Shkruan: Avni Rudaku
Riad Rashiti është kandidat për Kryetar të Komunës së Gjilanit në Zgjedhjet Lokale 2025, nga PDK-ja. I lindur në vitin 1977, Riadi bashkë me kandidatin Arbër Ismajlin nga radhët e LDK-së dhe Nazim Gagicën nga AAK-ja, janë tre kandidatët e Gjeneratës X (të lindur prej vitit 1965 deri 1980) që garojnë me Alban Hysenin e LVV-së e Ilir Poroshticën e Listës GUXO të Gjeneratës Y milenial (1981-1996).
Riadi i takon gjeneratës midis Baby Boomers dhe Milenialët, duke u quajtur edhe “baby bust”, për shkak të rënies së lindshmërisë gjatë kohës së tyre në vendet e zhvilluara perëndimore (ndonëse në Kosovë kjo nuk vlen, pasi nataliteti ishte i lartë në atë periudhë), të parët që u rritën me kompjuterë personalë dhe kanale televizive ndërkombëtare si MTV, duke përjetuar ngjarje të mëdha globale si: Lufta e Ftohtë dhe rënia e Murit të Berlinit (1989), krizat energjetike të viteve ’70-’80, recesionet e shpeshta ekonomike, AIDS dhe lëvizja për “seks të sigurt”, shpesh të perceptuar si të pavarur, skeptikë dhe të kujdesshëm për balancën jetë-punë, që nuk janë shumë aktivë në politikë, një përqindje e lartë identifikohen si të pavarur politikisht (44%), me ndikim të madh kulturor nga muzika e Nirvanës, Pearl Jam, hip-hop Tupac, Jay-Z, dhe në argëtim Will Smith, Queen Latifah etj. (Disa nga këto karakteristika vlejnë për brezin X të lindur në Perëndim, por jo në Kosovë). Këto karakteristika të këtij brezi në Perëndim, dallojnë me disa rrethana politike, historike, sociale, ekonomike e kulturore të Riadit në Kosovë, pasi që fëmijëria e hershme dhe e mesme e Riadit ishte me fillimin e protestave të vitit 1981, përkeqësimit të situatës politike në Kosovë, shfuqizimit të autonomisë 1989, e pastaj nga mosha 13 vjeçare, Riadi deri në moshën 22 vjeçare, u rrit me jetën paralele të viteve të ’90-ta e luftën e fundit 1998-1999, e ku prej kësaj moshe ndikohen nga tranzicion i gjatë prej sistemit politik shtypës jugosllav në administrimin ndërkombëtar, pavarësinë e Kosovës dhe periudhën post-pavarësi, ndikimin e medieve sociale, internetit, globalizmit etj. Riadi përfundoi studimet në Fakultetin Ekonomik për menaxhment dhe informatikë me sistem katërvjeçar në Universitetin e Prishtinës, dhe më pas përfundoi magjistraturën në menaxhment financiar në Universitetin e Ljubljanës në Slloveni. Në qeverisjen lokale të PDK-së 2009-2013, ishte anëtar i Kuvendit Komunal (2009-2011), Drejtor i Zhvillimit Ekonomik, në periudhën 2012-2013, me emërimin nga ish-Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, bashkëvendas nga fshati Malishevë. Në zgjedhjet komunale 2013-2017, të udhëhequr nga Lutfi Haziri si Kryetar i Gjilanit nga LDK-ja, u zgjodh sërish anëtar i Kuvendit Komunal. Së fundi, në koalicion të LVV-së me PDK-në në Gjilan, Riadi ishte Drejtor për Buxhet dhe Financa, deri sa u prish koalicioni LVV-PDK. Gjithashtu, Riadi ka përvojë të gjatë në biznes, duke qenë mjaft i ngjashëm në profil politikani lokal, si me përvojë në qeverisje lokale, si në biznes, si në gjeneratë, me Arbër Ismajlin.
