Mizore, por të mitura
(Një qasje profesionale, në hollësi, pas ngjarjes shokuese në Gjilan)
Shkruan: Avni Rudaku
Të gjithë njerëzit, në raport me të tjerët, ndahen në tri kategori kryesore: tipa socialë (të shoqërueshëm me të tjerët, nuk rrinë dot vetëm), tipa asocialë (të pashoqërueshëm, nuk ndjejnë nevojë për ndërveprim social, më të mbyllur nga vetë natyra, por jo kundër të tjerëve) dhe tipa antisocialë (kundër normave shoqërore e ligjore, agresorë, lëndues ndaj të tjerëve). Një video e publikuar së fundi për dhunën e bashkëmoshatareve në grup ndaj një të miture në Gjilan, ka të bëjë me sjellje antisociale. Të gjithë u tronditëm, u mllefosëm dhe lloj-lloj reagimesh bëmë ndaj videos së publikuar, ku shihet në një shtëpi të braktisur në Gjilan e me ndriçim celularësh, teksa disa vajza tinejxhere rrahin brutalisht një vajzë bashkëmoshatare, duke e akuzuar që “ajo ka folur për to” (thashethema koti), duke e lënduar fizikisht, duke e rënduar psikologjikisht, duke e torturuar, duke e shpotitur, ngacmuar, dhe për ta arritur më tej kulmin, duke e regjistruar ngjarjen në mënyrë audio-vizuele, për të kaluar nga viktima te publiku i gjerë, për dokumentim të sjelljes antisociale. Këto sjellje janë të njohura edhe si “mobing grupor”, ose “bullizëm grupor”, por siç do ta argumentoj, kjo ndodhi më së afërmi i shkon torturës, pasi përfshihet dhuna e rëndë fizike, verbale, psikologjike; fyerjet nga më të rëndat, privimi nga liria, trajtimi mizor, kërcënime, shantazhe, argëtim sadistik, hakmarrje çnjerëzore etj. Edhe në rastet më ekstreme të luftës, pengmarrjes, ka rregulla kur mbahet dikush e shtrënguar fizikisht, ndërsa në rastin në Gjilan, tinejxheret nuk respektojnë asnjë kod të pashkruar e të shkruar njerëzor. Sjelljet e tyre ishte mizore, por ishin të mitura. Prandaj, edhe diskutimi bëhet gjithnjë e më i vështirë, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, sepse ato të mitura kanë nevojë për edukim, rehabilitim dhe risocializim me programe sistematike, monitorim të sjelljes, terapi të shëndetit mendor, për shumë kohë, parandalim recidivizmi në të ardhmen, e jo ndëshkime, linçime, publikime, hakmarrje, dhunë virtuale, izolim ekstrem. Masat e ashpra nuk kanë rezultuar shpesh me sukses në uljen e krimeve, ose parandalimin e recidivizmit. Edhe diçka: shumë sjellje mizore të fëmijëve të vegjël para luftës së vitit 1999, të bashkëmoshatarëve të mi, qoftë ndaj njerëzve, qoftë ndaj kafshëve, qoftë ndaj natyrës, i kam parë me sytë e mi, por atëbotë, nuk kishte celularë, rrjete sociale, për të dalë nga mëhalla e vogël në agorë e forum për audiencë të gjerë, dhe tash stigmatizimi mund të mos shlyhet kurrë nga makinat e kërkimit në internet e rrjete sociale. Dhe ata fëmijë të dikurshëm mizorë, i njoh, se qyteti është i vogël, dhe sot janë bërë njerëz të mirë, me integritet, profesionistë të dëshmuar në punën e tyre etj. Pra, ka shpresë, veçmas fëmijët e vegjël, që ende nuk e kanë formësuar në plotëni, personalitetin e tyre, dhe merren masa të intervenimit të shpejtë, sistematik e profesional. Janë ende axhami, të papjekur, dhe diçka ka shkuar shumë keq, në sjellje antisociale, dhe duhet të përpiqemi institucionalisht, t’i ndihmojmë për drejtim krejtësisht tjetër, për sjellje prosociale. Natyrisht, shkenca e njeh edhe Çrregullimin e Personalitetit Antisocial, nuk mund të përjashtohen gjasat për raste të tilla, madje nëse nuk ka intervenime të hershme, tiparet e tilla vështirë zbehen ose zbuten, apo ekziston rreziku real në formësimin e Çrregullimit të Personalitetit Antisocial si i rritur, por nuk mund të diagnostifikohet para moshës 18 vjeç, nuk etiketohen fëmijët sociopatë ose psikopatë, mbështetur nga manuali më i rëndësishëm në botë, Manuali Diagnostikues dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore i Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, siç do ta shohim në këtë analizë. Gjithashtu, për t’i ikur etiketimit të fëmijëve me këto diagnoza, përdoren togfjalëshat si, “çrregullim i sjelljes”, kur fëmija tregon model të përsëritur të shkeljes së normave shoqërore, si dhunë, gënjeshtër, mungesë të kërkimfaljes, ose “shenja të mungesës së ndjeshmërisë emocionale”, kur fëmija nuk ka empati, nuk kërkon falje etj.
Nuk ishte bullizëm, por “torturë civile”
Ajo që shohim në video, në qëllim, përmbajtje, sjellje, është “torturë civile”. Termi “torturë” sipas Konventës kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese, “nënkupton çdo akt me anë të të cilit një personi i shkaktohet qëllimisht dhimbje ose vuajtje e fortë, qoftë fizike ose mendore, për qëllime të tilla si marrja prej tij ose një personi të tretë informacioni ose një rrëfimi, ndëshkimi i tij për një veprim që ai ose një person i tretë ka kryer ose dyshohet se e ka kryer, ose frikësimi ose shtrëngimi i tij ose i një personi të tretë, ose për çdo arsye të bazuar në diskriminim të çdo lloji, kur një dhimbje ose vuajtje e tillë shkaktohet nga ose me nxitjen e ose me pëlqimin ose pranimin e një zyrtari publik ose një personi tjetër që vepron në një cilësi zyrtare.” (Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese, neni 1, 1987, në linkun: https://www.ohchr.org/sites/default/files/cat.pdf)
Për shkak se tortura nuk është kryer nga zyrtarë ose në cilësinë zyrtare, Konventa merret me obligimet e shteteve, që duhet të parandalojnë çfarëdo torture, madje te neni 16 i Konventës, shteti merr përgjegjësi për parandalimin e çfarëdo torture që ndodh nga civilët dhe merr obligime për të zbatuar drejtësinë me ndëshkime sa herë të shfaqet tortura si akt çnjerëzor. Sidoqoftë, ajo që e shohim në video nuk është bullizëm, sepse ngacmim nënkupton çdo shqetësim, bezdisje, me fjalë, gjeste, veprime dhe mund të jetë nga më i lehti deri te më i rëndi, ndërsa tortura është gjithmonë e rëndë, çnjerëzore, poshtëruese, mizore. Prandaj, pavarësisht shkallës më të ulët të përgjegjësisë si të mitura me çdo ligj në botë, normë shoqërore e kulturore, të miturat në qëllim, përmbajtje e sjellje, kanë kryer torturë, megjithëse nuk hyn në ndonjë kategori juridike të konventave ndërkombëtare, që kanë të bëjnë në radhë të parë me shtetet dhe zyrtarët. Prandaj, për ta dalluar torturën sipas Konventës, nga ajo që kanë bërë vajzat, do ta quaja “torturë private”, ose “torturë civile”, dhe përderisa ka ndodhur në grup të miturash, atëherë edhe “torturë civile grupore”, ose “torturë civile në grup”. Për shkak se të miturat që kanë kryer torturën ndaj bashkëmoshatares së tyre, e kanë xhiruar me video dhe video ka qarkulluar jo vetëm te viktima e prindërit e saj, por në të gjithë hapësirën publike, ajo mund të quhet edhe “torturë publike”, çka e bën ngjarjen edhe më mizore. Sidoqoftë, është dhunë mizore, krejt e ngjashme me torturën, por juridikisht nuk njihet si torturë, dhe nuk ka të bëjë me konceptin e torturës nga Konventa. Tortura civile nga ajo shtetërore ose zyrtare, dallon edhe nga pushteti. Tortura nga organet e shtetit vjen nga të pushtetshmit, ndërsa ajo civile jo me atë pushtet, ndonëse jo pa fuqi fizike për kontroll të viktimës dhe organizim në grup. Madje, nga rrëfimi për ngjarjen, ka analogji edhe me rrëmbim e kidnapim, se si e kanë sjellë në shtëpinë e braktisur, vetë viktimën, përmes shoqes së saj. Megjithatë, shkurtimisht: video tregoi për sjellje mizore, por ishin të mitura, dhe në asnjë mënyrë nuk kualifikohet veç bullizëm, por as nuk kualifikohet si torturë. Në ligje as nuk ka torturë civile, as private, por vetëm për çështje diskursi të nivelit të dhunës, po përpiqem të gjej analogji. Madje, nëse do të kualifikohej si torturë, si shkaktim i dhembjes së qëllimshme, do të ishte vetëm nga personat zyrtarë që e kanë ndalur ose e kanë nën kontroll në cilësinë zyrtare, por jo për civilët, dhe sipas Kodit Penal të Kosovës, tortura do të hynte në krime kundër njerëzimit. Shumë e rëndë, apo jo?! Kodi Penal parasheh për moshat me përgjegjësi penale, lëndimin e lehtë dhe të rëndë trupor, pjesëmarrja në rrahje, mosdhënia e ndihmës; privim i kundërligjshëm i lirisë jo, sepse e kanë liruar atë natë, e jo mbajtur për 15 ditë siç e parasheh Kodi, ngacmimi etj. Ajo që dua të theksoj është se, sjellja antisociale me të miturën nga vetë të miturat është dhunë e rëndë, e papranueshme, dhe duhet qasje serioze, urgjente, sistematike, profesionale dhe gjithëpërfshirëse. E sidomos bëhet më urgjente dhe më serioze, ky intervenim, që janë përfshirë të miturat dhe kanë trajtim të veçantë kudo në botë.
