Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në New York, ku do të zhvillojë takime bilaterale me liderë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara,” thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Kurti pritet të takohet edhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptar, si dhe me përfaqësues të shoqatave të ndryshme të diasporës.
“Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, theksohet në njoftim.
Vizita e Kurtit në Nju Jork konsiderohet si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të vendit dhe për të tërhequr investime të reja.