Përparësitë e Riadit
1. Riadi bën pjesë në Gjeneratën X, gjeneratën në mes të Baby Boomers dhe Gjeneratës X – Milenialët, duke e bërë kandidat me moshë e përvojë të pjekur në politikë.
2. Riadi ka përvojë shumë të gjatë si në politikë, si në biznes, kompani sigurimi, duke e ndihmuar të jetë kompetent në qeverisjen lokale.
3. Riadi është i njohur në qeverisjen lokale për angazhim aktiv opozitar, duke mos qenë politikan i panjohur për qytetarët e Gjilanit, për dallim nga Ilir Poroshtica i Listës GUXO, që njihet si arkitekt, por jo si politikan.
4. Riadi ka përparësinë e aftësisë për debatues të fortë politik, më i miri deri më tash në kritikat ndaj pushtetit lokal me shkrime, burime, referenca, dokumente, postime fejsbukiste, por edhe me zë e figurë (në debatet publike verbale). E kam thënë edhe më herët, ndonëse Albani do ta gjejë arsyetim për të mos hyrë në debat me kandidatin e supozuar të tretë me vota në Gjilan, nëse do të hynte në debat me Riadin, do ta ketë shumë të vështirë, nga grumbullimi i informacioneve që ka Riadi për qeverisjen lokale e kritikat ndaj Albanit si Kryetar Komune.
5. Riadi ka fjalor të fuqishëm politik dhe kjo e ndihmon në ballafaqim me kundërkandidatët, duke e bërë kandidat serioz në garë. Gjithashtu, e ka nisur pozitivisht fushatën me video-prezantime e titra, si me platformën https://riadrashiti.com/, gjë që duhet të vazhdojë e të pasurohet me ofertë, ide, alternativa e projekte konkrete për zhvillimin e qytetit e komunës në tërësi.
Mangësitë e Riadit
1. Riadi garon me brendin e PDK-së, që në Gjilan, prej vitit 2013-2025, e ka vendin e tretë për fuqi politike dhe nuk ka ndonjë shpresë të ndryshojë edhe në Zgjedhjet Lokale 2025.
2. Gjilani, Peja, Prishtina, Gjakova, janë katër qytetet më të mëdha të Kosovës nga shtatë prej tyre – me Mitrovicën, Prizrenin e Ferizajn që janë edhe komuna me përafri të madhe me PDK-në, që në zgjedhjet lokale e të përgjithshme, e kanë konsideruar PDK-në si parti rurale, “krah i luftës”, me stereotipin “parti e Drenicës”, duke e bërë diferencën Gjilani vetëm në periudhën 2007-2013, ku PDK-ja i fitoi zgjedhjet lokale historike, me në krye Qemajl Mustafën, për dy mandate si ish-Kryetar Komune i Gjilanit nga PDK-ja. Prandaj, pavarësisht kandidaturës së Riadit, vetive personale, profesionale dhe eksperiencës së tij, është e vështirë fitorja në Gjilan, garimi në zgjedhje lokale me markën e PDK-së.
3. Riadi konsiderohet si pjesë e ish-grupit të Qemajl Mustafës, i cili në qeverisjen e tij dhe pas përfundimit, u përball për disa vjet me akuza për korrupsion me shumë zyrtarë komunalë – ndonëse u shpall i pafajshëm pas një raundi të gjatë me dyshimin për korrupsion, dhe kjo ka dëmtuar popullaritetin e çdo ish-bashkëpunëtori të tij partiak, përfshirë edhe Riadin që ishte drejtor në qeverisjen e Mustafës dhe nuk ishte akuzuar fare për afera korruptive. Në politikë, kanë rëndësi edhe thashethemat e perceptimet publike, qofshin edhe krejt të pasakta.
4. Si çdo kundërkandidat i tij, ballafaqohet me një ekip të dobët para, gjatë e në fushatë, duke mos u afruar në PDK, individë me peshë publike, me komptenca profesionale dhe besueshmëri kreative te publiku i gjerë gjilanas.
