Yllëza Terstena dhe Anesa Tërziu nga Vitia, si dhe Reis Spahiu nga Gjilani, janë tre përfituesit e bursave të Fondacionit “Dr. Feti Hetemi”, në vlerë prej 500 euro secila. Bursat ndahen me rastin e pesëvjetorit të ndarjes nga jeta të mjekut dhe humanistit të njohur, Dr. Feti Hetemi.
Përzgjedhja e fituesve u bë pas vlerësimit të aplikimeve nga Komisioni përkatës i Fondacionit, në kuadër të thirrjes publike për studentët e mjekësisë. Kjo është hera e katërt që Fondacioni ndan bursa për studentë të programit të Mjekësisë nga regjioni i Anamoravës.
Dr. Feti Hetemi, mjeku i njohur nga Vitia, u nda nga jeta më 19 gusht 2020 si pasojë e Covid-19. Përveç profesionalizmit të tij në fushën e internos dhe nefrologjisë, ai do të kujtohet për virtytet e larta humane dhe kontributin e vazhdueshëm në mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar.
Gjatë viteve ’90, Dr. Hetemi ishte ndër themeluesit dhe udhëheqësit e Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë” në Viti, përmes së cilës u funksionalizuan ambulantat në disa fshatra të komunës. Në vitet ’80, si delegat i Kuvendit të Kosovës, ai ishte ndër iniciatorët kryesorë për themelimin e repartit të Hemodializës në Spitalin e Gjilanit, ndërsa gjatë luftës së UÇK-së dha kontribut të jashtëzakonshëm në trajtimin e ushtarëve të plagosur.
Për veprimtarinë e tij, Dr. Hetemi është dekoruar post-mortem nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe nga Komuna e Vitisë.
Familja Hetemi, përmes Fondacionit të krijuar në kujtim të tij, vazhdon çdo vit të mbështesë studentët e mjekësisë me qëllim të përgatitjes së kuadrove të reja për shëndetësinë vendore – profesion që Dr. Feti Hetemi e dashuroi dhe i shërbeu me vetëmohim./Radio Star/