Kandidat për Kryetar të Komunës së Gjilanit në Zgjedhjet Lokale 2025
Të nderuar qytetarë dhe ju qytetare të Gjilanit,
siç edhe jeni njoftuar para pak kohësh, unë jam kandiduar për Kryetar të Komunës së Gjilanit në Zgjedhjet Lokale 2025, nga partia GUXO, sepse besoj se Gjilani i të gjithëve, ka nevojë për një ndryshim të thellë, i drejtuar nga një profesionist, e jo politikan, nga fryma e angazhimit të vërtetë dhe puna e palodhur. Si dikush që ka kaluar nga një fëmijëri e vështirë, duke punuar dhe luftuar për çdo mundësi, e kuptoj fuqinë që ka puna dhe përkushtimi për të sjellë zhvillim të begatshëm për Gjilanin. Të gjithë kemi një konstatim, pavarësisht dallimeve partiake: Gjilani, për besë, ka mbetur keq. Në anën tjetër, e dimë të gjithë se, se Gjilani si kryeqendër e Anamoravës, me vazhdimësi territoriale me Luginën e Preshevës e Kumanovës, në trekëndëshin kufitar, ka gjithçka që i nevojitet për të qenë një shembull i suksesit të vërtetë, por kjo kërkon udhëheqje të bazuar në vlera e parime të forta, të cilat unë i kam zbatuar gjithmonë në jetën time.
Kam kaluar nëpër sfida të rënda jetësore si shumëkush prej jush dhe kam mësuar se ndryshimi vjen nga angazhimi i sinqertë personal, krijimi i një ekipi profesionistësh dhe vizioni i qartë për të ardhmen. E kam kuptuar se komuna është më shumë se një kolektiv a komunitet, është një shpirt që meriton të udhëhiqet me përgjegjësi, me dinjitet dhe, mbi të gjitha, me guximin për të realizuar ëndrrat.
Gjilani ka nevojë për një udhëheqës që jo vetëm të shohë mundësitë, por edhe të krijojë mundësi, të mbështetur në një përkushtim të pathyeshëm dhe me një filozofi të punës, e jo oratori për të folur rrjedhshëm. Projekte, e jo fjalë.
Unë jam gati për këtë angazhim. Pres përkrahjen e të gjithë të rinjve e të rejave, djemve, burrave, vajzave e grave, bujqve, blegtorëve, aktivistëve të mjedisit, prindërve, studentëve, mësimdhënësve, profesorëve, shërbyesve civilë, punëtorëve të sektorit publik e privat, aktivistëve të shoqërisë civile, pronarëve të mikro-ndërmarrjeve, ndërmarrjeve të vogla, të mesme e të mëdha, të gjitha kategoritë shoqërore, pa dallim.
Unë jam nga ju, për ju. Zotohem se do të jap gjithçka për Gjilanin. Bashkohuni në këtë nismë që Gjilani jo vetëm të zhbllokohet, por të ndërtohet me një ritëm krejt tjetër dinamik. Çdo projekt i nisur, do të zhvillohet dhe përfundohet, me kohë, cilësi, qëndrueshmëri dhe sipas planit.
Arritje, e jo zvarritje. Bashkohuni me ne.
Nga fëmijë punëtor, në Kryetar të Gjilanit.
Ne do të qeverisim krejt ndryshe.
Për besë, tjetërqysh!
I juaji nga ju dhe për ju,
Ilir Poroshtica – Kandidat për Kryetar të Komunës së Gjilanit
#IlirPoroshticaperKryetarteGjilanit
#Tjeterqysh
#GuxoperGjilanin