Nuk mund t’ua bëni jetën skëterrë atyre që përhapin dritë!
Mësimdhënësi të paguhet dinjitetshëm, e kjo të bëhët edhe për për misionin e shenjtë që kryen, edhe për hir të gjeneratave të reja që të marrin më shumë edukim, dije dhe kulturë. Mësimdhënësi i shpërblyer (i paguar) mirë edhe kontributin do ta ketë më të madh, edhe mësimdhënien do ta ketë më cilësore dhe motivimin do ta ketë pakrahasimisht më të lartë, etj, etj…
Prandaj, meqë lartësia e pagës në Kosovë parashihet të jetë me koeficientin 12, atëherë një e treta e 12 është 4, andaj do të ishte më së e logjikshme dhe shumë e drejtë, që kategoria e mësimdhënësve të ketë koeficiinetin së paku 4.
Fehmi SYLEJMANI
Pavarësisht se thuhet dhe qëndron saktë thënia se arsimimi është fizionomia e një kombi, kjo, megjithatë, te ne, në Kosovë, nuk po dëshmohet dhe nuk po përfillet, pikërisht nga krerët më të lartë qeveritarë. Këta, qeveritarët, jo vetëm njëherë, por edhe shumë herë të tjera, arsimin vetëm e kanë fjalë gojë, por jo edhe përcaktim në qëndrime dhe veprime konkrete!
Projektligji për nivelizimin e pagave për mësimdhënësit e shkollave 9- vjeçare dhe ato të mesme, padyshim, se po i injoron, nënçmon, përbuz, indinjon, demotivon, demoralizon dhe degradon…Sepse, lartësia e koeficientit e paraparë për këto kategori arsimore: 2.15 për mësimdhënësit e shkollave të mesme dhe 1.95 për ato të 9- vjeçarës, vërtet, karshi shumë kategorive të tjera, është tepër i ulët, i padrejtë dhe i papranueshëm, duke e marrë parasysh punën, detyrat dhe qëllimin e një edukuesi të brezave të rinj.
Mësimdhënia është profesioni ndoshta më i çmuar, më i dobishëm për bashkësinë, dhe ka ndikim më të madh në lumturinë e përbashkët dhe, pa mëdyshje, se një mësues i mirë është si një qiri: “Ai konsumon vetveten për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve”!
Sot, një mësimdhënës në Kosovë nuk vlerësohet me pagesë shtesë për përformancë të mirë, kujdestaria, mësimi shtues dhe plotësueses, ndonjë aktivitet të shtuar, rezultati profesional, shtesa për punë jashtë orarit/kohës normale të punës, shtesa të ndonjë udhëtimi zyrtar, të avancimit dhe zhvillimit profesional, shtesa fëmijëore, siç bëjnë shtetet përreth, etj, etj…
Të krahasohen apo të barazohen mësimdhënësit me disa kategori të tjera shoqërore të një niveli krejt tjetër të shkollimit nuk është tjetër – përveç fyerje dhe nënçmim i profesionit që një mësues e ushtron.
Mësimdhënësi të paguhet dinjitetshëm, e kjo të bëhët edhe për shenjtërinë e misionit që kryen, edhe për hir të gjeneratave të reja që të marrin më shumë edukim, dije dhe kulturë. Mësimdhënësi i shpërblyer (i paguar) mirë edhe kontributin do ta ketë më të madh, edhe mësimdhënien do ta ketë më cilësore dhe motivimin do të ketë pakrahasimisht më të lartë, etj, etj…
Ndërkaq, me këtë vlerësim të këtij koeficient mësimdhënësit po ndihen tepër të nënçmuar, të fyer dhe shumë të shqetësuar më këtë trajtim, që po e bën kjo qeveri.
Përderisa në vendet demokratike dhe në vendet më të zhvilluara, arsimit i jepet rëndësi dhe prioritet i veçantë, te ne në Kosovë, sektori i asrimit çdo vit e më tepër vetëm sa po nënvlerësohet. Pothuajse, në çdo vend demokratik lartësia e koeficienti, duke mos i numëruar benifitet tjera, e asaj më të lartës me kategorinë e mësuesve, duhet të jetë një e treta e saj.
Një matematikë e thjeshtë, lartësia me ë lartë e pagës në Kosovë parashihet të jetë me koeficientin 12, andaj një e treta e 12 është 4, prandaj do të ishte më së e logjikshme dhe shumë e drejtë, që kategoria e mësimdhënësve të ketë koeficiinetin së paku 4, që do të ishte ekuivalentë me specialistët e mjekësisë, sepse, sot, arsimi ka ecje të shpejtë, sa që çdo mësimdhënës është në vazhdimësi nëpër trajnime, duke ndjekur trandet evropiane.
Arsimi është një nga shtyllat kryesore dhe më të rëndësishme të një shoqërie, dhe nuk e ka merituar këtë trajtim! Përkundrazi, para se të aprovohet ky projektligj i pagave, organet relevante le të kenë në konsideratë këtë shqetësim të arsyeshëm të mësimdhënësve dhe të ndërmarrin të gjithë hapat e mundshëm, në mënyrë që ky koeficient të ketë rritje qind për qind. Në të kundërtën, do të jetë shumë vështirë, që cilësia në arsim të rritet, për faktin se demoralizimi i mësimdhënësve në bazë të këtij kategorizimi do të jetë tepër i madh dhe të do t’i demotivojë edhe më shumë për punë përkushtuese dhe cilësore.
(Autori është mësimdhënës i matematikës, trajner i licencuar nga MASHT-i dhe GIZ i disa progrmave arsimore dhe njohës i mirë i arsimit parauniversitar).