Viktima dhe familja
Dhembshuria më e madhe mbetet në radhë të parë ndaj vetë viktimës. Viktima përjeton jo vetëm lëndime fizike, trupore, por edhe traumatizohet, poshtërohet në grup e publikisht dhe shtrëngohet çnjerëzisht. Ajo pëson dëme afatgjata, traumë, humbje totale të besimit tek të tjerët, rënie drastike të vetëbesimit, vetëvlerësimit, vetërespektit; ankth, depresion, izolim, vetmi, pasoja për shëndetin fizik, vështirësi për marrëdhënie sociale me të tjerët, efekte në suksesin në shkollë dhe arritjet akademike, rreziqe të panumërta etj. Prandaj, krejt vëmendja duhet të jetë te viktima, në radhë të parë. Gjithashtu, familja e viktimës, veçmas prindërit, janë të shokuar, të thyer shpirtërisht, me këtë tragjedi. Duhet mbështetje emocionale, terapi individuale e familjare, të gjitha të siguruara nga shteti e Komuna e Gjilanit. Duhet angazhim i shkollës, drejtorisë, mësimdhënësve, bashkëmoshatarëve për ta përkrahur pas tragjedisë. Familja e viktimës si palë e dëmtuar, duhet të kompensohet edhe materialisht sipas ligjeve në fuqi. Prindërit, për shkak të kujdesit intensiv dhe sistematik që duhen ta kenë për fëmijën viktimë, nëse janë të angazhuar në sektorin publik, të kenë pushim deri në një periudhë të arsyeshme, me pagesë të plotë. Nëse janë në sektorin privat, apo të vetëpunësuar, duhet gjithashtu të ketë mbështetje nga vetë punëdhënësi privat dhe komuna e shteti. Fëmija ka më shumë se kurdoherë, nevojë për prani fizike e psikologjike të prindërve. Fëmija duhet të përfshihet në aktivitete kulturore, sportive, varësisht nga talenti e hobi i saj, ecje në natyrë, për t’u integruar në shoqëri. E mbijetuara e dhunës grupore të tinejxhereve, duhet të përkrahet më së shumti, nga të gjithë dhe sistematikisht. Më së shumti institucionalisht, e shoqërisht.
Dhuna e tinejxhereve
Në krejt botën, tinejxherët, për shkak se ende nuk i kanë përmbushur as 18 vjeç, trajtohen në mënyrë të veçantë, nga shteti, drejtësia dhe çdo institucion tjetër. Presupozohet që tinejxherët, veçmas 13-14 vjeçaret, duke u ballafaquar me një ndryshim të theksuar fizik, fiziologjik, hormonal, social e psikologjik, ato meritojnë kujdes specifik veçmas në këtë moshë puberteti. Fillojnë ta njohin identitetin personal e me mundësi edhe të krizave të identitetit, merakosen me tepri për dukjen fizike, lidhen më shumë me shoqet, bashkëmoshatarët, duke u ndikuar tejmase prej tyre. Janë më labile emocionalisht, sa janë në gëzim, mund të kalojnë në dëshpërim. Krijojnë ndjenja të forta për identitetin social e grupor. Kanë shumë sfida se si i kontrollojnë dhe menaxhojnë pritshmëritë për veten e tyre në mësime, për vëmendje sociale, zemërimin etj. Kanë shumë vështirësi që t’i ndajnë mendimet, shqetësimet e tyre me të tjerët, sepse gjithmonë e kanë një bindje “nuk na kupton neve askush”. Kryesisht ndajnë privatësi me shoqet, e më pak me familjen, nëse nuk rriten me komunikim më demokratik brenda shtëpisë. Kërkojnë me ngulm më shumë pavarësi, veçmas liri për aktivitete, kohë të lirë e qëndrim jashtë shtëpisë, ndonëse duhet gradualisht ta fitojnë “17-Shkurtin e tyre”, sepse ende nuk e kanë maturacionin e plotë fizik, fiziologjik, seksual, kognitiv, emocional, social dhe ekonomik. Fillojnë veçmas me dashuritë e para, flirtimin dhe lidhjet e para emocionale. Bëhen me kokëforta në çështjet e drejtësisë e padrejtësisë, qysh i konceptojnë vetë ato. Provojnë stile të ndryshme të veshjes, dukjes, paraqitjes publike. Kanë ndryshime radikale hormonale, rritje të shpejtë të karakteristikave primare seksuale dhe ato sekondare, duke pasur nevojë të lartë për edukim seksual e shëndetësor, por edhe kulturor e psikologjik. Me rritjen e përdorimit të medieve sociale, veçmas SnapChat-tit, Instagramit, TikTok-ut, gjithnjë e më shumë përjetojnë një fenomen të quajtur FOMO (Frika se po lë diçka mangut), duke vuajtur shpesh që nuk janë në ato çaste duke u kënaqur siç po kënaqen të tjerët, vazhdimisht krahasojnë jetën e tyre “tmerr”, me jetën e “lumtur” të të tjerëve në postime publike. Vuajnë për të qenë virale, të ndjekura, të pëlqyera e me komente pozitive. Shumica nuk arrijnë të “lumturohen” nga dopamina të rrejshme, skrroli absurd aq shumë orësh, vështirësi për gjumë të rregullt, mungesë përqendrimi në gjëra të dobishme shkollore e sociale, ngarendje për postime me theks të posaçëm dukjen fizike me aq shumë shkrepje për një foto që menduakan se mund të jetë tërheqëse etj. Zhvillojnë shumë komplekse mbi fizikusin, kapacitetet sociale e kognitive etj. Edhe me Kodin e Gazetarisë, edhe me Kodin Nr. 06/L-006 TË DREJTËSISË PËR TË MITUR në Kosovë, trajtohen në mënyrë të veçantë, edhe nëse kanë përgjegjësi penale etj.
Cili Kod Etik u shkel gjatë raportimit të rastit?
