Drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Gjilanit, Bekim Salihu, ka reaguar pas disa shkrimeve me tituj të rremë në media, duke sqaruar se gjatë mandatit të kryetarit Alban Hyseni asnjë pronë komunale nuk është dhënë me qira dhe se akuzat e fundit janë mashtrime nga opozita.
Statusi i plotë:
Sqarim Publik
Në lidhje me disa postime me tituj të rrejshëm, kinse Alban Hyseni paska dhënë prona me qira pa procedura – kjo është vetëm një gënjeshtër tjetër nga portale që tentojnë të mashtrojnë qytetarin e Kosovës, e veçanërisht atë të Gjilanit.
Gjatë mandatit të Alban Hysenit, asnjë pronë komunale nuk është dhënë me qira për periudha afatgjata apo afatmesme.
Ky raport i auditorit ka për subjekt rastet që nga viti 2014, periudhë në të cilën dihet qartë kush ka menaxhuar pronat komunale dhe Komunën e Gjilanit. Janë pikërisht ata që sot, përmes titujve të rremë, tentojnë t’ua hedhin sytë qytetarëve dhe të shfajsohen nga dëmet që ua kanë shkaktuar pronave komunale dhe vetë komunës.
Gjithashtu, sa i përket uzurpimeve të pronës komunale, në raportin e auditorit të jashtëm theksohet një gjetje e qartë: dy partitë opozitare (LDK dhe PDK) për më shumë se 25 vite kanë uzurpuar pronat komunale.
Për hir të opinionit publik, shumë shpejt do të publikohet edhe një pjesë e raportit të auditorit të jashtëm, vetëm për të treguar të vërtetën.
Alban Hyseni dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë qeverisur me duar të pastra – dhe ashtu do të vazhdojnë të qeverisin edhe për 4 vitet e ardhshme.