5. Prishja e koalicionit me LVV-në në Gjilan dhe shkëputja e disa anëtarëve të PDK-së duke qëndruar me Albanin, përfshirë Nënkryetaren e Komunës dhe dy drejtorë të tjerë nga radhët e veta, rezultoi më shumë me ligjërimin fitues të Albanit e LVV-së, sesa të PDK-së e Riadit, duke u interpretuar në publik se, prishja ndodhi për shkak të ndikimit të oligarkëve të ndërtimit brenda e jashtë Gjilanit, e jo për arsye parimore që Albani nuk bashkëpunonte me partnerin e koalicionit (PDK) në qeverisjen lokale. Pavarësisht se as Albani nuk ishte parimor për të kundërshtuar çdo vendim e për të përzgjedhur anulime selektive vendimesh, Albani në publik e në qarkullimin e legjendave urbane, e fitoi diskursin me ish-partnerin, Riadin e PDK-në. PDK-ja bëri gabim që nuk dha më shumë sqarime për braktisjen e koalicionit me LVV-në e Albanin. Versioni i Riadit ishte si në vijim, për prishjen e koalicionit me LVV-në në Gjilan: “Së fundmi që me lidhë problemin deri në fund, ka ardhë si pasojë e moskomunikimit apo moskonsultimit dhe mosdurimit si dhe kokëfortësisë së kryetarit për tri vendimet të cilat kanë ardhë në Kuvendin Komunal që kanë të bëjnë me shfuqizimin e tri vendimeve të ish qeverisjes së LDK-së. Këto tri vendime kanë të bëjnë me plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në nënzonën e Bllokut “B3” në kuadër të planit rregullues urban “Kodra e Thatë”, në zonën e Bllokut “B4” në kuadër të planit rregullues urban “Kodra e Thatë” dhe në zonën e Bllokut “I” në kuadër të planit rregullues urban “Livadhet e Arapit”. Ne kemi kërku që kjo çështje të diskutohet më hollësisht që pse këto vendime nuk kanë ardhë që 17 muaj në seancat e Kuvendit Komunal. Kemi kërku llogari që pse për këto 17 muaj Drejtoria e Urbanizmit ka lëshu leje ndërtimi. Kemi kërku sqarime që përse nuk kanë ardhë vendime tjera dhe kemi kërku kohë që të marrim përgjigje për këto dhe më pas parimisht të deklarohemi në seancën e fundit që ne jemi pro shfuqizimit të vendimeve të kësaj natyre, edhe sot jemi pro, por jo pa dhënë sqarime. Në momentin kur ka qenë seanca e ditës së enjte, unë kam qenë jashtë vendit për 10 ditë, jemi dakordu me Vetëvendosjen që këto tri pika të shtyhen dhe kështu ka mbetë të premten e javës së kaluar. Ndërsa të dielën kam qenë rrugës duke ardhur dhe na vjen emaili pas orë 10 të natës, për seancë të hënën, pra këta e kanë thyer një premtim, një marrëveshje që jemi pajtu me shty që me diskutu. Nuk kanë qenë të gatshëm as me diskutu të hënën para seancës dhe as gjatë seancës. Ne kemi kërkuar pauzë dhe kemi kërkuar kohë të diskutojmë, gatishmëria e tyre nuk ka qenë, ata kanë qenë kokëfortë. Ne si PDK e kemi parë që qasja e tillë, jemi konsultu që me këtë qasje është e pakuptimë të vazhdohet me partnerë të koalicionit. Ne të hënën e kemi lëshu seancën për arsye që ata nuk ishin të gatshëm në pauzë me ardhë kryetari dhe kryesuesi që me diskutu, nuk e kanë pranu këtë. Ne e kemi realizu një takim si PDK të martën në mbrëmje, e kemi diskutu në kryesi të degës, tre kanë qenë kundër, 22 kamë qenë pro që me këtë qasje dhe që ky partneritet nuk mundet me vazhdu me këtë kokëfortësi, diskriminim e qasje ndaj nesh dhe kemi marrë qëndrim që partneriteti të marrë fund. Ai e ka marrë informacionin që PDK e ka marrë këtë vendim të tillë dhe të nesërmen i ka pri prishjes së koalicionit”. (Ilirjana Hoti, “Versioni i PDK-së për prishjen e koalicionit qeverisës me LVV-në në Gjilan”, Prishtinë, 6.6.2023 në: https://kallxo.com/lajm/versioni-i-pdk-se-per-prishjen-e-koalicionit-qeverises-me-lvv-ne-ne-gjilan/)
