Për herë të 54-të me radhë, sot në orën 22:00, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të bëjnë një tentativë të fundit për konstituimin e legjislaturës së re, përpara se të skadojë afati kushtetues 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Nëse edhe kjo përpjekje dështon, Gjykata ka vendosur masë të përkohshme, e cila ndalon çdo veprim dhe vendim të deputetëve të zgjedhur, duke filluar nga 27 korriku 2025, derisa të merret një vendim i ri.
“Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore… dhe ndalimi i çdo vendimi pas 26 korrikut është në interes publik”, thuhet në vendimin e publikuar. Sipas saj, veprimet e mëtejshme pa konstituim do të sillnin “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.
Ndërkohë, partitë politike nuk kanë arritur konsensus për emrin e kryetarit të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje insiston që kandidatura të mbetet Albulena Haxhiu, por kjo është refuzuar nga PDK, AAK dhe LDK, të cilat po kërkojnë një emër më unifikues ose tërheqjen e kandidaturës nga LVV.
Në rast se dështon edhe seanca e sotme, si opsion serioz po përmenden zgjedhjet e reja.