Kodi Etik i Mediave të Shkruara të Kosovës, Kapitulli VI, është shkelur tërësisht, nga disa medie kosovare dhe faqe private të përdoruesve online. Duhet urgjentisht ankesë në KMSHK. Ja linku për prindërit e të miturave, ku mund të bëhet ankesa online dhe jam i sigurt se miratohet: https://presscouncil-ks.org/?page_id=97
Mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve, ndalon çfarëdo publikimi të fotografisë, qoftë si viktima, qoftë si dëshmitare, qoftë me ose pa përgjegjësi penale për shkak të moshës:
1. Gazetarët nuk do të duhej të intervistojnë apo të fotografojnë fëmijë nën moshën 18 vjeçare rreth çështjeve të cilat bëjnë fjalë për familjen e tyre, pa pëlqimin e prindit apo të ndonjë të rrituri i cili është përgjegjës për fëmijën.
2. Gazetat, portalet dhe agjensitë e lajmeve në asnjë mënyrë nuk do të identifikojnë fëmijët nën moshën 18 vjeçare të cilët janë të përzier në vepra penale, qoftë si dëshmitarë, apo të pandehur.
3. Trajtimi i rrëfimeve mbi tragjeditë personale duhet të zhvillohet me kujdes, ndërkohë që ndaj individëve të prekur me tragjedi duhet pasur qasje mirëkuptimi dhe diskrecioni.” (KMSHK, “Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës”, Prishtinë, në linkun: https://agk-ks.org/site/assets/files/2614/press-code-for-kosovo_alb_1.pdf)
Edhe sot, shumë medie i kanë të postuara fotografitë e viktimës dhe tinejxhereve që e dëmtuan atë. Menjëherë duhet larguar ato. As përdoruesit privatë nuk duhet t’i mbajnë në celularët e tyre dhe as t’i ndajnë me të tjerët.
Kodi i Drejtësisë për të Miturit dhe dy bashkëpjesëmarrëset nën 14 vjet
Me Kodin e Drejtësisë për të Miturit në Kosovë, fëmijë konsiderohet çdo person që nuk i ka mbushur 18 vjet; i mitur çdo person që i ka arritur 14 vjet, por nuk i ka mbushur 18 vjet. Pastaj, të miturit ndahen në: i mitur i ri që i ka mbushur 14 vjet, por ende nuk i ka mbushur 16 vjet, dhe i mitur i rritur që i ka mbushur 16 vjet, por nuk i ka mbushur 18 vjeç. Nëse vepra penale ka ndodhur nën moshën 14 vjet, qoftë edhe për 1 ditë të vetme, nuk llogariten as të mitura, pra moshë pa përgegjësi penale. Me këtë kod, fëmijë nën moshën e përgjegjësisë penale është fëmiu i cili në kohën e kryerjes së veprës penale nuk i ka mbushur 14 vjet. Neni 8, Procedura e mbrojtjes së fëmijës nën moshën e përgjegjësisë penale, specifikon se për nën 14 vjeç, nuk fillon as procedura gjyqësore, madje pushon procedura gjyqësore, sipas dokumenteve të tjera ligjore, sapo prokurori për të mitur informohet për moshën e fëmijëve, si dhe menjëherë Organi i Kujdestarisë njoftohet për rastin nga policia, pas konsultimit me prokurorin e shtetit për të mitur. Organi i Kujdestari në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera trajton kryerëset e veprave penale nën 14 vjeç. Në afat jo më të gjatë se 7 ditë, e në raste urgjente si kjo në Gjilan, jo më vonë se 24 orë, Organi i Kujdestarisë, duhet ndërmarrë të gjitha masat urgjente për trajtimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nën moshën 14 vjeç. Masa urgjente përfundon në çastin kur Organi i Kujdestarisë përpilon programin e rregullt për mbrojtje dhe trajtim. (KODI NR. 06/L-006 I DREJTËSISË PËR TË MITUR, në linkun: https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=18019)
Përveç Kodit, është edhe Udhëzimi administrativ (QRK)-nr. 01/2021 – Për mbrojtjen dhe trajtimin e fëmijëve kryerës të veprave penale nën moshën e përgjegjësisë penale, fëmija nën 14 vjeç nuk i nënshtrohet as procedurës gjyqësore, as dënimit me burg, as futjes në institucion tjetër ndëshkimor, as nuk do të ketë diskriminim direkt ose indirekt pavarësisht shkallës së sjelljes antisociale, apo sjelljeve të tjera të papranueshme. Gjatë gjithë procesit, menaxheri i rastit, punon sipas parimit, një familje, një program, një ekip. Madje, as dërgimi në stacion policor për të mos e stigmatizuar (Neni 8, paragrafi 1), apo vetëm për një kohë tepër të shkurtër (paragrafi 4), madje edhe transporti në stacion policor, duhet të bëhet ndaras me të rriturit. Njoftohet prindi, kujdestari e QPS. Pas marrjeve së informatave, menjëherë lirohet fëmija dhe e shoqërojnë prindi, kujdestari e zyrtarët e shërbimeve sociale. Nuk guxon asnjë informatë konfidenciale të jepet për palët e treta ose asnjë publikim që shpie në identifikimin se kush janë, siç ka ndodhur në disa medie të Kosovës, duke u publikuar fotot dhe ende disa prej tyre nuk janë hequr nga regjistri publik online. Pastaj, fëmijës i sigurohet psikologu specialist i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, kontrolli mjekësor etj. Institucionet e ndihmojnë fëmijën për t’u integruar në familje, e në asnjë rrethanë për ta leçitur familja. Vetëm nëse ka rrezik për fëmijën brenda familjes, mund të hiqet e drejta e kujdestarisë nga prindërit, madje as pa pëlqimin e prindërve dhe gjykata. QPS e ka përgjegjësisë për ta asistuar familjen për fëmijën. Gjatë vlerësimit gjithëpërfshirës profesional, nuk vlerësohet vepra që e kanë shkaktuar, por nevojat e fëmijëve. Ky vlerësim bëhet nga Organi i Kujdestarisë, me institucionet shëndetësore, edukative, OJQ, ekspertë. Shtëpitë për mbrojtjen e fëmijës pranë QPS-së, ofrojnë shërbime emergjente për fëmijën, por jo më gjatë se 3 ditë. Nëse familja nuk është ambient i përshtatshëm, atëherë Organi i Kujdestarisë ose e vendos fëmijën në strehim familjar, ose strehim rezidencial. Strehimi familjar është përparësi, bëhet tek të afërmit familjarë të fëmijës, ose familje strehuese e licencuar nga ministria përkatëse. Në rastin në fjalë, Komuna e Gjilanit ka përgjegjësi ligjore për sigurimin e të gjitha shërbimeve. Për secilin fëmijë, caktohet menaxheri i rastit, i cili duhet të jetë punëtor i QPS-së në Gjilan, madje nuk mund të ngarkohet me më shumë se 6 raste aktive në të njëjtën kohë, që i bie në rastin e rëndë në Gjilan, mund t’i marrë të gjitha vajzat e grupit ose veç ato nën 14 vjeç, duke e bërë programin e fëmijës, me plan individual etj. Gjithashtu, Udhëzimi Administrativ parasheh ndërmjetësimin ndërmjet bashkëmoshatarëve. Duke u informuar për rastin, ndërmjetësimi është tejet i vështirë edhe në mes të prindit të viktimës dhe prindërve të kryerësve të veprës penale pa përgjegjësi penale, sepse ajo që ka ndodhur, ende ka sfida për ta përballuar, prandaj duhet kujdes i veçantë qoftë në ndërmjetësimin e bashkëmoshatarëve, qoftë të prindërve. Ky ndërmjetësim i bashkëmoshatarëve mund të parashihet në raste më të lehta, por për ndodhinë në Gjilan, e dramë kombëtare kudo që është dëgjuar si rast nga mediet, është tejet i vështirë dhe duhet pasur shumë kujdes në qasje. Madje, gjykuar nga rasti, nuk do ta rekomandoja fare ndërmjetësimin nga prokurori për të miturit, menaxheri i rastit, për shkak të natyrës së rëndë penale, pavarësisht moshës. (Shih: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=36551)