Ndërsa versioni i Albanit, që arriti të kishte një ligjërim më të sforcuar kundër oligarkëve, pavarësisht të vërtetës së plotë, arriti të qarkullojë më i besueshëm te publiku: “Ajo çfarë ne kemi kërkuar ka qenë shfuqizimi i këtyre vendimeve. Diskutim i joni i brendshëm mes nesh si VV, por edhe PDK-së, pra në bordin e drejtorëve me mbledhjet tona të përbashkëta, me asamblistë të kuvendit komunal të dy subjekte tona, por edhe të tjerëve që i kemi pasë koalicion, kanë qenë këto vendime tash e një vit. Ndërkohë derisa ne kemi siguruar mënyrën, rrugën dhe metodën më të mirë për të shfuqizuar ka marrë kohë, ndërsa fillimi i këtij viti na ka gjetur me planifkimin tonë të përbashkët të aprovuar nga të gjithë (bashkë me PDK)…këto kanë qenë pra qysh para prej muajit janar përbrenda nesh, të ditura qe do të vijnë në kuvendin komunal. Deri në ditën e enjte të seancës, muajit të kaluar, kur edhe kemi pasë fillimin e seancës, nuk ka pasur asnjëherë anjë reagim nga partneri jonë i qeverisjes…se këto vendime nuk duhet të shfuqizohen ose që kanë nevojë për konsultime shtesë, ose që janë të diskutueshme ose diçka tjetër… të premten kur kemi filluar seancën, unë kam marrë një kërkesë nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së në Gjilan…që të takoj kryesuesin e asamblistëve të PDK-së, e të diskutoj me të për një çështje, dhe ai më ka kërku që këto vendime të shtyhen për një seancë tjetër. Unë i kam kërku që të dimë arsyen pse t’i shtyjmë, sepse jemi pajtuar edhe ai edhe unë që janë të kundërligjshme dhe kam kërku të di një arsye të qëndrueshme se pse duhet t’i shtyej. Nuk ka pasë ndonjë arsye të qëndrueshme…nuk ka pasur asnjë arsye, kjo ka qenë më e çuditshmja. Vendimi i parë i kundërligjshëm është i datës 30.06.2020 dhe thotë vendim për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në një nënzonë të bllokut B3 në kuadër të planit rregullues urban Kodra e Thatë në Gjilan. Më 31 maj, qeverisja e përbashkët LVV – PDK në Gjilan ka marrë fund, se vendimet e konstatuara si të kundërligjshme, si dhe që favorizojnë individë e grupe të interesit janë tema që nuk diskutohen, por anulohen, pa alternativë!” (GazetaBlic, “Hyseni jep detaje nga prishja e koalicionit LVV – PDK në Gjilan”, Prishtinë, 2023, në: https://gazetablic.com/hyseni-jep-detaje-nga-prishja-e-koalicionit-lvv-pdk-ne-gjilan/)
Këto deklarata publike për arsyet e shpërbërjes së koalicionit të LVV-PDK në Gjilan, nuk arritën të jenë njësoj bindëse, duke triumfuar diskursi e ligjërimi publik i Albanit dhe LVV-së, dhe humbjes së fuqisë bindëse të Riadit e PDK-së. Nuk po vlerësoj unë se Albani ishte korrekt, e Riadi jo, ose anasjelltas, por vetëm po ndaj në analizë tërësisht objektive, perceptimin e publikut në Gjilan.
