Shkruan: Avni Rudaku
Ilir Poroshtica është i lindur në vitin 1985 në Gjilan. Ai është bash pjesëtar i gjeneratës sime, të cilin sa e kam mbajtur në mend, ka qenë në paralelen IV/7 në Gjimnazin “Zenel Hajdini”. Për brezin tim, një nga pyetjet më të shpeshta ka qenë: “N’satën sa je?!”. Është më i ri se unë në moshë kalendarike, por ka hyrë në moshë më të re në shkollë sesa unë, prandaj ne kemi qenë në nivelin e njëjtë të arsimit parauniversitar, pra shokë-gjenerate në gjimnaz. Brezi i Ilirit dhe unë, i takojmë asaj që quhet në sociologji e shkencat e tjera, Gjenerata Y ose Milenialët, të lindur midis 1981 dhe 1996. Bashkë me Alban Hysenin e LVV-së, janë në këtë gjeneratë, ku Iliri i takon ypsilonëve të hershëm, ndërsa Albani, ypsilonëve të vonshëm, të lindur më vonë. Brezi i Ilirit është gjeneratë tranzicioni nga telefoni fiks në shtëpi në telefonin mobil; nga familja e zgjeruar në familje bërthamë/të ngushtë; të lidhur me teknologji, por jo të lindur me të, ndryshe nga Gjenerata Z. Gjenerata e Ilirit e ka përjetuar botën edhe pa internet, edhe përshtatjen me shpejtësi me internet. Disa nga karakteristikat e brezit të Ilirit, sipas disa studimeve për Gjeneratën X, janë: preferencat për fleksibilitet me mesazhe tekstuale ndaj thirrjeve telefonike.
Janë të motivuar nga qëllimi dhe ndjeshmëria sociale, jo vetëm nga përfitimi financiar. Shpesh janë të gatshëm të pranojnë pagesë më të ulët nëse puna përputhet me vlerat e tyre. Preferojnë të mbështesin biznese etike, lokale dhe eko-miqësore. Pavarësisht se llogaritet brezi nga më të arsimuarit, përballen me pasiguri ekonomike, kriza ekonomike siç kanë hyrë në tregun e punës nga recesioni i vitit 2008, COVID-19 në vitin 2020, inflacioni i lartë poskovidian, duke ndikuar negativisht në të ardhurat e tyre. Për këtë Gjeneratë Y të Ilirit, sipas studiuesve të ndryshëm, i vlerësojnë më shumë përvojat e reja, sesa pasurinë materiale. Janë më të orientuar drejt kreativitetit dhe ndërmarrësisë. Janë shumë aktivë politikisht dhe në aspektin e çështjeve sociale. Ky brez e konsideron diversitetin apo gjithëpërfshirjen si vlera esenciale, e jo si formalitet. Habitshëm, këto karakteristika të Gjeneratës Y, në kontekst të Perëndimit, kanë shumë ngjashmëri edhe me Ilirin e Gjilanit si kandidat për Kryetar të Komunës së Gjilanit, në Zgjedhjet Lokale 2025.
Biografia e Ilirit, siç do ta shohim, ka një veçanti të pabesueshme të kujtesës së tij autobiografike dhe të vetë kujtesës kolektive të qytetit të Gjilanit. Ai kreu shkollën fillore në Gjilan, në “Selami Hallaqi”, ku mësuesi i tij ishte Ilmi Ibrahimi, një mësues që mbahet mend për urtësi e qetësi të lartë. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Zenel Hajdini” me nota të shkëlqyera dhe u zgjodh kryetar klase, kryetar i shkollës, si dhe kryetar i organizatës shkollore “ORSH”, ku hartoi dhe drejtoi shumë projekte në shërbim të shkollave.
Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Prishtinës në drejtimin FNA, Dega e Arkitekturës, ku ishte bursist i fakultetit për 3 vjet. Gjithashtu, ka përfunduar studimet e nivelit master në Kolegjin Universitar “AAB” në Prishtinë. Që nga klasa e dytë e shkollës fillore, Iliri ka qenë i vetëpunësuar (cigareshites), dhe më pas, gjatë studimeve ka qenë i angazhuar në shumë projekte me profesorë. Si arkitekt, Iliri ka realizuar disa projekte në Kosovë, si Hotel “Grand” – Prishtinë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Gjilan si: Resort Planet, Swiss Klinikë, detyra projektuese (kampusi universitar “Kadri Zeka”) etj. Për shumë vjet, kontribuoi në Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse rrallë u ekspozua politikisht e publikisht. Që nga viti 2008, mbi 17 vjet, gati dy dekada të plota, që kur e themeloi kompaninë projektuese dhe ndërtuese “SDI SH.P.K.”, është rritur e zgjeruar, duke pasur mesatarisht 30 punëtorë. Në vitin 2022, fitoi çmimin e parë në Bienale – Kosovë, me veprën “Restorant Planet” në Gjilan, duke përfshirë elementë tradicionalë në arkitekturë. Përfshirja e tij në nisma të ndryshme komunitare, është edhe anëtarësia e Ilirit në Rotary Club që nga viti 2016, në thesar, më pas si sekretar dhe president, dhe ka realizuar projekte të shumta në shërbim të komunitetit në qytetin e Gjilanit.
