Kandidati për kryetar komune nga lista “Guxo”, Ilir Poroshtica, është tërhequr nga gara për të parin e komunës së Gjilanit.
Burime të Radio Star bëjnë të ditur se arsyeja kryesore e këtij vendimi lidhet me çështje personale të kandidatit. Megjithatë, sipas po të njëjtave burime, në prapavijë kanë ekzistuar edhe tensione dhe pakënaqësi të brendshme, duke qenë se lista “Guxo” është në bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Tërheqja e Poroshticës pritet të ndikojë në dinamikën e fushatës zgjedhore në këtë komunë, duke hapur diskutime mbi strategjinë e listës “Guxo” dhe pozicionimin e saj në raport me partnerët politikë.
Vetë kandidati e shpjegon vendimin e tij me këtë deklaratë:
“Pas shumë reflektimesh dhe përgjegjësie qytetare, për arsye personale, tërhiqem nga kandidatura për Kryetar të Komunës së Gjilanit. Falënderoj çdo qytetar që më mbështeti. Si pjesëmarrja në garë, si heqja dorë, janë akt i vetëpërcaktimit. Pavarësisht largimit të shpejtë nga gara, dorëheqjes nga anëtarësia dhe çdo pozicion partiak, do të vazhdoj të kontribuoj në shoqëri, siç kam bërë vazhdimisht. Me shumë keqardhje për votuesit, Ilir Poroshtica.”