6. Riadi vazhdon të mos e ketë përparësinë e LVV-së e LDK-së në Gjilan, edhe për shkak të disa figurave aktuale publike që vazhdojnë të jenë në rreshtin e parë të PDK-së në Gjilan, të konsumuara tashmë për kohë të gjatë për qeverisjen lokale, perceptimin publik dhe besimin e votuesve. Krejt ndryshe do të ishte PDK-ja, sikur të kishte më shumë figura në PDK, si Aurora Osmani-Buca e të ngjashme, jo të konsumuara, brez i ri dhe kreativ në qeverisje lokale, nëse do të kishin më shumë mbështetje politike e elektorale.
7. Riadi e ka edhe një mangësi tjetër në jetën publike e politike, që e nuk e ka tipin e personalitetit si Albani e Arbëri, të cilët arrijnë të jenë më të qasshëm me qytetarë të njohur e të panjohur në rrugë, shesh, komunikim virtual, pasi Riadi është tip më serioz, më i tërhequr dhe më pak i imponueshëm. Ai duhet të jetë shumëfish më i hapur, më i afrueshëm, më i pranishëm në vendet publike, kafebare, restorante, medie sociale, sheshe, kudo, për të krijuar takime individuale, takime derë më derë etj., për të krijuar përafri emotive me votuesit potencialë. Nuk e them se është arrogant kur i njeh personat, por politika shkon përtej komunikimit personal, intim e shoqëror, sepse ashtu nuk e kam unë bindjen për të, pasi kudo që të sheh, pavarësisht kritikave, të flet e të përshëndetë në mënyrën më të mirë njerëzore.
8. Riadi për dallim nga Arbëri, ka më pak lidhje me brezin e ri, me të gjitha shtresat e shoqërisë pa dallim, gjë që e bën të vështirë të pranueshëm tek të gjitha kategoritë shoqërore e votuesit.
9. Riadi për kohë të gjatë, për shkak të tipit tjetër prej opozitari, e ka pasur hera-herës një diskurs më të ashpër, kushtimisht më agresiv, në kritikat ndaj pushtetit aktual dhe në Gjilan, dhe nga ajo që kam studiuar për kohë të gjatë etnopsikologjinë gjilanase, nuk e do tipin e politikanit të ashpër në diskurs, prandaj ai do të duhej të ishte më i vetëpërmbajtur, me ton më të butë, për t’u afruar me votuesit e rinj të papërcaktuar.
10. Riadi nga një pjesë e popullatës në Gjilan, stereotipizohet dhe paragjykohet në dallimet fshat-qytet, duke e kundruar në bisedat e lira private, si me origjinë nga fshati, Malisheva, ndonëse nga ky fshat i bukur i Gjilanit, ishte edhe vetë ish-Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, por Riadi nuk ka arritur të thyejë stereotipat e paragjykimet urbane ndaj zonës rurale dhe do të duhej të kishte parasysh edhe stereotipat e tilla që i krijoi vetë Qemajl Mustafa, kur sulmonte kundërkandidatët në bazë të prejardhjes dhe origjinës nga fshatrat e Kamenicës. Ekziston karma në fetë e Lindjes së Largët, por edhe në urtësinë shqiptare, “çfarë të mbjellësh, korr”.
11. Riadi e ka të vështirdë suksesin më të lartë elektoral, nga vështirësia e homogjenizimit dhe unifikimit të Degës së PDK-së në Gjilan, nga përplasje të gjata brendapartiake (nga interesat e disa individëve që humbnin gjithmonë, por kurrë nuk dorëhiqeshin dhe pengonin çdo reformë brendapartiake, ndërsa personalisht gjithmonë përfitonin dhe e gërryenin partinë politike ku bënin pjesë), me shumë “fraksione të vetëshpallura të Izmi Zekës, Zenun Pajazitit, Flurim Arifit, Qemajl Mustafës etj.”, ndonëse, në historinë e saj lokale, kurrë më e unifikuar nuk ka qenë PDK-ja në Gjilan, sa është nën udhëheqjen e sotme të Riadit, madje ai ka marrë legjitimitetin kryesisht nga poshtë-lart, e jo me ndikim të theksuar nga PDK-ja në Prishtinë. Sidoqoftë, mangësia është se merr kohë për konsolidim, reforma drastike në Degën e PDK-së në Gjilan, pavarësisht rezultatit aktual të unifikimit të Degës nga Riadi. Me fjalë të tjera, e ka të vështirë Riadi, nga një Degë e PDK-së që ishte “pikë-e-pesë”, nga humbje të njëpasnjëshme lokale-elektorale.