Kodi i Drejtësisë për të Miturit dhe bashkëpjesëmarrëset e tjera 14-vjeçare
Bashkëpjesëmarrëset tinejxhere në grup, duke e rrahur, fyer e ngacmuar bashkëmoshataren e tyre, sipas Kodit të Drejtësisë për të Miturit, konsiderohen të mitura të reja, pasi kanë arritur moshën 14 vjet, qoftë edhe të lindura në janar, apo edhe korrik të këtij viti. Me Nenin 12, sipas këtij kodi, dënimet që mund të shqiptohen ndaj të miturve janë: gjoba, urdhri për punë në dobi të përgjithshme dhe burgimi për të mitur, por dënimi nuk mund t’i shqiptohet të miturit i cili ka qenë nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet në kohën e kryerjes se veprës penale. Pra, as për këto të miturat e tjera, nuk ka dënim, por edukim, rehabilitim dhe risocializim. Kohëzgjatja e çfarëdo mase apo dënimi të shqiptuar duhet të përcaktohet me vendim të gjykatës në pajtim me këtë Kod. Kur gjykata cakton dënimin me burgim për të mitur deri në dy (2) vjet ose masën e dërgimit në institucion edukativo-korrektues deri në dy (2) vjet, mund të shqiptojë dënimin me kusht në pajtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.” (KODI NR. 06/L-006 I DREJTËSISË PËR TË MITUR, në linkun: https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=18019)
Të gjitha të miturat janë “viktima”
Kur shohim sjellje të tilla të të miturave, për shkak se nuk aplikohet ndëshkimi, dënimi, burgimi, por edukimi dhe rehabilitimi, ato mund të konsiderohen edhe të gjitha viktima dhe përgjegjësi duhet të mbajnë të gjithë, veçmas prindërit që kanë përgjegjësi për çdo gjë nën 18 vjet. Në anën tjetër, në shoqëri demokratike, përgjegjësia gjithmonë është individuale. Ato janë fëmijë dhe familja, shkolla, shteti, gjithashtu mbahen përgjegjëse për rrethanat që mund të ndikojnë. Fëmijët po ballafaqohen me ekspozim të tepruar në rrjete sociale, ku dhuna, xhelozia, inati, modelet sharlatane publike, influencerë, bllogerë, vllogerë, kanë ndikim të jashtëzakonshëm në modelimin e sjelljeve të dhunshme dhe përforcimin e tyre, prandaj, në një kuptim fëmijët pavarësisht rolit si kryerës të veprës penale ose viktimë, janë viktima të sistemit çorientues, edukimit të dobët, sistemit çoroditës të vlerave shoqërore, sistemit politik, krizave ekonomike familjare, menaxhimit katastrofal të përdorimit të teknologjisë etj. Gjithashtu, imagjinoni prindërit e këtyre të miturave, dytë mund të punojnë, angazhohen në punë, stërlodhen, familjet janë të vogla, fëmijët shpesh rrinë vetëm, orë të tëra para celularit dhe lloj-lloj algoritmit, duke e vënë në rrezik potencial çdo fëmijë. Nuk ka shumë kohë, energji, edhe nga vetë prindërit, të merren aq gjatë me fëmijët e tyre, përkundër që mbajnë përgjegjësi direkte. Megjithatë, duke qenë se autorët janë fëmijë, ato vetë janë produkt i rrethanave shoqërore, ndikimeve negative dhe dështimeve institucionale (familja, shkolla, drejtësia, Qendrat e Shërbimeve Sociale etj.) që nuk kanë arritur t’i edukojnë, t’i mbrojnë dhe t’i drejtojnë drejt sjelljeve paqësore. Për këtë arsye, të gjitha të miturat e përfshira, si ajo që pësoi dhunën, ashtu edhe ato që e ushtruan atë, në një kuptim më të gjerë janë viktima: e para, viktimë direkte e dhunës; të tjerat, viktima të kushteve dhe mungesës së mbrojtjes së duhur nga shoqëria, familja, shkolla dhe shteti. Ky rast tregon nevojën urgjente për politika parandaluese, edukim mbi empatinë dhe mekanizma efektivë të ndërhyrjes për fëmijët në rrezik. A nuk janë fajtore pas ndodhisë, edhe mediet që shkelën Kodin Etik dhe ekspozuan me fotografi të miturat, që ndalohet rreptësisht me ligjet në fuqi dhe Kodin Etik të Medieve të Shkruara?! Diçka nuk është në rregull dhe diçka nuk po funksionon mirë me asnjë institucion, përfshirë edhe familjen.
Përgjigje për disa komente mbi sociopatinë dhe psikopatinë
Me të drejtë, video e publikuar ngjalli jo vetëm pikëllim, por edhe mllef të pabesueshëm publik. Në këtë mllef, lexoja komente nga më mizoret, sikur vetë akti. Pasi kam përfunduar studimet për psikologji dhe nga kureshtja ime e gjerë që përcjell në vazhdimësi zhvillimet në psikologji klinike dhe psikiatri botërore, do të elaboroj në tërësi kujdesin që duhet pasur me diagnoza rreth psikopatisë dhe sociopatisë, pasi që shoh shumë komente amatore, qoftë edhe nga figura të njohura publike. Këtu do të ndaj gjithçka profesionale dhe shkencore mbi psikologjinë abnormale dhe psikiatrinë, rreth Çrregullimit të Personalitetit Antisocial, pasi që manuali më i njohur botëror, përditësohet kryesisht në çdo 10 vjet, dhe sociopatinë e psikopatinë, nuk i njeh si kategori të ndara të diagnostifikimit, por të gjitha futen në një kategori të veçantë diagnostifikuese, si “Çrregullimi i Personalitetit Antisocial”, pasi siç e përmenda që në fillim, tipat antisocialë janë aktivisht kundër të tjerëve, kundër shoqërisë, lëndojnë, poshtërojnë të tjerët dhe kanë kënaqësi patologjike gjatë aktit lëndues. “Manuali Diagnostikues dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore i Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, Botimi i Pestë, Rishikimi i Tekstit (DSM5-TR), më i fundit, i vitit 2022, është rishikimi i parë i botuar i DSM-5, i cili i integron kriteret diagnostikuese të botuara origjinale të DSM-5 me modifikime (kryesisht për qartësi) për mbi 70 çrregullime, tekst përshkrues të azhurnuar në mënyrë gjithëpërfshirëse që shoqëron secilin prej çrregullimeve të DSM-së bazuar në rishikimet e literaturës që nga publikimi i DSM-5, dhe shtimin e një diagnoze të re, çrregullimin e zgjatur të pikëllimit dhe kodeve të simptomave për raportimin e sjelljes vetëvrasëse dhe jo-vetëvrasëse vetëlënduese.”( American Psychiatric Association, “DSM-5-TR”, Washington, 2022).
Në DSM5-TR, Çrregullimi i Personalitetit Antisocial hyn në kuadër të Çrregullimeve të Personalitetit dhe diagnostifikohet me kodin F60.2. Kriteret diagnostifikuese janë:
“A. Një model i përhapur i shpërfilljes dhe shkeljes së të drejtave të të tjerëve, që ndodh që nga mosha 15 vjeç, siç tregohet nga tre (ose më shumë) nga të mëposhtmet:
1. Mosrespektimi i normave shoqërore në lidhje me sjelljet e ligjshme, siç tregohet nga kryerja e përsëritur e veprimeve që janë bazë për arrestim.
2. Mashtrim, siç tregohet nga gënjeshtrat e përsëritura, përdorimi i pseudonimeve ose mashtrimi i të tjerëve për përfitim ose kënaqësi personale.
3. Impulsivitet ose dështim për të planifikuar paraprakisht.
4. Irritueshmëri dhe agresivitet, siç tregohet nga përleshje ose sulme fizike të përsëritura.
5. Shpërfillje e pamatur për sigurinë e vetes ose të të tjerëve.
6. Papërgjegjësi e vazhdueshme, siç tregohet nga dështimi i përsëritur për të mbajtur sjellje të qëndrueshme në punë ose për të përmbushur detyrimet financiare.
7. Mungesë keqardhjeje, siç tregohet nga indiferenca ose racionalizimi i lëndimit, keqtrajtimit ose vjedhjes nga një tjetër.
