Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjilanit, Nazim Gagica, ka prezantuar planin e tij për shfrytëzimin e potencialit të Grykës së Karadakut. Ai tha se kjo zonë do të bëhet shtyllë e fuqishme zhvillimi për qytetin përmes turizmit rekreativ e shëndetësor në Stanqiq dhe zhvillimit industrial në Pidiq.
Sipas tij, investimet do të nisin me hulumtime shkencore dhe plane konkrete për eksploatim, për të kulmuar me ndërtimin e infrastrukturës industriale në vlerë prej 2.5 milionë euro. “Pasuritë që Zoti i ka dhënë Gjilanit nuk do të mbesin të heshtura, por do të shndërrohen në fabrika, vende pune dhe mirëqenie për çdo familje”, deklaroi Gagica.
Statusi i plotë:
Gryka e Karadakut paraqet dy shtylla të fuqishme zhvillimi që do të ndryshojnë të ardhmen e Gjilanit: turizmin rekreativ dhe shëndetësor në zonën e Stanqiqit, si dhe zhvillimin e industrisë moderne në Pidiq.
Në vitin 1977, ekspertët e gjeologjisë zbuluan këto pasuri minerare përmes 42 mostrave shkencore.
Ndërsa në vitin 2008, Qeveria e Kosovës me vendimin nr. 03/9, 2008 shpalli Pidiqin zonë me interes të veçantë ekonomik për gjithë vendin.
Por edhe pas këtij vendimi, gjithçka mbeti vetëm në letra.
Për këtë, ne prezantojmë planin konkret të veprimit për këtë zonë:
• Së pari, do të formojmë grupet profesionale për hulumtime dhe do të kryejmë hulumtime të reja shkencore mbi resurset – një investim prej 100 mijë eurosh.
• Në fazën tjetër, në planin afatmesëm, do të hartojmë planin për eksploatim dhe zhvillim industrial – me kosto prej 30 mijë eurosh.
• Paralelisht, do të zhvillojmë një fushatë promovuese për investitorët – duke investuar 10 mijë euro.
• Dhe kulmi i këtij plani: ndërtimi i infrastrukturës së rëndë dhe përcjellëse për industrinë – me një kosto të planifikuar prej 2.5 milionë eurosh, me burim financimi nga MZHE, DZHEL dhe partneriteti publiko-privat.
Ky është premtimi ynë:
Pasuritë që Zoti i ka dhënë Gjilanit nuk do të mbesin më të heshtura.
Ato do të shndërrohen në fabrika, në industri moderne, në vende pune të qëndrueshme dhe në mirëqenie për çdo familje të qytetit tonë.
Pidiqi do të bëhet zemra industriale dhe dritë për Gjilanin