Fatos Ramadani, kandidat për Asamblenë Komunale nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, po e vazhdon me përkushtim të madh fushatën e tij duke takuar qytetarë nga të gjitha lagjet, por edhe komunitetin sportiv e rinor, që përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të shoqërisë sonë.
Me një qasje të hapur dhe komunikim të drejtpërdrejtë, Ramadani po i dëgjon shqetësimet, idetë dhe nevojat e secilit qytetar, duke shprehur bindjen se në zgjedhjet e 12 tetorit do të fitojë besimin e tyre. Ai beson fuqishëm se përfaqësimi në Kuvendin Komunal nuk duhet të jetë vetëm një ulëse, por një përgjegjësi për t’u bërë zëri i qytetarëve dhe për të sjellë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat ata përballen çdo ditë.
Në vizionin e tij, sporti dhe rinia zënë një vend të veçantë. Ramadani është i bindur se me më shumë angazhim, vendosmëri dhe vullnet, këto dy fusha mund të shndërrohen në motor zhvillimi dhe progresi për Gjilanin. Ai thekson se rinia duhet të ketë hapësira për krijimtari, sporti duhet të mbështetet dhe të institucionalizohet si prioritet, ndërsa talentët e rinj të mos mbeten të harruar, por të kenë mbështetje dhe përkujdesje nga institucionet lokale.
Ramadani shpreh besimin se me një përfaqësim të ndershëm dhe me një vizion të qartë, së bashku me kandidatin për kryetar të komunës, Arbër Ismajli, do të mund të shtyjnë përpara procese të rëndësishme zhvillimore, duke ruajtur vlerat e traditës, duke forcuar demokracinë lokale dhe duke i dhënë prioritet mirëqenies së qytetarëve.
“Qytetarët e Gjilanit meritojnë një zë që i mbron, i përfaqëson dhe i dëgjon. Unë dua të jem ai zë në Asamblenë Komunale – një përfaqësues i denjë, i cili nuk premton vetëm fjalë, por angazhohet për vepra konkrete,” – është zotimi i tij.