B. Individi është të paktën 18 vjeç.
C. Ka prova të çrregullimit të sjelljes me fillim para moshës 15 vjeç.
D. Shfaqja e sjelljes antisociale nuk është ekskluzivisht gjatë shfaqjes së skizofrenisë ose çrregullimit bipolar. (Po aty, f.748)
Çrregullimi i Personalitetit Social shpesh njihet në publik si psikopati ose sociopati. Sipas DSM-së 5-TR, thuhet: “Tipari thelbësor i çrregullimit të personalitetit antisocial është një model i përhapur i shpërfilljes dhe shkeljes së të drejtave të të tjerëve që fillon në fëmijëri ose adoleshencën e hershme dhe vazhdon në moshë madhore. Ky model është referuar edhe si psikopati, sociopati ose çrregullim i personalitetit dissocial. Meqenëse mashtrimi dhe manipulimi janë tipare qendrore të çrregullimit të personalitetit antisocial, mund të jetë veçanërisht e dobishme të integrohet informacioni i fituar nga vlerësimi klinik sistematik me informacionin e mbledhur nga burime anësore.”(Po aty, f.749)
Por a mund të jetë i diagnostifikuar një invidid me F.60.2, nëse është nën 18 vjeç? Jo, në asnjë mënyrë. “Që të jepet kjo diagnozë, individi duhet të jetë të paktën 18 vjeç (Kriteri B) dhe duhet të ketë pasur prova të çrregullimit të sjelljes me fillim para moshës 15 vjeç (Kriteri C). Çrregullimi i sjelljes përfshin një model sjelljeje përsëritëse dhe të vazhdueshme në të cilën shkelen të drejtat themelore të të tjerëve ose normat ose rregullat kryesore shoqërore të përshtatshme për moshën. Sjelljet specifike karakteristike të çrregullimit të sjelljes bien në njërën nga katër kategoritë: agresion ndaj njerëzve dhe kafshëve, shkatërrim i pronës, mashtrim ose vjedhje, ose shkelje serioze e rregullave. Modeli i sjelljes antisociale vazhdon në moshë madhore. Individët me çrregullim të personalitetit antisocial nuk arrijnë të përputhen me normat shoqërore në lidhje me sjelljen e ligjshme (Kriteri A1). Ata mund të kryejnë në mënyrë të përsëritur veprime që janë bazë për arrestim (pavarësisht nëse arrestohen apo jo), të tilla si shkatërrimi i pronës, ngacmimi i të tjerëve, vjedhja ose ndjekja e profesioneve të paligjshme. Personat me këtë çrregullim shpërfillin dëshirat, të drejtat ose ndjenjat e të tjerëve. Ata janë shpesh mashtrues dhe manipulues me qëllim që të fitojnë përfitim ose kënaqësi personale (p.sh., për të fituar para, seks ose pushtet) (Kriteri A2). Ata mund të gënjejnë vazhdimisht, të përdorin një pseudonim, të mashtrojnë të tjerët ose të simulojnë. Një model impulsiviteti mund të manifestohet nga një dështim për të planifikuar paraprakisht (Kriteri A3). Vendimet merren menjëherë, pa menduar paraprakisht dhe pa marrë parasysh pasojat për veten ose të tjerët; kjo mund të çojë në ndryshime të papritura të vendeve të punës, vendbanimit ose marrëdhënieve. Individët me çrregullim të personalitetit antisocial kanë tendencë të jenë nervozë dhe agresivë dhe mund të përfshihen vazhdimisht në përleshje fizike ose të kryejnë akte sulmi fizik (përfshirë rrahjen e bashkëshortit ose rrahjen e fëmijës) (Kriteri A4). (Aktet agresive që kërkohen për të mbrojtur veten ose dikë tjetër nuk konsiderohen si prova për këtë pikë.) Këta individë gjithashtu shfaqin një shpërfillje të pamatur për sigurinë e tyre ose të të tjerëve (Kriteri A5).
Kjo mund të dëshmohet në sjelljen e tyre të ngasjes (p.sh., shpejtësi e përsëritur, drejtim nën ndikimin e alkoolit, aksidente të shumëfishta). Ata mund të përfshihen në sjellje seksuale ose përdorim substancash që kanë një rrezik të lartë me pasoja të dëmshme. Ata mund të neglizhojnë ose të mos kujdesen për një fëmijë në një mënyrë që e vë fëmijën në rrezik. Individët me çrregullim të personalitetit antisocial gjithashtu kanë tendencë të jenë vazhdimisht dhe jashtëzakonisht të papërgjegjshëm (Kriteri A6). Sjellja e papërgjegjshme në punë mund të tregohet nga periudha të konsiderueshme papunësie pavarësisht mundësive të punës në dispozicion, ose nga braktisja e disa vendeve të punës pa një plan realist për të gjetur një punë tjetër. Mund të ketë gjithashtu një model të mungesave të përsëritura nga puna që nuk shpjegohen nga sëmundja as tek ata vetë as në familjen e tyre. Papërgjegjësia financiare tregohet nga veprime të tilla si mospagimi i borxheve, mosdhënia e mbështetjes për fëmijët ose mosmbështetja e personave të tjerë në varësi në mënyrë të rregullt. Individët me çrregullim të personalitetit antisocial tregojnë pak keqardhje për pasojat e veprimeve të tyre (Kriteri A7). Ata mund të jenë indiferentë ose të ofrojnë një justifikim sipërfaqësor për lëndimin, keqtrajtimin ose vjedhjen e dikujt (p.sh., “jeta është e padrejtë”, “humbësit meritojnë të humbasin”). Këta individë mund t’i fajësojnë viktimat se janë budallenj, të pafuqishëm ose se e meritojnë fatin e tyre…; ata mund të minimizojnë pasojat e dëmshme të veprimeve të tyre; ose thjesht mund të tregojnë indiferencë të plotë. Ata në përgjithësi nuk arrijnë të kompensojnë ose të ndreqin sjelljen e tyre…” (Po aty, f.748-749)
Individët me çrregullim të personalitetit antisocial shpesh nuk kanë empati dhe priren të jenë të pandjeshëm, cinikë dhe përbuzës ndaj ndjenjave, të drejtave dhe vuajtjeve të të tjerëve. “Ata mund të kenë një vetëvlerësim të fryrë dhe arrogant (p.sh., të ndiejnë se puna e zakonshme është nën nivelin e tyre ose u mungon një shqetësim realist për problemet e tyre aktuale ose të ardhmen e tyre) dhe mund të jenë tepër kokëfortë, të sigurt në vetvete ose mendjemëdhenj. Disa individë antisocialë mund të shfaqin një hijeshi të cekët dhe të sipërfaqshme, dhe mund të jenë shumë të rrjedhshëm në të folur dhe të shkathtë verbalisht (p.sh., duke përdorur terma teknikë ose zhargon që mund të impresionojë dikë që nuk është i njohur me temën).” (Po aty, f.749-750)
Madje, ka një moshë që tiparet e këtij çrregullimi bien me moshën e pjekurisë. “Çrregullimi antisocial i personalitetit ka një ecuri kronike, por mund të bëhet më pak i dukshëm ose të zbehet ndërsa individi maturohet, shpesh rreth moshës 40 vjeç. Edhe pse kjo zbehje është veçanërisht e dukshme në lidhje me përfshirjen në sjellje kriminale, ka të ngjarë të ketë një rënie në të gjithë spektrin e sjelljeve antisociale dhe në përdorimin e substancave. (Po aty, f.751)
Janë disa faktorë që ndikojnë në këtë çrregullim, prej atyre gjenetike, e deri në faktorët socialë, kulturorë dhe stile të papërshtatshme të prindërimit. “Abuzimi ose neglizhimi i fëmijëve, prindërimi i pasigurtë ose i papërcaktuar, ose disiplinimi i pasaktë i prindërve mund të rrisin mundësinë që çrregullimi i sjelljes të evoluojë në çrregullim antisocial të personalitetit. Çrregullimi antisocial i personalitetit është më i zakonshëm tek të afërmit biologjikë të shkallës së parë të individëve që e kanë këtë çrregullim sesa në popullatën e përgjithshme. Të afërmit biologjikë të individëve me këtë çrregullim janë gjithashtu në rrezik të shtuar për çrregullimin e somatizimit (një diagnozë që u zëvendësua në DSM-5 me çrregullimin e simptomave somatike) dhe çrregullimet e përdorimit të substancave. Brenda një familjeje që ka një anëtar me çrregullim antisocial të personalitetit, meshkujt shpesh kanë çrregullim antisocial të personalitetit dhe çrregullime të përdorimit të substancave, ndërsa femrat më shpesh kanë çrregullim të somatizimit.” (Po aty, f.751)
Ka një mori faktorësh të jashtëm, që e rrisin rrezikun për këtë çrrregullim. “Çrregullimi antisocial i personalitetit është lidhur me statusin e ulët socio-ekonomik dhe mjediset urbane. Diagnoza mund të aplikohet gabimisht në disa raste tek individët në mjedise ku sjellja që duket antisociale mund të jetë pjesë e një strategjie mbijetese mbrojtëse (p.sh., krijimi i bandave rinore në zonat urbane me norma të larta të dhunës dhe diskriminimit). Kontekstet sociokulturore me norma të larta të keqtrajtimit të fëmijëve ose ekspozimit në dhunë gjithashtu tregon të ketë një prevalencë të lartë të sjelljeve antisociale, duke sugjeruar ose një faktor rreziku për zhvillimin e çrregullimit antisocial të personalitetit, ose një mjedis të pafavorshëm që nxjerr sjellje antisociale reaktive dhe kontekstuale që nuk përfaqësojnë tipare të përhapura dhe të qëndrueshme që janë në përputhje me një çrregullim të personalitetit. Në vlerësimin e tipareve antisociale, është e dobishme që klinicisti të marrë parasysh kontekstin social dhe ekonomik në të cilin ndodhin këto sjellje.
