Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan ka zhvilluar sot një takim pune me Drejtorin e Përgjithshëm të ShSKUK-së, Mr. Ph. Elvir Azizi, si dhe me Drejtorin e Departamentit për Shërbime Shëndetësore, Dr. Ardian Shefkiu.
Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, Dr. Afrim Cana, informoi drejtuesit e ShSKUK-së për planin e riorganizimit dhe zhvendosjes së shërbimeve me rastin e fillimit të renovimit të objektit spitalor nr. 1. Ai theksoi se tashmë të gjitha shërbimet kirurgjike janë bërë funksionale dhe po i shërbejnë pacientëve pa ndërprerje.
Drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së, z. Elvir Azizi, nënvizoi se objektivi kryesor është ofrimi i shërbimeve sa më cilësore për qytetarët, duke shtuar se të gjitha shërbimet që ofrohen në QKUK janë në dispozicion për bashkëpunim me spitalet e nivelit dytësor.
Ndërsa Drejtori i Departamentit për Shërbime Shëndetësore, Dr. Ardian Shefkiu, tha se do të punohet bashkërisht në planifikimin e burimeve njerëzore, duke shtuar shërbime të reja dhe duke i mbajtur ato aktive në nivel vendi.
Në kuadër të vizitës, drejtuesit vizituan repartin e Biokimisë, Ortopedisë dhe Kirurgjisë, ku u njohën nga afër me punën dhe shërbimet që ofrohen. Ata theksuan se do të trajtohen me prioritet të gjitha kërkesat që lidhen me pajisje, kuadro dhe nevojat e reparteve.