Ashtu si brezi im, Iliri është i lidhur fort emocionalisht me familjen, apo siç përshkruhen shpesh “janë shumë familjarë”, duke qenë i martuar me bashkëshorten ekonomiste, me dy fëmijë me emra super të veçantë, pasi i njoh, siç e përmenda më sipër, por kjo fare nuk më pengon në analiza objektive. I lë emocionet jashtë, deri sa ta dërgoj shkrimin në Radiostar dhe kur të postohet e publikohet, pastaj hajri e daftë, si pritet e reagohet!
Përparësitë e Ilirit
1. Do të hynte në historinë e re të Kosovës e Gjilanit, si storie, rrëfim, rrugëtim super i veçantë, se si Iliri nga cigareshitës i dikurshëm ambulant, u bë arkitekt i suksesshëm, menaxher e ndërmarrës i fuqishëm, dhe më pas, Kryetar Komune i Gjilanit. Do të bëhej lajm për psikologjinë motivuese, veçmas të brezit të ri, që dorëzohet lehtë e shpejt, edhe para një sfide të vockël. Përparësia në këtë pikë është se, brezi im që e kujton si cigareshitës, e kujton me nostalgji, dhembshuri dhe respekt për punën në fëmijëri, aq herët, ndershëm dhe me shumë sfida. Po e ilustroj me një shembull interesant: Në gjeneratën time, ka qenë e turpshme që nëse bashkëmoshatarët të shohin me qese në duar, ose teksa po kalon me nënën me shami në hapësirë publike, e të shohin nxënësit e klasës ose gjeneratës. Po imagjinoni nëse ka qenë dikush cigareshitës ambulant si Iliri dhe çfarë konsiderata do të mund të kishin atëbotë për të, bashkëmoshatarët e tij. Pra, Ilirit nuk i ka ardhur turp të shiste cigare kudo, e ka mbështetur aq herët veten e familjen, ndërsa neve na ka ardhur turp me qese në duar! Unë kam konsiderata të larta për cigareshitësin, e jo për komplekset e tinejxherit që ka turp të del me prindër më të moshuar se po e shohin shokët e shoqet, ose me pa dikush me qese në duar, siç ka qenë atëherë. Jo me qese të ZARA, por me qese me pemë, perime, lakra, ose pula të pazarit!!!
2. Arkitektët gjithmonë zgjojnë kureshtjen dhe interesimin e qytetarëve për ta drejtuar qytetin. Iliri si kandidat, duke ardhur nga fusha e arkitekturës, ka vizion afatgjatë hapësinor, mendon në mënyrë të integruar për zhvillimin e qytetit. Arkitektët si kandidatë, shihen si ekspertë në planifikim urban dhe territorial, e njohin mirë ndarjen funksionale të hapësirës, çka ndihmon në riorganizimin e komunës. Zhvillojnë plane racionale dhe funksionale për lagje urbane, shkarkimin e qyteteve, unaza të reja dhe lidhjen me zonat rurale. Dizajnojnë qytete të jetueshme, e promovojnë transportin publik, gjelbërimin dhe qytetin për njerëzit, jo vetëm për veturat.
E kuptojnë rëndësinë e infrastrukturës cilësore, rrugë, ura, kanalizime, shkolla, nënkalime, unaza etj. Kanë njohuri të thella mbi menaxhimin e hapësirës publike, sheshe, parqe, zona pushimi, trotuare. Promovojnë zhvillim të ekuilibruar mes urbanes dhe natyrës, ndihmojnë në mbrojtjen e ambientit. E mbajnë në fokus estetikën e qytetit, kujdesen që ndërhyrjet në qytet të kenë harmoni vizuale dhe të jenë të hijshme. Kundërshtojnë ndërtime të shëmtuara dhe të paligjshme, promovojnë ligjshmëri në ndërtim. Mbështesin restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike. Krijojnë identitet urban të veçantë për komunën, lobojnë për qytetin si destinacion unik. Kanë aftësi për të transformuar zona të degraduara në hapësira funksionale dhe tërheqëse, për hapësira të pashfrytëzueshme publike ose fare pak të shfrytëzueshme.