Në Anketën Kombëtare Epidemiologjike mbi Alkoolin dhe Kushtet e Lidhuara, prevalenca duket se ndryshon mes grupeve etnike dhe racore në SHBA, ndoshta për shkak të një kombinimi të dallimeve të vërteta në prevalencë, artefakteve të matjes dhe ndikimit të mjediseve të pafavorshme që krijojnë sjellje që duken si ato të çrregullimit antisocial të personalitetit, por që janë në fakt reaktive dhe kontekstuale.”(Po aty, f.751-752)
Ka edhe disa faktorë të tjerë shoqërorë që ndikojnë edhe në vetë paragjykimet në diagnostifikim. “Individët nga disa grupe sociologjikisht të shtypura mund të jenë më të rrezikuar për diagnozën e gabuar ose për diagnostikimin e tepërt të çrregullimit antisocial të personalitetit, sepse ata kanë më shumë gjasa të diagnostikohen gabimisht me çrregullim të sjelljes gjatë adoleshencës, që është një kërkesë për një diagnozë të çrregullimit antisocial të personalitetit. Çrregullimi antisocial i personalitetit duhet të dallojë nga sjellja antisociale që nuk lidhet me një çrregullim mendor, për shembull, sjellja kriminale e ndërmarrë për fitim që nuk shoqërohet me tiparet e personalitetit karakteristike të këtij çrregullimi. Individët me çrregullim antisocial të personalitetit mund të përjetojnë gjithashtu disfori, përfshirë ankesat për tension, paaftësinë për të duruar mërzinë dhe humor të depresionuar.
Ata mund të kenë çrregullime të tjera të ankthit, çrregullime të humorit, çrregullime të përdorimit të substancave, çrregullim të simptomave somatike dhe çrregullim të lojërave të fatit. Individët me çrregullim antisocial të personalitetit gjithashtu shpesh kanë tipare të personalitetit që plotësojnë kriteret për çrregullime të tjera të personalitetit, veçanërisht çrregullime të personalitetit kufitar, histrionik dhe narcisist. Mundësia për zhvillimin e çrregullimit antisocial të personalitetit në jetën e rritur rritet nëse individi ka përjetuar fillimin e çrregullimit të sjelljes në fëmijëri (para moshës 10 vjeç) dhe çrregullim të mungesës së vëmendjes/deliriumit të hiperaktivitetit.” (Po aty, f.751-752)
Jo çdo sjellje antisociale mund të kategorizohet si Çrregullim i Personalitetit Antisocial, pasi edhe vetë DSM5-TR, ka paraparë dy kategori të tjera me sjellje antisociale, që bëjnë pjesë në kuadër të “Kushtet ose problemet shtesë që mund të jenë në fokusin e vëmendjes klinike”. Kjo kategori përfshin kushte ose probleme që mund të ndikojnë në individë me çrregullime të personalitetit antisocial, por që nuk janë pjesë e diagnostikës kryesore për këtë çrregullim. Këto mund të përfshijnë, por nuk kufizohen në: Z72.811 Sjellja antisociale e të rriturve-Kjo kategori mund të përdoret kur fokusi i vëmendjes klinike është sjellja antisociale e të rriturve që nuk mund t’i atribuohen një çrregullimi mendor (p.sh., çrregullimi i sjelljes, çrregullimi antisocial i personalitetit). Shembuj përfshijnë sjelljen e disa hajdutëve profesionalë, kërkuesve të parave në mënyrë të paligjshme, ose tregtarëve të substancave të paligjshme. Z72.810 Sjellja antisociale e fëmijëve ose adoleshentëve – Kjo kategori mund të përdoret kur fokusi i vëmendjes klinike është sjellja antisociale e një fëmije ose adoleshenti që nuk mund t’i atribuohen një çrregullimi mendor (p.sh., çrregullimi i shpërthimeve të ndodhura herë pas here, çrregullimi i sjelljes). Shembuj përfshijnë akte të izoluara antisociale nga fëmijët ose adoleshentët (jo një model sjelljesh antisociale).” (Po aty, f.835)
Edhe disa individë me ADHD (Çrregullimi i Aktivitetit të Lartë dhe Vëmendjes), mund të zhvillojnë sjellje antisociale. Në përgjithësi, mungesa e empatisë dhe kërkimfaljes për lëndime të të tjerëve nga fëmijët, më shumë kategorizohet si çrregullim i sjelljes ose mungesë e ndjeshmërisë emocionale, e jo si çrregullime të personalitetit antisocial. Marrë në tërësi, është gabim diagnostifikimi amator, pa u mbështetur në manuale shkencore botërore, e të përditësuara, bazuar vetëm në një video dhe përderisa janë të mitura, por fatkeqësisht, është përhapur shumë paditura, mungesa e leximit, zhvillimi i dobët profesional etj., qoftë edhe nëse dikush ka tituj formalë akademikë.
Rekomandimet
• E mitura viktimë duhet të mbështetet në çfarëdo forme për shërim sa më të shpejtë nga lëndimet fizike, sociale dhe psikologjike. Familja e viktimës, gjithashtu. Nga çdo institucion. Jo vetëm përkrahje emocionale, terapi individuale e familjare të gjitha falas nga terapistët më të dëshmuar (madje, pse jo, edhe angazhim të terapistëve të huaj, sepse e kanë psikoterapinë aq të zhvilluar në Perëndim, sakaq ne si kosovarë, vetëm pas luftës, e kemi hapur Departamentin e Psikologjisë dhe kemi shumë për të bërë, për ta avancuar psikoterapinë), por edhe dëmshpërblim sipas ligjeve në fuqi për familjen e viktimës, mbështetje për ta përfshirë të miturën viktimë në çdo aktivitet social, sportiv, kulturor; mbështetje për zhvillim akademik, bursë të garantuar për çfarëdo drejtimi që merr në studimet universitare e pasuniversitare etj.
• Të zbatohet Kodi i Drejtësisë për të Miturit, duke i përfshirë të miturat në edukim, rehabilitim dhe risocializim, me seriozitetin më të lartë dhe urgjencë.
