Nuk ka ende ndonjë sinjal se SHBA-ja do të veprojë njësoj si Kosova për tarifë zero në importe. Në Ambasadën amerikane në Prishtinë thanë se kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë, teksa numëruan fushat ku ekonomia amerikane ka interes.
Energjia, mbrojtja, infrastruktura dhe sektori i informacionit janë disa nga sektorët që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i shohin si mundësi për bashkëpunim ekonomik me Kosovën.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë për Kohën se mirëpret vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifës 10 për qind për mallrat amerikane që futen në Kosovë, por nuk ka treguar nëse një gjë të tillë do ta bëjë edhe Amerika ndaj Kosovës.
“Ambasada e SHBA-së mirëpret heqjen e tarifave ndaj mallrave amerikane nga ana e Qeverisë së Kosovës. Për më shumë informacione lidhur me tarifat, ju referojmë te Shtëpia e Bardhë ose Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së (USTR). Ne shohim mundësi për bashkëpunim ekonomik në Kosovë në disa sektorë, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe sigurinë kibernetike”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.