Të trajnuar për të koordinuar ekipe multidisiplinare, sepse duhet të punojnë për shkak të profesionit të tyre të ndërlidhur me shumë profesionistë të tjerë, si me inxhinierë, urbanistë, sociologë, ekonomistë. Kanë përvojë në projektim, menaxhim projektesh dhe buxhetesh, e dinë si të zhvillojnë dhe mbikëqyrin projekte me fonde private e publike. Kanë përvojë me donatorë dhe projektet e financuara ndërkombëtarisht (BE, UNDP etj). I kuptojnë nevojat konkrete të komuniteteve përmes analizave hapësinore dhe sociale. Përgatisin projekte konkuruese për financim nga fondet e BE-së dhe investitorët. Kujdesen për përfshirjen qytetare në planifikim dhe vendimmarrje. Mendojnë në mënyrë sistematike dhe analitike, si në planifikim, ashtu edhe në zgjidhje të problemeve të përditshme të qytetarëve. E trajtojnë qytetin si një sistem të gjallë, me ndërlidhje komplekse që duhet për ta qeverisur me syçelësi. Përdorin teknologji të avancuara për planifikim dhe vizualizim, GIS, modelime 3D etj., duke i bërë tërheqës gjithmonë si kandidatë për kryetar komune, sepse gjithsesi kanë ide më ndryshe, seç prezantojnë të tjerët. Dizajnojnë qytetin për nevojat reale të qytetarëve, jo për interesa të ngushta, sepse para së gjithash, arkitekturën nuk e konsiderojnë vetëm profesion, por edhe pasion, art, diçka shpirtërore që kënaqen në fund me një projekt të veçantë, produkt unik estetik etj. Kujdesen për qasjen për të gjithë, përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara; për prindërit me fëmijët e tyre me karroce; punojnë për hapësira publike gjithëpërfshirëse, që i shërbejnë komuniteteve të ndryshme. Janë të zëshëm për një qytet më të sigurt, më të shëndetshëm dhe më të gjallë. Për më shumë parqe. Arkitektët punojnë me etikë profesionale, përgjegjësi, transparencë, cilësi dhe respekt ndaj publikut. Nuk janë pjesë e grupeve tradicionale politike e partiake, edhe kur janë me një brend partiak, pasi që përfaqësojnë zakonisht një alternativë të re profesionale, një ofertë të re kreative në zgjedhje lokale. Janë të mësuar të punojnë nën presion, me afate dhe kërkesa të larta. Zakonisht nuk vijnë nga sistemet korruptive të pushtetit të kaluar, janë figura të freskëta. Kanë ndjenjë të thellë të përkatësisë dhe përkushtimit ndaj komunitetit, qytetit, komunës.
3. Iliri ka përvojë të gjatë në arkitekturë, biznes, menaxhim të suksesshëm dhe projekte arkitekturore dhe ndërtimi. Ka edhe arsimim të veçantë për ta ndërlidhur profesionin e tij me lidership në qeverisje lokale.
4. Figurë e re publike, pa barrë nga e kaluara e tij.
5. Përfaqëson një brez të pjekur me rrethana të vështira sociale, ekonomike, politike etj.
Mangësitë e Ilirit
1. Kurrë në historinë e qytetit të Gjilanit, deri më tash, kandidatët e pavarur ose nga parti të vogla që janë krijuar nga parti të mëdha si Lista Guxo, nuk kanë arritur të fitojnë, nëse nuk vijnë me struktura të fuqishme të një dege partiake në zonat urbane e rurale. Flasim me fakte: Në vitin 2007, në zgjedhjet lokale për Kryetar të Komunës së Gjilanit, Faton Bislimi si kandidat i pavarur, mori 2143 vota, ose 6.02% të votave; Hetem Bajrami, kandidati tjetër i pavarur, mori 439 vota, ose 1.23% të votave; Halim Vranoci nga një parti e vockël, apo pak më e madhe se GUXO, si ORA, me vetëm 732 vota, ose 1.23%; Në garën e vitit 2007, për kryetar komune të Gjilanit, ishin këto rezultate: Jashar Ramadani nga LDD-ja që ishte krijuar nga ndarja me LDK-në, mori 3590 vota ose 8.89%; PSD e Selver Xhelilit, 246 vota ose 0.61%; Omer Daku nga AKR-ja, 3229 vota ose 8.00%. Në zgjedhjet e vitit 2013, Faton Bislimi sërish kandidoi me Koalicionin për Gjilanin, dhe doli me 1622 vota ose 3.38%, duke rënë dyfish në vota nga zgjedhjet e vitit 2007. Yll Isufi mori 143 vota ose 0.30%, ndonëse ai është kandidati më komik i pavarur në historinë më të re të Gjilanit dhe kurrë nuk u mor seriozisht si alternativë. Në vitin 2017, Bajram Hasani nga Nisma për Kosovën, 678 vota ose 1.49%. Naser Morina nga PD-ja, 299 vota ose 0.66%. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021 në Gjilan, Gani Neziri si kandidat i pavarur, i shkëputur atëbotë nga PDK-ja, mori 252 vota ose 0.48%. Lulzim Bexheti, kandidat tjetër i pavarur për kryetar komune, mori 206 vota ose 0.48%.