• Të zgjidhet çështja ligjore në mes të familjes së viktimës dhe familjeve të kryerëseve të mitura, me përkushtimin më të lartë institucional të drejtësisë, me urgjencë, pa neglizhencë. Rasti të jetë kryeprioritet si lëndë gjyqësore.
• Të ndjekin shembullin edhe prindërit e tjerë, për kërkimfalje publike, siç ndodhi me prindin e njërës të mitur në Nacionale, duke e ruajtur anonimitetin për shkak të fëmijëve të tyre, se jo për tjetër arsye. P.sh., nëse prindi i të miturës del me emër e mbiemër e fytyrë, sërish identifikohet e mitura kryerëse, sepse vrapohet pas njohjes së prindit për ta identifikuar fëmijën, apo qoftë edhe me një kërkim të fotografisë në profilin e rrjeteve sociale.
• Të ligjërohet në orën e parë të shtatorit të këtij viti në të gjitha shkollat e nivelit të mesëm të ulët e të mesëm të lartë, në Gjilan e kudo, për pasojat e çdo veprimi të dhunshëm, vetëm për pasojat, ose vetëm për empatinë, e jo për tema shumë të përgjithësuara, thjesht për edukim e informim të sjelljes prosociale.
• E rekomandoj fuqishëm, që prindërit e fëmijëve kryerëse, me shpresën që u vjen nga zëri i brendshëm i ndërgjegjes, të përfshihen vetë ata në fushata kundër dhunës, bullizmit, që atë tragjedi, ta kthejnë në dobishmëri shoqërore e publike, madje, pse jo, edhe themelimin e një OJQ-je kundër dhunës, kundër bullizmit.
• E rekomandoj për çdo prind, që pa dashje është tashmë në një linçim edhe publik, të pranojë ngjarjen (jo të mohojë), të mos gjejë as edhe një justifikim të vetëm të asaj që ka ndodhur dhe të mos e relativizojë në asnjë mënyrë atë që ka ndodhur, veçmas para fëmijës, por edhe kudo dhe kurdo, për asnjë rast a situatë.
• Të intervenohet me kohë në rastet e viktimave të dhunës e bullizmit, pasi siç e dëgjuam, njëra nga kryerëset e mitur, ishte vetë viktimë e bullizmit sa ishte edhe më e vogël, dhe më pas, rezultoi që ish-viktima të bëhet vetë kryerëse.
• Të punohet me fëmijët e divorcuar, pasi që divorci, veçmas kur nuk përcillet me kujdes maksimal nga prindërit e divorcuar, mund të jetë me shumë gjasa ose viktimë e dhunës, ose kryerëse e dhunës, e njohur nga literatura botërore. Njëra nga kryerëset, për sa kam informacione, është fëmijë i prindërve të divorcuar.
• Të rritet përgjegjshmëria e prindërve, duke qenë vetë model i mirë prosocial dhe që i zgjidhin konfliktet në mënyrë paqësore, e jo vetëm këshilla bajate me fjalë, pa veprim.
• Të rritet përgjegjshmëria prindërore, duke shmangur sjelljet e papërshtatshme si të rritur, si varësia nga alkooli, bixhozi, neglizhenca, vrapimi vetëm pas parasë, stili i padobishëm prindëror e mungesa e kufijve të vendosur për fëmijët.
• Rrjetet sociale fajësohen tashmë për çdo gjë. Ka tashmë edhe shumë studime për efektet e rrjeteve sociale në shpërqendrim të vëmendjes, për ankth, depresion, FOMO, imitim agresiviteti, bullizëm, abuzim seksual etj., veçmas te brezi i ri, por ato mund të jenë instrumente të fuqishme të dijes profesionale, kur ka edukim për ku dhe çfarë të kërkohet, e jo në skroll të pandalshëm, kot së koti. A nuk mund të bëhesh kuzhinier i jashtëzakonshëm, nëse e shfrytëzon internetin?! A nuk mund të bëhesh njohës i shumë gjuhëve të huaja, nëse e shfrytëzon siç duhet internetin?! A nuk mund të bëhesh IT esencial apo çkado tjetër, nëse ndjek aq shumë kurse online?! Jo të nderuar, në një anë mund të ndjekësh instagramin e kuzhinierit më të mirë në botë që mëson receta gatimi, ose në anën tjetër ta ndjekësh Kozakun?! Ju vetë, zgjedhni. Sa kanale të mira keni në Jutjube për të mësuar çdo zanat e profesion?! Sa prej jush dëgjoni TEDx, ligjërata nga profesorët më të shquar të universiteteve më të nderuara e më së larti në ranglista botërore në internet?! Unë nuk jam as teknofil, i sëmurë pas teknologjisë pa asnjë edukim kritik, as nuk jam teknofob, duke u frikësuar nga çdo teknologji e re, por jam teknoskeptik, e teknokritik, duke e përdorur teknologjinë, me masë, jo me orë të tëra, as kot së koti, por për shumë çështje akademike, por edhe për argëtim e socializim.
• E rekomandoj për çdo prind, që të nxisë fëmijë në reflektim të brendshëm, pa e detyruar kërkimfaljen sipërfaqësore nga fëmija, por të arrijë empati të vërtetë dhe të kërkojë thellësisht falje për atë që ka bërë me bashkëmoshataret.
• E rekomandoj për çdo prind, që dhuna të mos jetë në asnjë mënyrë mjet i ndëshkimit me dhunë, por me mbështetje emocionale që fëmija të rehabilitohet, risocializohet dhe të reflektojë për t’u bërë personalitet i pjekur, paqësor dhe i dobishëm për veten, familjen, lagjen, komunën, shtetin e njerëzimin.
• E rekomandoj për çdo prind, që në asnjë mënyrë, për asnjë çast, të solidarizohet me fëmijën nga atësia e mëmësia, me emocione, por të punojë intensivisht për rehabilitim, riedukim dhe risocializim. Më shumë se si ndihen kryerëset, duhet të rritet empatia si ndjehet ajo, viktima, në radhë të parë, e në radhë të dytë, natyrisht, edhe vetë kryerëset, sepse janë të mitura.
• Institucionet komunale të Gjilanit të identifikojnë çdo shtëpi të braktisur, ku rritet anonimiteti, dhe në çdo lagje urbane, ku dihen problematikët tinejxherë, të marrin masa të monitorimit, bashkë me policinë e lagjes e komunitetit, për të parandaluar sjelljet agresive dhe vandalizimin e hapësirave publike. Ka shumë shembuj në botë, ku lagjet me errësirë, pa ndriçim publik, bëhen me ndriçim, ose mirëmbahen me kohë, ose estetizohen, e ulet krimi, sepse në të kundërtën, bëhen strehë të abuzimit me droga, substanca të tjera të dëmshme, alkool, bullizëm brenda dhe jashtë grupit, planifikim të dhunës individuale e grupore etj. Të monitorohen parqet e lagjeve urbane, pasi që shpesh kemi dëgjuar për banda të të rinjve që krijojnë “habitatin” e tyre dhe zhvillohen si gangsterë të vegjël e më pas bëhen të mëdhenj, duke imituar yje filmash, këngëtarësh e influencerësh të dhunshëm.
• I rekomandoj çdo prindit, që të menaxhojë më mirë fëmijët, jo duke i rehatuar vetëm me plotësim të menjëhershëm të dëshirave, por të përforcohen varësisht nga sjellja e tyre prosociale, e të ndëshkohen me forma të pranueshme alternative, duke e shmangur nga gjërat që i duan, p.sh., ndalim i celularit.
