh jo me koncertin e tij të fundit, dhe jo vetëm në Prishtinë, por duke e bërë një tur në mbarë qytetet shqiptare, ndonëse këngët e tij do të dëgjohen gjatë tashmë edhe në platformat online të internetit, kudo dhe kurdo.