12. Në periudhën 2012-2013, Riadi edhe kur arriti ta formonte Drejtorinë e Re të Zhvillimit Ekonomik, pavarësisht se ishte ndër drejtorët më të mirë të kësaj drejtorie në komunë, nga ZAP, konsiderohet me disa parregullsi, që do t’i numërojmë një nga një, e që i atribuohen edhe atij si ekip i dikurshëm qeverisës lokal. Në raportin e ZAP-it për vitin 2012, për qeverisjen lokale të ish-Kryetarit të Komunës, Qemajl Mustafës, PDK-së, ka konstatuar këto shkelje: “Mosidentifikimi i stoqeve të komunës dhe vlerës së tyre rezulton në PVF të pasakta dhe rrit rrezikun për humbje apo keqpërdorim të stoqeve të komunës.
Tri nga e rekomandimet e auditimit të vitit të kaluar nuk ishin adresuar. Komuna e Gjilanit nuk kishte arritur të përmbushë kërkesën e Procedurës së MFK-së për Raportin vjetor të Vetëvlerësimit nga menaxhmenti i komunës. Inkasim jo i mirë i të hyrave vetjake. Vonesa në depozitimin e të hyrave në bankë. Kontrata pa zotim të mjeteve. Komuna e Gjilanit kishte paguar faturën e datës 17.01.2012 në vlerë 100,000€ ndaj OE ‘Bass-Com’ për situacionin e IV-të të punëve për projektin “Asfaltimi i rrugëve në fshatin Livoq i Ulët”. Kemi vërejtur një mungesë të konsistencës së dokumenteve për këtë pagesë. Situacioni i punëve ishte i datës 21.12.2010, ndërsa rikapitullimi për këtë situacion ishte i datës 12.12.2011. Kontrata për këtë projekt ishte lidhur më 23.11.2009 në vlerë 314,219€. Sipas Planit Dinamik ky projekt ishte paraparë të përfundojë për 48 ditë pune. Përveç vonesave në planin dinamik, punët janë ndërprerë dhe projekti nuk ka përfunduar për shkak të mungesës së fondeve për përmbushjen e obligimeve ndaj OE. Sipas Vendimit 01 Nr. 5465 të datës 05.06.2008, të marrë nga Kuvendi Komunal, organet mbikëqyrëse dhe komisionet për pranim teknik do të paguhen nga OE, ndërsa kjo kosto i shtohet vlerës së kontratës. Auditimi i vitit paraprak kishte rekomanduar që ky fenomen të ndërpritet. Gjatë testimit të pagesave për punë, që janë kontraktuar në vitet e kaluara, kemi vërejtur që kjo dukuri nuk është ndërprerë. Për më tepër, kemi vërejtur një rast ku njëri anëtar i komisionit, i cili njëkohësisht ka pozitën e nënkryetarit të komunës, favorizohet me përqindje më të lartë se anëtarët tjerë. Komuna kishte paguar nga investimet kapitale një faturë në shumë 10,000€ për foli plastike dhe një faturë në shumë 9,000€ për koshere të bletëve si përkrahje për fermerë. Poashtu, nga investimet kapitale ishte bërë pagesa e faturës 01/2012 e datës 22.10.2012 në shumë 20,000€ e cila përfshinte material shëndetësor.
