Qeveria në detyrë ka njoftuar se do të vazhdojë subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për qytetarët deri në mars të vitit 2026.
Masa synon të lehtësojë barrën financiare të konsumatorëve përballë çmimeve të larta të energjisë.
Vendimi i Qeverisë është pritur me kritika nga ekspertë të ekonomisë dhe energjetikës, të cilët kanë shprehur shqetësime për qasjen, kohën dhe qëllimin e kësaj mase.
Oda e Afarizmit kritikon subvencionimin e rrymës: Masë afatshkurtër dhe pjesë e fushatës
Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Kushtrim Ahmeti ka kritikuar vendimin e Qeverisë në detyrë për të subvencionuar faturat e energjisë elektrike deri në mars të vitit 2026, duke e quajtur këtë veprim si pjesë të fushatës zgjedhore.
Sipas Ahmetit, ky subvencionim nuk do të ketë ndikim të madh në jetën e qytetarëve, pasi çmimet e produkteve bazë janë rritur ndjeshëm.
“Vazhdimësi e fushatës, s’ka me pas ndonjë ndikim të madh kjo punë është i përkohshëm se çmimet e produkteve janë rritë shumë dhe tash fillon të rritët edhe çmimi i energjisë elektrike e shume faktorëve të tjerë ekonomikë që vlera 100 euro është e vogël krahasim me shpenzimet që kanë”, tha ai.
Ai gjithashtu shprehu nevojën për masa të tjera më efektive, si heqja e TVSH-së për produktet esenciale.
“Duhet të angazhohen në heqjen e TVSH për produktet esenciale që munden me rënë çmimet e tyre që është dashur qeveria të merr masa tjera. Është dashur të jetë një ligj që e kish ndaluar si ministrive e qeverive në detyrë e komunave që në këtë periudhë kur ka fushata të mos marrin këso vendime”, deklaroi Ahmeti.
Njohësi i energjetikës: Subvencionimi i energjisë duhet të jetë i targetuar sipas kategorive sociale
Lidhur me vendimin për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike, ka folur për “Front Online” edhe njohësi i çështjeve të energjetikës, Vezir Rexhepi.
Rexhepi ka theksuar nevojën që kjo mbështetje të jetë e drejtë dhe e targetuar.
Ai ka shtuar se duhet të përcaktohet një vlerë e arsyeshme e kilovatëve që do të subvencionohen.
“E gjithë mbështetja financiare për faturat elektrike, natyrisht shihet si pozitive nga qytetarët, konsideroj që mbështetja të ju drejtohet tek kategoritë e ndryshme sociale, duke marrë në konsideratë edhe shkallën e shpenzimeve pra, të ketë një vlerë të caktuar të kilovatëve e cila duhet të jetë e arsyeshme”, është shprehur ai.
Eksperti i ekonomisë: Qeveria në detyrë po përdor subvencionet për përfitime elektorale
Vendimi i Qeverisë në detyrë për të subvencionuar faturat e energjisë elektrike po shihet me dyshim nga eksperti i ekonomisë, Arton Muhaxheri.
Ai e ka cilësuar këtë vendim si një masë me ndikim elektoral dhe jo ekonomik.
“Ky vendim, pa dyshim ka efekt elektoral. Një qeveri në detyrë nuk duhet të marrë masa me ndikim buxhetor afatgjatë, në prag të zgjedhjeve. Kjo krijon perceptimin se vendimet po merren për të ndikuar në votues, jo për arsye ekonomike”, tha Muhaxhiri.
Ai vlerësoi se subvencionimi mund të ketë efekte pozitive afatshkurtra, por kur bëhet pa një plan të qëndrueshëm financiar ai humb funksionin ekonomik.
“Subvencionimi i energjisë mund të ketë efekte pozitive afatshkurtra për qytetarët, por kur bëhet pa plan të qëndrueshëm financiar, ai shndërrohet në instrument politik për përfitim elektoral. Është një formë e korrupsionit elektoral të butë, sepse përdoret buxheti publik për të fituar simpati në vend që të përmirësohet sistemi energjetik në mënyrë strukturore”, u shpreh ai.
Përveç “bursës së mobilitetit” Qeveria ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për gjithë studentët e sektorit publik e privat në Kosovë.