Klubi futbollistik Drita sot do të shkruajë një faqe të re në historinë e tij evropiane, teksa për herë të parë do të marrë pjesë në garën prestigjioze UEFA Europa Conference League. Skuadra nga Gjilani do të përballet me ekipin finlandez KuPS, në qytetin e Tamperes, me ndeshjen që do të zhvillohet nga ora 18:45.
Nën drejtimin e trajnerit Zekirija Ramadani, bardhekaltërit kanë punuar me përkushtim për të arritur këtë moment historik. Përfshirja në Conference League përfaqëson jo vetëm një mundësi të madhe sportive, por edhe një prezantim të klubit dhe futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Ky duel kundër KuPS-it shënon vetëm fillimin e rrugëtimit të Dritës në këtë kompeticion. Skuadra gjilanase do të zhvillojë edhe ndeshje të tjera, duke pasur mundësinë të përfaqësojë me krenari ngjyrat e saj dhe gjithë tifozët e saj besnikë.
Të gjithë sytë e dashamirëve të futbollit kosovar sot do të jenë të drejtuar nga Tampereja, aty ku Drita synon të japë maksimumin dhe të nisë me rezultat pozitiv aventurën e saj historike në Conference League.