Kjo pagesë ishte bërë në bazë të marrëveshjes me Caritas-in në Ferizaj për “Përkujdesje shëndetësore”. Pra, subvencione dhe mallra nga investimet kapitale. Tejkalime të kontratës për furnizim. Komuna e Gjilanit kishte paguar edhe faturën në shumë 2,023€ për ushqim dhe akomodim të një delegacioni. Përveç faturës, ne nuk kemi parë dëshmi mbi numrin e pjesëmarrësve apo qëllimin e organizimit. Paga jashtë kontratës: Ne kemi vërejtur tri raste kur arsimtarët janë paguar në mënyrë retroaktive për punë gjatë vitit 2011 në bazë të Kontratave mbi Vepër të nënshkruara në vitin 2012. Shkelja e rregullores:
Komuna e Gjilanit ka një Rregullore të brendshme që përcakton procedurat dhe kriteret për dhënien e subvencioneve. Sipas rregullores, subvencionet deri në 1,200€ ndahen me vendim të Kryetarit, ndërsa më shumë se 1,200€ me vendim të Kuvendit Komunal. Gjithashtu para se të hidhet në aprovim çdo kërkesë për subvencione duhet të shqyrtohet nga drejtori relevant. Gjatë auditimit, ne kemi vërejtur që komuna nuk respekton këtë rregullore gjatë ndarjes së subvencioneve. Subvencionet ndahen me vendime nga Kryetari i Komunës duke anashkaluar procedurat e parapara me Rregulloren e Brendshme. Tek të gjitha mostrat kemi vërejtur që Komuna, me vendime të Kryetarit, ka ndarë subvencione qoftë për entitete publike apo përfitues individualë, pa u bazuar në ndonjë projekt që përcakton objektivat e subvencioneve dhe interesat e Komunës. Për më tepër, Komuna nuk bën marrëveshje mirëkuptimi me përfituesit e subvencioneve për mënyrën e shpenzimit dhe të raportimit prapavajtës nga përfituesit ndaj Komunës. Si pasojë, asnjë nga rastet e testuara nuk kishte bërë një raportim të tillë mbi mënyrën e shpenzimit të subvencioneve. Komuna me vendim të Kryetarit, kishte ndarë subvencione në vlerë 1,500€ për aktivitetet e organizatës studentore, ndërsa lideri i kësaj organizate ishte Drejtor i Drejtorisë për Rini, Kulturë dhe Sport në komunën e Gjilanit. Regjistrimi jo i plotë i pasurisë mbi 1,000€ në SIMFK realisht paraqet pamje jo të drejtë të pasurisë së komunës.” (ZAP, 2013, Prishtinë, në: https://zka-rks.org/cms/uploads/2017/06/RaportiAuditimit.KGL.2012.Shqip.170869.pdf)
Në vitin 2013, ZAP ka gjetur këto shkelje në qeverisjen lokale të PDK-së: “Komuna kishte keqklasifikuar shpenzime në vlerë 19,071€. Nga kodi i kapitaleve, komuna kishte bërë pagesa për subvencione (2,826€), dhe mallra dhe shërbime (16,245€). Vetëm një pjesë e rekomandimeve të vitit të kaluar janë adresuar sepse komuna nuk ka zbatuar ndonjë proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar mënyrën e adresimit të rekomandimeve të ZAP-it. Auditimi i vitit 2013 ka identifikuar dobësi në kontrolle në të gjitha kategoritë ekonomike, veçanërisht në periudhën e fundvitit. Këto dobësi nuk ishin identifikuar në mënyrë efektive përmes mbikëqyrjes së brendshme dhe raportuar tek menaxhmenti apo ku ato ishin identifikuar, nuk ishin marrë veprimet e duhura. Komuna nga lejet e ndërtimit për vitin 2013 kishte realizuar të hyra në vlerë prej 514,793€ (planifikimi i të hyrave për leje të ndërtimit ishte 685,000€). Gjatë auditimit kemi