2. Nuk është bërë publike, shumë më herët kandidatura e Ilirit për Kryetar Komune të Gjilanit. Nuk është ide e mirë që të shfaqesh e të dalësh në publik, e menjëherë pas mbi një muaj e gjysmë, hapet fushata zyrtare për zgjedhjet lokale 2025. Në politikë, kërkohet qëndrimi dhe angazhimi publik për kohë më të gjatë, duke u familjarizuar dhe duke u rritet kredibiliteti te qytetarët.
3. Vështirësia nga presioni i kohës, për të përçuar mesazhin, për takime, tubime, njohje me publikun e gjerë.
4. Garon me një sfond partiak, jo të popullarizuar në Gjilan, pa struktura të konsoliduara, pa shtrirje organizative në terren, në çdo lagje urbane e fshatra.
5. Kanë filluar eksponentët e LVV-së, në të cilën kontribuoi, ta përhapin legjendën urbane se, Iliri ka hyrë për ta dëmtuar Alban Hysenin e LVV-së.
6. Kanë filluar disa zëra, ta përhapin legjendën tjetër urbane se, Iliri ka kandiduar për Kryetar Komune, sepse nuk e bënë bartës të listës në LVV dhe kandidimi i tij më shumë i ngjason hatërmbetjes e zemërimit, sesa kandidimit që e ka menduar gjatë. Është dalë për rritje të etazhitetit në ndërtim, nga oligarkët, ndonëse kjo gjithmonë ka qenë edhe paragjykim për këdo.
Një legjendë tjetër e përhapur është se, Albini nuk e do Albanin, sepse sikur të besonte Kurti se kandidatura e Listës Guxo në Gjilan me Ilirin do ta shpëndante votën për Albanin, do ta bindte shumë lehtë Donika Gërvallën dhe Faton Pecin, që të mos garonte Iliri në Gjilan. Duke mos e dashur Albanin, Kurti ka heshtur dhe fshehtas e dëshiron humbjen e Albanit. Një legjendë tjetër urbane është se, Iliri ka dalë si kandidat i Listës GUXO se, Albani për shkak të zhgënjimit të qytetarëve, veç me hapje të njëkohshme të aq shumë punishteve dhe zvarritjeve të punimeve, nga frika e LVV-së që do ta humb garën me Arbërin e LDK-së, prandaj disa vota që do të mund të shkonin për Arbërin e LDK-së, shpërndahen edhe tek Iliri. Një legjendë tjetër urbane është se, LVV-ja nuk e duron demokracinë e brendshme, prandaj, duke mos lejuar kundërkandidatura për Kryetar Komune me Albanin, atëherë kandidatura e Ilirit është veç simptomë e mungesës së demokracisë në LVV. Ose në variantin: nuk lënë hapësirë për të tjerë, për figura të reja publike, për alternativa të reja publike etj.
7. Rreziku kryesor për figura të reja publike është se votuesit vrapojnë pas fituesit potencial, ose pas atij që besojnë se do të fitojnë. Në rast se thonë në mendje: o veç më shkon vota huq, se nuk fiton, kjo i dëmton gjithmonë figurat e reja, alternativat e reja në garat lokale e qendrore. Ky mendim dëmton demokracinë dhe pluralizmin, por është mjaft i përhapur.
8. Një mangësi tjetër është vështirësia për kohë aq të shkurtër, të familjarizohet me diskursin e zgjedhjeve lokale, depërtimin e mesazheve dhe projekteve të tij tek audienca.
9. Kohës së fundit, imazhin dhe humbjen e besimit të publikut për arkitektin në politikë, e ka dëmtuar keqqeverisja e Përparim Ramës në Prishtinë, i cili nuk la gjurmë të rëndësishme në komunë, duke ngelur vetëm me një tunel si “Kurrizi”, që është fare pak për një kryeqytet.
10. I duhet shumë hapësirë mediatike për t’u njohur si zë e figurë e për të pasur mundësi për të shpaluar projektet e tij për Gjilanin.
11. Duke mos e njohur aq, nuk e dimë edhe si do të ketë paraqitjet e tij publike para dhe gjatë fushatës së Zgjedhjeve Lokale 2025.
12. Nuk e dimë sa do të shpërndajë mjete financiare, Lista GUXO, për kandidatët e vet, e financat në fushatë, janë një nga faktorët kryesore për rezultatin zgjedhor. GUXO është pjesë e partive parlamentare dhe ka buxhet nga Ligji për financimin e subjekteve politike, pavarësisht se është në koalicion me LVV-në.