• I rekomandoj çdo prindit, stilin e prindërimit autoritativ, e jo siç po dominon sot në familjet shqiptare, stili lejues, ose disa janë neglizhues, ose disa janë autoritarë. Akademia Amerikane e Pediatrisë, rekomandon stilin e prindërimit autoritativ. “Prindërit autoritarë ngulmojnë në rregulla të rrepta, bindje e disiplinë; mendojnë se fëmijët duhet të shihen, por jo të dëgjohen; për rregullat, mendoni ose si them unë, ose hiç; nuk marrin në konsideratë ndjenjat e fëmijës; nuk e tregojnë arsyen për një rregull, por se vetëmjaftohen që: unë thashë, kaq! Fëmijët nga prindërit autoritaristë, kanë mirësjellje në shtëpi, por rebelohen jashtë saj; vështirësi për aftësi sociale dhe vendimmarrje; vetëvlerësim i ulët, agresivitet, probleme me menaxhimin e zemërimit; mundësi më të larta për depresion dhe përdorim substancash. Prindërimi lejues ose permisiv jep rregulla, por rrallë i zbaton. Jo shpesh pasoja për sjellje të papërshtatshme. Lejim i gjithçkajes për fëmijën. Më shumë tolerantë dhe ndërhyjnë vetëm kur ka problem serioz. Ata shpesh sillen më shumë si shokë me fëmijën, sesa si figura autoriteti (njëri nga prindërit e të miturës theksoi se, “raportet me fëmijën i kam si shok”) dhe nuk e zbatojnë gjithmonë disiplinën. Ky tip prindërimi rezulton për fëmijën, me prirje për sjellje problematike, mungesë respekti për rregullat, vështirësi në vendimmarrje, impulsivitet, varësi nga të tjerët… Prindërimi autoritativ konsiderohet standardi i artë i prindërimit. Dallon krejtësisht nga ai autoritarist. Prindërimi autoritativ krijon marrëdhënie pozitive me fëmijën dhe punon për t’i ruajtur ato; shpjegon arsyet për vendosjen e një rregulli; përdoret lavdërimi dhe shpërblimi; vendosin rregulla dhe kufij, por lejojnë edhe pavarësinë e fëmijës, duke i parë gabimet si mundësi për të mësuar dhe investojnë kohë për të parandaluar problemet e sjelljes. Ky lloj prindërimi rezulton për fëmijën, me vetëbesim, përgjegjësi, aftësi të mira vendimmarrjeje, marrëdhënie të ngushta me prindërit, rezistencë ndaj presionit negativ dhe performancë e lartë akademike. Prindërimi neglizhues nuk pyet fëmijën pëër shkollën ose detyrat e shtëpisë, nuk di shpesh ku është fëmija dhe me kë është; nuk kalon shumë kohë me fëmijën; nuk vendosin rregulla dhe pritshmëri, ofrojnë pak udhëzim, kujdes dhe vëmendje. Shpesh fëmijët vetë rriten. Ky lloj prindërimi neglizhent, mund të çojë në rezultate të fëmijës si: arritje më të dobëta akademike e sociale; rebelim, sjellje antisociale dhe përdorim substancash; vështirësi për të formuar lidhje emocionale dhe vetëvlerësim i ulët.” (Lauren Pardee, “What Is Your Parenting Style, and Why Does It Matter?”, përditësuar më 7 janar 2025, qasur në linkun: https://www.parents.com/parenting/better-parenting/style/parenting-styles-explained/)
• Po në të njëjtin burim, mund të gjeni edhe nënstilet figurative simbolike të prindërimit, ku shumica nuk janë të dobishme, si: “prindërim i lirë – më shumë pavarësi, mbikëqyrje minimale; prindërim helikopter – kontroll i tepërt dhe mbrojtje e ekzagjeruar; prindërim “buldozer” – heq çdo pengesë nga rruga e fëmijës; prindërim feneri – ekuilibër midis dashurisë, mbrojtjes dhe pavarësisë; prindërim me lidhje të ngushtë – afërsi fizike dhe emocionale e lartë; prindërim tigër – pritshmëri shumë të larta dhe disiplinë e rreptë; prindërim panda – pavarësi me mbështetje të lehtë; prindërim delfin – i fortë, por fleksibël; prindërim kandil deti – mungesë rregullash dhe pritshmërish; prindërim elefant – mbrojtës dhe i dashur, fokusi te ndjeshmëria emocionale”. (Po aty)
• Të rritet kontrolli prindëror në celular e mediet sociale te fëmijët, sepse është butoni që mund të ndiqet nga të gjithë, me njohuri elementare.
• Familjet të bashkëpunojnë ngushtë me Organin e Kujdestarisë, Qendrat për Punë Sociale, OJQ-të e licencuara, ekspertët, psikologët klinikë, psikiatritë, për të bërë një vlerësim social, psikologjik dhe psikiatrik për sjelljen e të miturave, veçmas kujdesi në analizën e empatisë së tyre, sepse mungesa e empatisë është veçori kryesore e antisocialëve.
• Të përcillet gjendja psikologjike për shumë vjet me radhë edhe në të ardhmen, për të parandaluar çfarëdo forme recidivizmi. Është e frikshme nëse nuk kanë pendesë serioze, sepse jep një parashikim ogurzezë për formim në të ardhmen të personalitetit antisocial. Mungesa e vërtetë e empatisë, dhembshurisë, është një nga problemet më të rënda në qeniet njerëzore, prandaj, të ketë kujdes sistematik, por pa humbur shpresat.
• Të mos jepet asnjë diagnozë psikiatrike pa i bërë 18 vjet, pasi që manuali më i njohur në botë, diagnozat i bën kur fëmijët arrijnë 18 vjet, e jo më herët, pasi që presupozohet se personaliteti ende është në formim e sipër, mund të jetë vetëm një sjellje aksidentale, kontekstuale, e trendit negativ me kompleksin e famëkeqit, ose nevojës për t’i takuar grupit shoqëror, imitimit, identifikimit me brendagrupin dhe shoqërizimin me shoqe që kanë modele sjelljesh negative, ose të ekspozuara nga modele negative publike në rrjetet sociale, ose me presion të shtuar grupor.
• Të angazhohen shkollat me program të veçantë kundër bullizmit, dhunës, agresivitetit etj., në mënyrë që të shpeshtohen fushatat e sensibilizimit kundër çdo sjellje të dhunshme.
• Stafi i shkollës të jetë i përfshirë në asistencën me psikologët e shkollës, nxënësit, prindërit dhe të gjithë, për të luftuar çdolloj stigmatizimi, bullizmi, dhune fizike e psikologjike dhe bullizmin virtual.
• Të mos tolerohet asnjë lloj forme e dhunës, sado e lehtë që është, duke e marrë seriozisht parandalimin, e jo në variantin e paditurisë: “hajt se fëmijë janë”!
• Sjelljet e papërshtatshme të ndëshkohen me mekanizmat e paraparë të shkollave, të zbatohen ato, e jo të shpërfillen e mënjanohen.
• Të hiqen fotografitë dhe çdolloj identifikimi i të miturave në hapësirën publike, sepse jo vetëm me ligj e kod etik, por nuk lejohet identifikimi publik as sipas teorisë së etiketimit në kriminalistikë, psikologji dhe sociologji, sipas së cilës, nuk është vetëm akti ai që e bën dikë “kriminel”, por reaksioni shoqëror dhe institucional ndaj atij akti. Kur një person etiketohet si “delikuent”, “kriminel”, “i dhunshëm” etj., kjo etiketë mund të bëhet pjesë e identitetit të tij dhe ta shtyjë drejt sjelljeve të mëtejshme kriminale. Në këtë mënyrë, etiketimi mund të forcojë dhe institucionalizojë devijimin në vend që ta ndalojë. Prandaj, kjo teori ka ndikuar në çdo ligj të shteteve, për të shmangur sa ma shumë etiketimin, veçmas publik e online, sepse kjo i fut të miturat në “role”: po na thonë se jemi të dhunshme, po na etiketojnë, hajde po e luajmë këtë rol dhe të shndërrohet në pjesë të personalitetit. Pra, ngjarja ka ndodhur, edhe qëllimi dhe synimi kryesor duhet të jetë parandalimi i çfarëdo sjelljeje recidiviste nga të miturat në fjalë, por edhe si mesazh për të tjerët.
• Të kenë kujdes prindërit me manipulimin emocional nga vetë fëmijët, sepse manipulimi emocional mund të zhvillohet edhe pse fëmija mund të jetë në fazën e pubertetit, e veçmas të kenë kujdes prindërit për të nxitur fëmijët për të reflektuar për empatinë e vërtetë dhe pendimin për sjelljen antisociale, qoftë aksidentale, apo e llojit tjetër edhe më të rëndë.