FC Drita ka pësuar humbje me rezultat 2-0 në përballjen e parë ndaj FC Copenhagen, e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshja u zhvillua në “Parken Stadium” të Kopenhagës, ku skuadra e Zekirija Ramadanit u tregua mjaft solide në pjesën e parë, por gjithçka ndryshoi në fraksionin e dytë të lojës.
Figura kryesore – për fat të keq në mënyrë negative – ishte Redon Ovuka, i cili brenda një kohe të shkurtër shkaktoi dy penallti ndaj skuadrës së tij. Të dyja u shndërruan në gola nga danezët, duke vulosur rezultatin final 2-0 dhe duke lënë Dritën me shumë për të rikuperuar në ndeshjen e kthimit.
Pavarësisht humbjes, Drita e tregoi veten në pjesën e parë me një organizim mbrojtës të mirë dhe qasje taktike të kujdesshme, që la përshtypje pozitive.
Tani gjithçka zhvendoset në Prishtinë, ku skuadra nga Gjilani do ta presë FC Copenhagen në stadiumin “Fadil Vokrri”. Djelmoshat e Ramadanit do të kërkojnë përmbysjen dhe kalimin në fazën tjetër të kompeticionit më të madh evropian për klube.