Shenja të Zvicrës shihen nëpër Gjilan dhe fshatrat përreth. Rrugëve të rajonit të Anamoravës bien në sy dhjetëra biznese me emra qytetesh zvicerane. Nëpër shtylla elektrike, xhama dyqanesh e tarraca shtëpish janë vendosur flamujt e shtetit helvetik.
Fotografitë e tyre rrokën vëmendjen e mediave kombëtare në prag të ndeshjes ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë, ku golashënues në fitoren e helvetikëve ishin dy nga katër shqiptarët që mbrojnë ngjyrat kuq e bardhë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Lojtari që ia siguroi Zvicrës fitoren 2 me 1 në minutën e fundit, Xherdan Shaqiri, u lind në Zhegër. Në ndeshje luajti edhe golashënuesi tjetër, Granit Xhaka, si dhe Valon Behrami e Blerim Xhemajli.
Krejt zviceranë
Por nuk është hera e parë që Gjilani dhe rrethina falënderon me vendosjen e flamujve zviceranë shtetin ku ndodhet pjesa më e madhe e mërgimtarëve të rrethinës.
“Jo, jo, flamujt i kemi vendosur një javë para ndeshjes. Flamujt i vendosim çdo vit. Natyrisht se kishte lidhje me ndeshjen, por kjo është një shenjë e mirënjohjes për krejt çfarë kanë bërë bashkatdhetarët tanë për ne”, thekson Kadri Selimi, pronar i kafenesë “Te Dushi”, ku u diskutua dhe u vendos për vendosjen e flamujve përgjatë Rrugës së Prishtinës në dalje të Gjilanit./koha/