identifikuar dukurinë që kompanitë kishin filluar me ndërtimin e objekteve dhe më vonë kishin bërë kërkesën për leje ndërtim. Po ashtu, në të gjitha rastet e testuara, komuna nuk kishte lëshuar asnjë certifikatë të përdorimit të objekteve. Komuna ka vazhduar të kompensojë punonjësit e saj të brendshëm në cilësinë e organeve mbikëqyrëse dhe komisionet për pranim teknik pavarësisht rekomandimeve tona të dhëna në vitin e kaluar për ta zgjidhur këtë çështje. Organet mbikëqyrëse janë kompensuar me 1% të shumës së përgjithshme të kontratës. Kontratat e identifikuara në vitin 2013 ishin: “Punë publike-projekte të vogla të infrastrukturës”; “Rregullimi dhe vendosja e semaforëve në qendër të qytetit” dhe “Hapja dhe rregullimi i rrugëve të rendit të tretë”. Në dy raste menaxheri i prokurimit kishte marrë pjesë si organ mbikëqyrës i projekteve kapitale: te kontratat “Mirëmbajtja teknike e objekteve komunale” dhe “Ndërtimi i rrugëve lokale”. Menaxheri ishte caktuar në kohën kur nuk ushtronte detyrën e menaxherit, mirëpo ka vazhduar edhe pasi është zgjedhur si menaxher i prokurimit. Edhe ky ishte kompensuar me 1%. Dhënia e kontratës operatorit ekonomik të papërgjegjshëm: Procesi i prokurimit për “Rregullimin dhe hapjen e rrugëve të rendit të tretë në Komunën e Gjilanit” ishte përcjellë me disa parregullsi: Ofertuesi “Bejta Commerce” ishte shpallur si i papërgjegjshëm nga autoriteti kontraktues për mosplotësim të kërkesave të stafit profesional. Ky arsyetim ishte i paqëndrueshëm, sepse ofertuesi kishte ofruar dokumentin e kërkuar. Si pasojë e mosmbulueshmërisë me legjislacion të qartë, janë bërë shpenzime enorme për dreka zyrtare. Për më tepër, mungonin dëshmitë e plota për numrin e pjesëmarrësve apo qëllimin e organizimit. Është i çuditshëm fakti se 91,146€ janë shpenzuar më tepër krahasuar me vitin e kaluar. Komuna kishte paguar shumën prej 10,000€ për transportin e lojtarëve të klubit “Drita”. Kjo pagesë ishte bërë duke shfrytëzuar kontratën për transportin e nxënësve dhe punëtorëve të komunës. Drejtoria e Arsimit kishte punësuar 30 punëtorë si zëvendësues të punëtorëve në pushime të lehonisë dhe pushime pa pagesë, pa shpallur konkurs publik. Sipas zyrtarëve, kjo është bërë për të lehtësuar procesin e rekrutimit. Po ashtu, drejtoria e administratës kishte pranuar gjashtë punonjës më tepër se sa ishin të planifikuar. Në nëntë
(9) raste të subvencionimit, shumat e ndara tejkalonin limitin e përcaktuar nga rregullorja e brendshme. Sipas kësaj, kryetari aprovon subvencione për persona juridik deri në 2,000€ ndërsa për persona fizikë deri në 1,200€. Për çdo shumë më të lartë, mjetet duhet të ndahen nga Komiteti për Politikë dhe Financa i Kuvendit Komunal. Limiti i shumës së lejuar nuk ishte respektuar nga kryetari.
Komuna kishte hyrë në obligime më shumë se ndarjet buxhetore. Komiteti i auditimit të brendshëm edhe pse kishte mbajtur takime të rregullta, nuk i kishte ngritur të gjeturat e auditimit të brendshëm tek menaxhmenti për t’u siguruar që ato do të adresohen.” (ZAP, 2014, Prishtinë, në: https://zka-rks.org/cms/uploads/2017/06/RaportiAuditimit.KGL.2013.Shqip.525410.pdf)